Shqipëria shënon sot ditën e 47-të të protestave të përditshme kundër qeverisë, me organizatorët që konfirmojnë se tubimet do të vijojnë edhe gjatë sezonit veror.
Edhe këtë mbrëmje, qytetarët janë thirrur të mblidhen përpara godinës së Kryeministrisë në Tiranë, ku do të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Protesta, e cila nisi si kundërshtim ndaj projektit në Zvërnec, është shtrirë tashmë në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë. Gjatë javëve të fundit, protestuesit kanë zhvilluar marshime në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke shprehur pakënaqësitë e tyre përmes pankartave, fjalimeve dhe thirrjeve.
Protestuesit kanë bërë të ditur se mobilizimi nuk do të ndalet gjatë verës, ndërsa u kanë bërë apel qytetarëve dhe diasporës të vijojnë pjesëmarrjen në protesta, duke theksuar se aksioni do të vazhdojë edhe në muajt në vijim. Edhe mbrëmjen e sotme pritet një tjetër tubim në vijim të protestës së përditshme para Kryeministrisë.
© SYRI.net