Nga Ndriçim Kulla/
Në këto çaste të historisë së kombi tonë drama nuk matet më me nivelin e krizës ekonomike, as me statistikat e emigracionit, as me zhurmën e pafund të propagandës politike. Ajo matet me një heshtje tjetër, shumë më të rëndë, me heshtjen e atyre që kanë detyrën morale të flasin. Historia ka provuar se një shoqëri mund të mbijetojë për një kohë edhe pa ekonomi të zhvilluar, edhe pa institucione të përkryera, por nuk mund të mbijetojë gjatë pa zërin e elitës së saj mendore. Sepse pushteti, cilido qoftë ai, ka prirjen natyrore të zgjerojë kufijtë e vet; vetëm kultura, mendimi kritik dhe ndërgjegjja publike i kujtojnë se ekziston një kufi që nuk duhet kaluar.
Prandaj pyetja më shqetësuese e kohës sonë nuk është më se çfarë po bën politika. Politika, në fund të fundit, do të përpiqet gjithmonë të marrë sa më shumë pushtet. Pyetja është një tjetër: ku janë intelektualët? Ku është ai brez që duhej të ndiente i pari dhimbjen e shoqërisë, ta përkthente atë në mendim, ta kthente në debat, në ese, në libër, në protestë morale? Ku është ai njeri që, edhe kur nuk mund të ndryshojë rrjedhën e historisë, ka detyrimin të mos lejojë që historia të mbetet pa dëshmitarë?
Nuk është hera e parë që Shqipëria përballet me sprova të mëdha. Përkundrazi, kombi ynë është formuar pikërisht nëpërmjet tyre. Kur rilindësit shqiptarë nisën betejën për vetëdijen kombëtare, ata nuk kishin pas vetes universitete të mëdha, akademi të konsoliduara apo shtet që t'i mbështeste. Kishin vetëm bindjen se një popull që humbet kulturën dhe vetëdijen e vet është i destinuar të humbasë edhe lirinë. Në pak dekada, ata kryen atë që në vende të tjera kishte kërkuar shekuj. Krijuan alfabetin, shkollën, shtypin, letërsinë, mendimin politik dhe i dhanë një populli të shpërndarë ndjenjën se ishte një komb. Ishte një mrekulli e mendimit përpara se të ishte një mrekulli politike.
Po kështu ndodhi edhe në vitet tridhjetë. Një brez i tërë intelektualësh e kuptoi se Shqipëria nuk mund të ndërtonte të ardhmen vetëm mbi administratën apo ekonominë. Duhej ndërtuar më parë njeriu shqiptar. Prandaj ata ngritën një program të tërë kulturor, jo për t'i shërbyer pushtetit, por për ta emancipuar shoqërinë. Ata polemizuan me njëri-tjetrin, kundërshtuan ide, ndërtuan shkolla mendimi, përkthyen filozofi, krijuan revista, ngritën standarde të reja të debatit publik. Nuk kërkonin privilegje; kërkonin ndikim moral. Nuk prisnin dekorata; prisnin që fjala e tyre të zgjonte ndërgjegjen kombëtare.
Historia shqiptare njeh edhe një tjetër shembull të rëndësishëm. Në periudha të ndryshme të shekullit XX, personalitete si Ismail Kadare, Ibrahim Rugova, Fehmi Agani, Rexhep Qosja dhe shumë të tjerë, secili në mënyrën e vet, e kuptuan se shkrimtari dhe intelektuali nuk mund të jetojnë të ndarë nga fati i kombit. Ata mund të kishin dallime të mëdha politike ose estetike, por kishin një pikë të përbashkët: nuk pranuan që kultura të bëhej shërbëtore e frikës. Në rrethana të ndryshme historike, secili mbrojti, me mjetet e veta, dinjitetin e mendimit dhe të identitetit shqiptar.
Pikërisht për këtë arsye heshtja e sotme e intelektualëve shqiptar tingëllon kaq e rëndë. Nuk është se mungojnë profesorët, akademikët, studiuesit, artistët apo gazetarët. Përkundrazi, ndoshta nuk kemi pasur kurrë kaq shumë diploma, tituj, institucione dhe konferenca. Por rrallëherë është ndjerë kaq pak prania morale e intelektualit në jetën publike. Sikur dija të ishte mbyllur në laboratorë, arti në galeri, universiteti në auditore dhe ndërgjegjja në muret e shtëpisë.
Kjo nuk është vetëm një çështje karakteri individual. Është edhe një fenomen i kohës sonë. Pushteti modern nuk kërkon domosdoshmërisht ta burgosë intelektualin. Më shpesh përpiqet ta bëjë të panevojshëm. Nuk e hesht gjithmonë me censurë; e mbulon me privilegje, me komoditet, me projekte, me financime, me poste, me një ndjenjë të ëmbël sigurie që e bën të harrojë arsyen pse ekziston. Tiranitë klasike e kishin armikun përballë. Pushtetet moderne si ky i Edi Ramës preferojnë ta kenë pranë, të qetë, të kënaqur, të bindur se neutraliteti është forma më e lartë e mençurisë.
Por neutraliteti i intelektualit nuk është gjithmonë urtësi. Shpesh është dorëheqje. Sepse intelektuali nuk është thjesht një specialist i dijes. Ai është kujtesa morale e shoqërisë. Ai nuk ka për detyrë të fitojë zgjedhje, por të mos lejojë që e vërteta të humbasë në zhurmën e propagandës. Ai nuk është i thirrur të zëvendësojë politikanin, por të kujtojë vazhdimisht se politika nuk është mbi njeriun.
Kur lexon historinë europiane, kupton se emrat më të mëdhenj nuk u bënë të mëdhenj vetëm nga librat që shkruan. Ata u bënë të tillë sepse nuk pranuan të heshtnin kur koha u kërkoi të flisnin. Émile Zola nuk do të kujtohej njësoj pa "J'accuse". Albert Camus nuk do të kishte të njëjtën peshë pa refuzimin e çdo forme arbitrariteti. Václav Havel nuk do të ishte bërë simbol vetëm si dramaturg, por sepse e shndërroi kulturën në përgjegjësi qytetare. Në secilin rast, pena nuk zëvendësoi politikën; ajo i kujtoi politikës kufijtë e saj moralë.
Edhe Shqipëria ka njohur momente të tilla. Vaso Pasha nuk shkroi vetëm vargje. Ai i drejtoi kombit një britmë që tingëllon ende sot: "Po Shqipni, m'u duke e mjera Shqipni..." Nuk ishte një vajtim sentimental. Ishte një kambanë alarmi. Ishte përpjekja për ta zgjuar një popull para se historia ta zinte në gjumë.
Sot pyetja mbetet po aq e dhimbshme. A është shoqëria jonë duke kaluar një tjetër çast kur kambanat bien, por askush nuk del në dritare? A po mësohemi me padrejtësinë, me largimin e njerëzve, me varfërimin e debatit publik, me zëvendësimin e argumentit nga spektakli? Nëse po, atëherë problemi nuk është vetëm politik. Është kulturor. Është moral. Është krizë e vetëdijes.
Një komb nuk zbrazet vetëm kur ikin qytetarët e tij. Ai zbrazet edhe kur largohen idealet, kur hesht fjala e lirë, kur dija heq dorë nga përgjegjësia dhe kur arti kënaqet vetëm me estetikën, duke harruar njeriun. Atëherë qytetet mbeten të banuara, por fillojnë të ngjajnë me skena ku aktorët luajnë pa spektatorë dhe spektatorët jetojnë pa shpresë.
Nuk është e nevojshme që çdo intelektual të jetë militant. As që çdo shkrimtar të bëhet tribun. Liria e mendimit përfshin edhe të drejtën për të zgjedhur mënyrën e shprehjes. Por askush nuk mund të heqë dorë nga përgjegjësia për të mos e quajtur normale atë që ndërgjegjja e di se është e padrejtë. Heshtja nuk është gjithmonë neutralitet; ndonjëherë ajo bëhet pjesë e mekanizmit që e zgjat padrejtësinë.
Ndoshta drama më e madhe e kohës sonë nuk është se mungojnë intelektualët. Ata ekzistojnë. Shkruajnë, japin leksione, botojnë libra, marrin pjesë në konferenca. Drama është se shoqëria nuk e ndien më frymëmarrjen e tyre. Zëri i tyre nuk arrin të bëhet busull morale në kohë mjegulle. Dhe kur një komb humbet busullën, ai mund të ecë për shumë kohë, por nuk e di më se ku po shkon.
Historia jonë aktualisht nuk u kërkon intelektualëve të jenë heronj. U kërkon diçka shumë më të vështirë: të mbeten besnikë ndaj së vërtetës edhe kur ajo nuk sjell lavdi, as privilegj, as duartrokitje. Sepse, në fund, kombet nuk rrënohen vetëm nga gabimet e pushteteve. Shpesh rrënohen edhe nga heshtja e atyre që dinin të flisnin dhe zgjodhën të mos e bënin.
© SYRI.net