Ish-deputeti i PL, Petrit Vasili, ka reaguar me anë të një postimi në Facebook ndaj platformës së Elisa Spiropalit për reformimin e Partisë Socialiste. Në reagimin e tij, Vasili shprehet me tone të ashpra ndaj kryeministrit Edi Rama, duke argumentuar se ai nuk ka më mundësi për ndryshim politik dhe se largimi i tij është e vetmja zgjidhje.
Postimi i plotë:
Spiropali i flet një të sëmuri gangrenoz pa shërim si Rama!
Ka gjithmonë një hapësirë biopolitike ndryshimi e shërimi tek individi.
Po a e ka një hapësirë të tillë Edi Rama?
Spiropali, principialisht, ngre disa çështje, që janë kritike për qeverisjen dhe partinë, të cilat tashmë janë shpërfytyruar krejt dhe, përveç një shembëlltyre të inkriminuar thellë, nuk pasqyrojnë asgjë tjetër.
Kjo shumicë dhe kjo qeveri, mjerisht, kanë pasur vetëm e vetëm një fytyrë dhe kjo ka qenë ajo e Edi Ramës.
Shumë e varfër brenda vetes dhe ku majmunëria politike e sindromës për t'i pëlqyer Shefit të Madh, Rama, kjo maxhorancë politike është atrofizuar totalisht lidhur me identitetet individuale politike të reja, duke asgjësuar çdo mundësi rigjenerimi.
Rama vetë, mjerisht, është një i sëmurë politik pa shërim, sepse të gjithë hapësirën biopolitike për ndryshim e ka djegur prej kohësh.
Gangrenizimi politik i Ramës është sot një proces pa kthim.
Ndaj apeli i Spiropalit është një reflektim, që nuk e ndryshon dot Edi Ramën, por nuk ka asnjë shpresë të ndryshojë as Partinë Socialiste.
E zhytur në mentalitetin mafioz të patronazhimit, që vjedh e plaçkit votën dhe paratë e taksave të shqiptarëve, Rilindja është sot një formacion, që përfaqëson shumëçka negative, por asgjë pozitive.
Vjedhja e pushtetit me anë të blerjes së votës ka kalbur çdo qelizë demokratike dhe ka harxhuar edhe të gjithë "dhjamin" demokratik të ish-Partisë Socialiste, që s'kishte dhe s'ka asnjë lidhje me Rilindjen e Edi Ramës.
Ashtu si ligjet e mjekësisë diktojnë heqjen e një këmbe gangrenoze, të kalbur e të vdekur, ashtu edhe Rama i gangrenizuar është në këtë fazë, ku vetëm mund të largohet dhe hiqet nga qeverisja dhe partia, sepse nuk ka as më të voglën mundësi shërimi e ndryshimi.
Ndaj ndryshimi, eventualisht, mund të vijë vetëm pasi Edi Rama të jetë larguar dhe, bashkë me të, edhe sindroma skizofrenike e mbajtjes me çdo kusht dhe formë kriminale të pushtetit, që Rama e mishëron si askush në historinë e këtij vendi.
Elisa, gangrena operohet, hiqet dhe s'ka rrugë tjetër. Arsyetimi fillon nga këtu, të tjerat pastaj mbeten retorikë inflacionuese.
© SYRI.net