'Dordolec politik', Tepelena: Rama ka humbur peshën politike, frika e qytetarëve është thyer

09:53, 15/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Aktivisti Andi Tepelena, i ftuar në “Kafe Shqeto”, tha se Edi Rama ka humbur ndjeshëm peshën politike dhe se është kthyer në një “dordolec politik”.

Tepelena tha se rënia e një regjimi nuk vjen me afate, por përmes një procesi të gjatë rezistence qytetare, duke theksuar se në Shqipëri është thyer frika dhe ka nisur një proces i ri ndërgjegjësimi shoqëror.

Ai akuzoi qeverinë se ka penguar demokracinë dhe referendumet qytetare, ndërsa e cilësoi ekonominë shqiptare si të kontrolluar nga oligarkia dhe të mbyllur ndaj konkurrencës.

Sipas Tepelenës, çlirimi i sistemit politik do të sillte edhe çlirimin e ekonomisë dhe krijimin e një Shqipërie të bazuar te qytetari dhe sipërmarrja.

Pjesë nga deklarata:

Jo, sepse njerëzit kërkojnë me të drejtë, mbase, një detaj, një afat, se qysh e tek. Unë nuk di që ndonjë diktaturë të bjerë kështu me afate. Diktaturat bien vetëm kur ka një rezistencë të qëndrueshme në kohë dhe gërryhen dita-ditës.

Pra, Rama ka marrë një kosto politike të jashtëzakonshme. Domethënë, para një muaji ishte gati mbret, ishte një monark. Sot, pas një muaji e ca, pas 45 ditësh, është kthyer në një dordolec politik. Ne themi që pas një muaji tjetër do të jetë akoma një hiç politik.

Njerëzit do të kenë pak durim, sepse këto janë procese që i shërbejnë edhe rizgjimit të shoqërisë. Pra, aty flitet për gjithçka: flitet nga hallet që kanë qytetarët shqiptarë deri te politikat publike që do t’i shërbejnë Shqipërisë së së ardhmes. Kështu që ky është një proces i shëndetshëm për demokracinë.

Nuk mund të jetë se kemi vendosur një afat: bie regjimi dhe fillon Shqipëria e re, Shqipëria tjetër, ndryshe, të nesërmen direkt. Kjo po shërben për të përgatitur Shqipërinë e së ardhmes. Gjithë ky proces që po ndodh, i gjithë ky debat i madh publik, mbi aktualitetin, por edhe mbi mënyrën se si do të projektohet Shqipëria e së ardhmes, është një debat shumë i shëndetshëm dhe i shërben shoqërisë mbi të gjitha.

E para, u thye frika dhe kjo është një gjë e jashtëzakonshme. Tani çdo njeri, edhe shqiptari më i trembur që mund të ishte dje, edhe ai i administratës publike, po flet hapur që nuk është dakord me mënyrën se si shkojnë punët në Shqipëri. U thye frika.

Tani, pas frikës, ka një proces tjetër që ka të bëjë me maturimin e shoqërisë, e cila do ta shikojë Shqipërinë, do ta projektojë Shqipërinë sipas vizionit, sipas ëndrrës së çdo shqiptari. Dhe në atë mikrofon artikulohen të gjitha, edhe tezat se si duhet të jetë Shqipëria e së ardhmes.

Shqipëria që duhet të jetë, duhet të jetë një Shqipëri ku qytetari është në qendër, pra në çdo rast. Do të jetë një Shqipëri, e kam thënë herë pas here, një republikë e qytetarëve, ku ata do të kenë mundësi të marrin nisma ligjore për shfuqizime ligjesh, për ndryshime kushtetuese e të tjera.

Ky është revolucioni themelor që po ndodh. Kjo kërkon kohën e vet. Imagjinoni, në 36 vjet unë nuk jam thirrur asnjëherë në një referendum si qytetar shqiptar, vetëm një herë mbaj mend, në ’98-ën, për ndryshimin e Kushtetutës, dhe kaq.

Që atëherë nuk ka pasur asnjë nismë referendare të nisur nga qytetarët shqiptarë, sepse është penguar. Qëllimisht është penguar me një ligj i cili pengon që qytetarët të marrin në dorë fatet e veta. Dhe kjo është bërë qëllimisht nga klasa politike, kryesisht PD-PS, me marrëveshjen e famshme të vitit 2008.

Që nga atëherë nuk kemi pasur asnjëherë një referendum në këtë vend. Unë personalisht i qëndroj modelit zviceran, ku të ketë sa më shumë demokraci direkte. Patjetër, nuk jam për të anashkaluar republikën përfaqësuese, domethënë jam pro parlamentit dhe demokracisë përfaqësuese, por jam shumë pro edhe demokracisë direkte.

Qytetarët duhet të vendosin edhe për shkarkimin e deputetëve, në një farë kohe, nëse prishet kontrata me elektoratin. Pra, të ketë një konkurrencë të hapur edhe në politikë. Kjo është ajo që ka munguar.

Në qoftë se çlirohet sistemi politik, kemi garë të barabartë dhe meritokraci, më besoni, do të çlirohet edhe sistemi ekonomik, sepse është një aksiomë që njihet edhe në shkencat politike. Kur fillon gara e vërtetë në politikë, edhe ekonomia do të ecë në të njëjtën kohë.

Kjo ka ndodhur në Sllovaki, ka ndodhur në vendet e ish-Lindjes komuniste, e njëjta gjë. Kur ka pasur një reformë të vërtetë institucionale dhe një sistem elektoral të ndershëm e të barabartë, biznesi ka lulëzuar, sipërmarrja ka lulëzuar, investitorët e huaj kanë investuar në këto vende dhe kjo do të ndodhë me Shqipërinë.

Unë jam besimplotë që do të ndodhë kjo gjë. Do të çlirohet edhe ekonomia, do të ketë konkurrencë, pra do të jetë vendi i sipërmarrësve, Shqipëria e sipërmarrësve të rinj kryesisht, vendi i mundësive.

Tani është e bllokuar totalisht. Të gjitha energjitë janë të bllokuara, sepse ekonomia është në duart e pak njerëzve. Nuk është as kapitalizëm; ky është një lloj kapitalizmi oligarkik, nuk ka lidhje as me kapitalizmin klasik që ne njohim.

Pra, gjithë paratë publike përfundojnë në duart e shtatë personave, shtatë kompanive dhe gjithçka është bllokuar. Kjo ka bllokuar të gjithë energjinë pozitive. Pra, duhet të hapet sistemi, duhet të çlirohet sistemi.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco