E ftuar në emisionin “A Show” me Adi Krastën në Syri TV, Sindi Sheri, e cila ka studiuar për 16 vite në Suedi dhe ka përfunduar studimet bachelor dhe master në marketing në Linnaeus University, foli për nismën e organizimit të konferencës së parë akademike të akademikëve shqiptarë të diasporës.
Sheri, e cila prej 10 qershorit ndodhet në Shqipëri dhe i është bashkuar protestave qytetare, tha se konferenca synon të mobilizojë ekspertizën e diasporës për hartimin e raportit “Shqipëria 2026”, me analiza dhe rekomandime konkrete për demokracinë, institucionet dhe reformat e nevojshme për integrimin europian të vendit.
Ajo u shpreh se protesta ka sjellë një “rizgjim” të qytetarëve, si në Shqipëri ashtu edhe në diasporë, duke shtuar se pas kësaj lëvizjeje nuk do të ketë më të njëjtën qasje ndaj zhvillimeve politike në vend.
Lidhur me shqetësimet për ndërhyrje apo tentativa për sabotimin e nismës, Sheri tha se organizatorët janë të vetëdijshëm për sfidat, por theksoi se konferenca do të jetë tërësisht e pavarur dhe jopartiake.
“Do të jetë një nismë vullnetare e akademikëve shqiptarë që duan të kontribuojnë në debatin publik për një të ardhme më të mirë të Shqipërisë. Raporti do të paraprihet nga disa muaj punë përgatitore dhe do të përfshijë ekspertë nga fusha të ndryshme”, u shpreh ajo.
Duke folur për situatën mediatike në Shqipëri, Sheri tha se politizimi dhe mungesa e transparencës janë probleme të njohura, por vlerësoi se përfshirja e diasporës mund të sjellë një qasje më të pavarur në debatin publik.
Sipas saj, konferenca synon të krijojë një forum të lirë akademik, ku do të mirëpriten edhe kontributet e komunitetit akademik brenda vendit, duke u shndërruar në një platformë për ide dhe propozime konkrete në funksion të zhvillimit demokratik të Shqipërisë.
BISEDA NË STUDIO:
Adi Krasta: Është kënaqësia ime. Kam menjëherë një pyetje që na mundon shumë neve që jetojmë në Shqipëri në ca vite të vështira kur vjen puna te diaspora. Diaspora duket sikur nuk e kupton realitetin në Shqipëri. Për numrat e fundit nuk e kuptoj diasporën që po ia hidhte kryeministrit me vjedhjen e votës. Domethënë deri këtu ishte situata e një jetese në një realitet paralel. Po ndërkaq ti e di që kryeministri ka organizuar shpesh takime në Tiranë që kanë qenë të ngarkuara me simbolikë patetike. Njerëzit kanë ardhur, edhe ata akademikë janë, të diasporës janë. Kanë ardhur, janë përdorur dhe kanë ikur. Pse mendon Sindi që kjo iniciativë, kjo nismë do të jetë ndryshe, njerëzit nuk do të përdoren, por do vijnë të dëgjohet zëri, kur ndërkohë për ata nuk ka nevojë, dhe kryeministri ndoshta do ta sabotojë atë aktivitet, siç po tenton ta sabotojë protestën.
Sindi Sheri: Faleminderit për pyetjen! Si fillim para se të përgjigjesha, do të thoja që është një nder për mua që të flas me ju pasi jeni një nga gazetarët më fin dhe të sofistikuar të Shqipërisë. Dhe më lejoni të kthehem tek përgjigjja. Për sa i përket diasporës, është e vërtetë që jo vetëm diaspora në fakt, nuk do ta veçoja, por shumë shqiptarë janë munduar dhe përpolli... për sa i përket votimeve, sistemit elektoral që për fat të keq në Shqipëri lë për të dëshiruar. Por ne tani po jetojmë në një moment që është shumë i veçantë, është moment historik. Dhe do të jemi mirënjohës gjithmonë kësaj proteste që në fakt po zgjon jo vetëm shqiptarët këtu që rrinë në Shqipëri, por dhe diasporën gjithashtu. Dhe nuk mendoj se pas kësaj proteste do të ketë po të njëjtën qasje ndaj politikave në Shqipëri. Kemi një rizgjim dhe një vetëdije të jashtëzakonshme të qytetarëve, diasporës ose jo.
Adi Krasta: Më lejo të të pyes pak për modalitetin, për mënyrën me të cilën keni menduar. Ju thoni që konferenca do të organizohet në tetor, do të quhet, do të bëjë një hartim të një raporti akademik "Shqipëria 2026", për demokracinë, institucionet dhe reformat për integrimin evropian të Shqipërisë. Qëllimi i saj është të mobilizojë ekspertizën e diasporës akademike për të hartuar një raport të pavarur, të bazuar në analiza shkencore e rekomandime konkrete për forcimin e demokracisë, institucioneve dhe reformave në Shqipëri. Kjo është një muzikë për veshët tanë. Është një mrekulli që kjo po ndodh aktualisht. Fakti që ju keni një kurajë dhe një dëshirë për ta realizuar këtë është një dëshirë e munguar tash e të paktën 12 vjet në një kuptim. Mendon Sindi që kjo nismë mund të hasë akrobacira, sabotime, delegjitimime shumë të sofistikuara nga propaganda e patronazhistëve? Pra njerëz që jetojnë, pikërisht me njerëzit që jetojnë jashtë shtetit. Motra, vëllezër, teze, halla, daja, të cilët jetojnë në Shqipëri nëpër administrata dhe kanë atë presion që kanë. Kjo ndodhi herën e kaluar. Mendon që ka nevojë jo vetëm për ta organizuar, por edhe për ta mbrojtur këtë iniciativë?
Sindi Sheri: Absolutisht. Në fakt kjo dihet që tashmë përçarje, patronazhistët dhe çdo lloj sfide është e parashikuar tashmë. Por në fakt, në këtë herë ne kemi një mobilizim të shumë akademikëve që kanë deklaruar hapur mbështetjen ndaj protestës. Do të jetë e pavarur, nuk do të jetë aspak partiake apo diçka e tillë. Do të jetë thjesht në mënyrë vullnetare nga shqiptarë që duan të kontribuojnë në debat të hapur politik për Shqipërinë, për një të ardhme më të mirë të Shqipërisë. Absolutisht duke përfshirë të gjitha pakënaqësitë që janë të qytetarëve sepse në fakt lufta më kryesore po ndodh këtu në shesh. Por patjetër duhet edhe një debat i tillë, i këtij niveli pra akademik, që të përfshijë komplet atë sferën që i duhet këtij vendi. Ne jemi optimistë dhe absolutisht do jemi dhe realistë, por do të ketë filtrim të personave që marrin pjesë. Për më tepër që akademikët e diasporës kanë një tjetër qasje për sa i përket këtij raporti. Ky raport do të jetë me të vërtetë, do të kryhet në tetor pikërisht për shkak se do të ketë një punë përgatitore prej disa muajsh, dhe do të jenë të gjitha fushat e përfshira. Pra të gjithë ekspertët dhe akademikët në diasporë do të marrin pjesë për të dhënë një kontribut të jashtëzakonisht të rëndësishëm.
Adi Krasta: Ju aktualisht punoni, nuk do ta them emrin, vendin, por ju punoni si pedagoge, doktorante në fushën e biznesit dhe të medias. Më vjen mirë t'ju pyes për një ambient në të cilin ne punojmë. Dua të di panoramën, e di më mirë se unë padyshim, por më lejo të të jap pak kontekst. Dhe në harkun e 12 sekondave të të them se si është situata në Shqipëri. Në Shqipëri ka njerëz që mbështesin kryeministrin dhe njerëz që e kundërshtojnë atë. Njerëzit që e kundërshtojnë atë janë shumë pak. Njerëzit aktualisht, në media aktualisht, njerëzit që e ndihmojnë kryeministrin, kryetarin e bashkisë në burg, dhe të gjithë këtë skotë të tmerrshme. Njerëzish që nuk kanë patur profesione më përpara, por profesionet e tyre janë aktualisht që të jenë liderë, shefa, drejtorë e të tjerë. Kanë në dorë fatet e vendit. Aktualisht kanë shkatërruar gazetarinë, gazetarinë e vërtetë në Shqipëri. Duke patur parasysh ekspertizën që ti ke, por edhe vështrimin nga larg kur bën një vlerësim të panoramës, ti tani, jo unë, si e lexon situatën mediatike në Shqipëri? Është ashtu siç pretendojmë ne, apo është ashtu siç pretendojnë ata që janë të lumtur nën klauzolën ndihmuese e dashamirëse të Kryeministrit të Shqipërisë?
Sindi Sheri: Në fakt situata mediatike është diçka që është e pritshme dhe për ne andej. Është e pritshme që gjërat këtu të politizohen, është e pritshme që gjërat mos të jenë transparente. Këto gjëra tashmë janë pjesë të sistemit dhe mekanizma të cilat janë krijuar prej kohësh. Pikërisht që kur të vijë ky moment të kemi këtë lloj përplasjeje, sidomos intelektuale, sidomos dëshirash, ëndrrash të të rinjve e të tjerë. Por mendoj se përfshirja e diasporës do të ketë një qasje më të pavarur, e cila do të ndihmojë në këtë kontribut. Pikërisht prandaj është edhe kjo nismë. Por duhet të theksoj që pikërisht me atë pjesën e vogël të Shqipërisë që gjithsesi janë aty duke ngritur zërin, pavarësisht çdo lloj sfide që ndodhet këtu në Shqipëri. Sepse është në fakt shumë herë më e vështirë për akademikë, intelektualë dhe ekspertë që jetojnë këtu, pra që duan të luftojnë sistemin. Për ta është shumë herë më e vështirë. Gjithsesi, kjo konferencë do të jetë dhe një udhërrëfyese për këta persona të cilët duan që të marrin pjesë në hartimin e këtij raporti. Dhe kjo do të bëhet nëpërmjet një forumi akademik të lirë ku debati do të hapet dhe do të pranohen përfshirje dhe propozime absolutisht edhe nga vetë komuniteti akademik i Shqipërisë. Por normalisht unë jetoj në Suedi ku për shembull këto mekanizmat janë tashmë të krijuara për sa i përket debatit politik, për pjesëmarrjen e qytetarisë. Janë të institucionalizuara tashmë. Ka shumë nisma në Shqipëri dhe në fakt më duhet të them se për shkak të protestës kanë lindur shumë network-e, shumë mobilizime, shumë nisma dhe ekzistuese, ka dhe ekzistuese në Shqipëri. Por kjo do të jetë më shumë si një përgjigje direkte që i duhet pak a shumë kësaj situate që është emergjente. Folësi 1: Sindi, të falënderoj me gjithë zemër! Pushkë top themi ne këtej kur vjen puna te aktivitetet e mëdha. Tetori vjen shpejt. Jam shumë kureshtar, si shumë të tjerë, nëse do të ketë sukses dhe unë uroj me gjithë zemër që të jetë i vërtetë, të jetë në interes të vendit dhe të jetë i suksesshëm. Të falënderoj me gjithë zemër! Folësi 2: Gjithmonë! Atë dëshirojmë. Ju falënderoj dhe unë shumë!
© SYRI.net