Deputeti i PD-së Bardh Spahia ka dënuar me forcë deklarata e ministres së qeverisë së Aleksandër Vuçiç e cila ka deklaruar në një intervistë televizive se, nëse do ishte në vendin e Millosheviçit do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën.
Sipas Spahisë, ku është një skandal dhe heshtja ndaj këtyre deklaratave është turp dhe faqe e hedhë për këdo që nuk reagon.
Reagimi i deputetit Bardh Spahia:
Të dalësh sot në ekran me arrogancë dhe të thuash hapur: ‘Nëse do isha unë në vend të Millosheviç në 1998 do e kisha spastruar etnikisht Kosovën’, nuk është thjeshtë një deklaratë çnjerëzore dhe skandaloze që mund të kalojë në heshtje.
E dini çfarë është më e rënda dhe më e dhimbshmja për çdo shqiptar? Kjo deklaratë nuk vjen nga rruga, por nga një ministre me portofol në qeverinë e Aleksandër Vuçiç! Po, fiks në qeverinë e atij Vuçiçit që Edi Rama prej vitesh e quan ‘vëlla’, me të cilin ndan buzëqeshje, shtrëngon duart, bën avokatin e tij nëpër Evropë dhe ndërton nisma qesharake ‘vëllazërore’ në dëm të Kosovës.
Si mund të jesh vëlla dhe mik me atë që mban në krah të djathtë ministra që pendohen vetëm për një gjë: që nuk na vranë e nuk na zhdukën dot të gjithëve nga faqja e dheut në vitin 1998?! Ku është reagimi i Tiranës zyrtare sot për këtë thirrje të hapur e të paturpshme për gjenocid?! Apo do të ulin kokën e do të bëjnë sikur nuk dëgjuan gjë, vetëm e vetëm për të mos prishur terezinë dhe pazaret e ‘vëllaut’ në Beograd?
Gjaku i mijëra dëshmorëve, grave dhe fëmijëve të pafajshëm në Kosovë është i shenjtë! Nuk ka asnjë mik në Tiranë që mund të lajë fytyrën e atij shteti që ushqehet ende me ëndrra gjenocidiale kundër shqiptarëve.
Turp e faqe e zezë për këdo që i mban ison dhe i bën avokatin këtij regjimi!
© SYRI.net