Gazetari Sami Neza, i ftuar në emisionin 'Task Force' me Sonila Meçon në SYRI TV, ngriti pikëpyetje mbi qëndrimin që Komisioni Europian ka mbajtur ndaj zhvillimeve në Shqipëri gjatë dekadës së fundit, duke e cilësuar atë si neglizhent dhe të shkëputur nga realiteti në vend.
Sipas Nezës, qeveritë e drejtuara nga Edi Rama janë përballur vazhdimisht me akuza për korrupsion, ndërsa, sipas tij, korrupsioni është shndërruar në model qeverisjeje.
Neza theksoi se raportet e Komisionit Europian për Shqipërinë, veçanërisht në periudhën 2016-2021, nuk kanë pasqyruar problematikat reale me të cilat është përballur vendi.
Sipas tij, kohët e fundit është vënë re një ndryshim në qasjen e Parlamentit Europian, i cili ka evidentuar diferencat mes qëndrimit të tij dhe atij të Komisionit Europian ndaj Shqipërisë.
Ai shtoi se kjo çështje meriton një analizë më të thellë, pasi, sipas tij, nuk mund të shpjegohet vetëm me një marrëdhënie të mirë mes palëve.
‘Prej vitesh, Komisioni Europian dhe burokracia e Komisionit kanë qenë neglizhentë ndaj zhvillimeve në Shqipëri dhe veçanërisht ndaj drejtimit të qeverive të njëpasnjëshme nga Edi Rama. Qeveri të cilat kanë qenë të akuzuara për korrupsion, vijojnë të akuzohen për korrupsion, ndërkohë vijojnë ta implementojnë korrupsionin si model qeverisjeje dhe si model pushteti në të dyja anët.
Kjo tregon se është e domosdoshme që Parlamenti Europian, por dhe institucionet e tjera të cilat janë monitoruese të punës së Komisionit Europian brenda strukturës së Bashkimit Europian, t'i tërheqin vëmendje burokratëve dhe të shikojnë se pse ndodh ky afilacion, ky afinitet, ky atraksion midis një burokracie me një vend të vogël, në fakt pothuajse jo shumë të rëndësishëm për Bashkimin Europian. Cila është ajo nyje që i mban lidhur që të dy këto zyra...
Sepse pamja që na prodhon Komisioni Europian, dhe na e ka prodhuar këtë pamje në mënyrë sistematike që nga 2016 deri në 2021-shin, ne kemi pasur raportet e Komisionit Europian, kanë qenë raporte si për një vend anëtar të Bashkimit Europian ato për Shqipërinë.
Nuk prekeshin asnjë prej problematikave. Problematikat më të mëdhaja kishin të bënin me institucionet e drejtësisë të Shqipërisë, ku prekeshin çështje të pavarësisë së këtyre institucioneve, por nuk flitej ose flitej fare pak për korrupsionin, nuk flitej për lidhjen me krimin e organizuar, nuk flitej për narkotrafikun, e për gjëra të tilla kaq të rëndësishme.
Sot ka një farë ndryshimi në fakt, sepse Parlamenti Europian evidentoi diferencën midis qëndrimeve që mbante Parlamenti Europian me Shqipërinë, me atë që mbante Komisioni me Shqipërinë. Megjithatë, duhet ta adresojmë këtë diferencë, se kjo diferencë, pavarësisht se është atakuar, nuk është shuar si diferencë midis dy institucioneve.
Qoftë pjesa tjetër e Tiranës politike, qoftë Parlamenti Europian duhet ta shohin me një vështrim më të thellë. Sepse nuk është thjesht çështje atraksioni ose afeksioni midis dy palëve, mund të jetë diçka më shumë sesa kaq.
Dhe fakti se kjo është e qëndrueshme dhe e vijueshme përgjatë 10 viteve të fundit, do të thotë se Komisioni Europian duhet të jetë transparent me qytetarët shqiptarë së pari, dhe pastaj edhe me qytetarët europianë, taksat e të cilëve përdoren përmes fondeve, se si shpjegohet që situata në Shqipëri është krejt ndryshe nga situata që vizatohet nga zyrtarët e lartë të Komisionit Europian.’, theksoi gazetari Sami Neza gjatë bisedës në SYRI TV.
© SYRI.net