Në një intervistë për Syri TV me Arnold Kariqin, nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorjan Teliti foli për fenomenin e pastrimit të parave dhe ndikimin e tij në ekonominë shqiptare.
Ai u shpreh se një pjesë e pikave të këmbimit valutor janë kthyer në hallka të një zinxhiri ku kryhen transaksione të padeklaruara dhe që mund të lidhen me pastrimin e parave.
Teliti kritikoi institucionet shtetërore për mungesën e reagimit ndaj këtij fenomeni, duke theksuar se zhvlerësimi i euros dhe forcimi nominal i monedhës kombëtare nuk lidhen me një fuqizim real të ekonomisë, por kanë sjellë pasoja negative për qytetarët, eksportuesit dhe prodhuesit shqiptarë.
Gjatë intervistës, ai kritikoi gjithashtu mazhorancën për refuzimin e ngritjes së komisioneve hetimore parlamentare mbi përdorimin e parave të pista në ekonomi, veçanërisht në sektorë si ndërtimi dhe turizmi.
Ai theksoi se, mungesa e transparencës ka bërë që opozita t’u drejtohet partnerëve ndërkombëtarë për të kërkuar hetim dhe zbardhjen e këtij fenomeni, të cilin ai e konsideron një kërcënim serioz për sistemin financiar dhe ekonominë shqiptare.
Fjala e tij:
Pikat e këmbimit kanë disa vite, prej vitesh tashmë janë bërë pjesë e kësaj skeme të madhe. Ku një pjesë prej tyre, me thënë të drejtën jo të gjitha, absolutisht, ka edhe prej tyre të cilat e zbatojnë legjislacionin dhe rregullat e Bankës së Shqipërisë, por ka edhe disa prej tyre që janë bërë palë, për sa i përket të gjithë këtij zinxhiri të madh të pastrimit të parasë, që ndodh në Republikën e Shqipërisë, qofshin ato para që kanë buruar në Shqipëri, qofshin ato para të cilat kanë ardhur nga jashtë Shqipërisë brenda territorit tonë.
Është për t'u vlerësuar fakti që Banka e Shqipërisë ka marrë masat, ndonëse janë masa të vonuara, por njëkohësisht edhe në informacion, edhe në kontaktet dhe në bisedat që ne kemi, në anën e Bankës së Shqipërisë edhe me njerëz të cilët janë ekspertë të fushës, pra që marrin vesh dhe kanë informacion edhe më të detajuar sesa popullata, e njëjta gjë edhe popullata e temit, të siguroj që numri është ende më i madh, është akoma dhe më i madh dhe që Banka e Shqipërisë duhet të bëjë akoma dhe më shumë, le të themi, mund, për ta luftuar këtë lloj fenomeni.
Pa përfshirjen e, le të themi, të pikave të këmbimit, ky zinxhir jo se prishet totalisht, por sidoqoftë vështirësohet. Pra, ekzistenca e pikave të këmbimit, të cilat pranojnë të kryejnë transaksione pa i deklaruar ato, pa marrë identitetin e personit dhe pa bërë raportimet përkatëse, ashtu siç i ka legjislacioni dhe rregullorja e Bankës së Shqipërisë, atëherë normalisht që ky zinxhir do të vazhdojë akoma dhe më tepër dhe gjatë periudhave të ardhshme, duke e rënduar akoma dhe më shumë situatën ekonomike ku ne jemi sot, që këmbejmë 1 euro për 93 lekë.
Është diçka absurde për sa i përket realitetit shqiptar, ku ndonëse disa zëra të mazhorancës e quajnë këtë një sukses, realisht kjo i ka dëmtuar dhe vazhdon ta dëmtojë ekonominë shqiptare dhe sektorët e saj në mënyrë marramendëse.
Ndaj sot, ne jemi vendi me monedhën më të varfër të botës, por që krenohemi që kemi monedhën më të fortë. Një absurditet si në praktikë, po ashtu edhe në teori.
Roli i shtetit do të jetë ndryshe nga ai që ka qenë. Pra, roli i shtetit është të sigurojë mirëqenien e të gjithë aktorëve të tregut, të qytetarëve dhe të sigurojë fuqizimin gjithnjë e më shumë të sipërmarrjes.
Ky lloj fenomeni, i cili ndodh poshtë godinës së Bankës së Shqipërisë, 10 metra nga godina e Bankës së Shqipërisë, i bën mirë apo i bën keq ekonomisë shqiptare? I bën dëm, i bën keq, e dërmon ekonominë.
E dërmon eksportuesin, e dërmon prodhuesin, i zhvlerëson ato remitanca që fëmijët e pensionistëve i sjellin për prindërit e tyre që janë sot në pension, që punojnë jashtë. Fëmijët që i sjellin ato 100 euro apo 200 euro që i sjellin në muaj për të mbajtur frymën gjallë.
Sepse, në qoftë se para gjashtë-shtatë vitesh ato 100 euro vlenin 130-140 mijë lekë të vjetra, sot nuk vlejnë as 100, as 200 mijë lekë, por vlejnë thjesht 96 mijë lekë.
Pra, kemi një zhvlerësim marramendës të monedhës shqiptare, e cila nuk ka ardhur si pasojë e fuqizimit të ekonomisë. Përkundrazi, ekonomia shqiptare vazhdon të jetë ende ekonomia e fundit në Europë.
Dhe njëkohësisht kemi dy sektorët e saj, që janë sektorët prodhues, që është industria prodhuese dhe bujqësia, që janë prej katër vitesh në recesion.
Të ndodhë ky lloj fenomeni që dëmton ekonominë shqiptare dhe sistemin financiar në përgjithësi, pikërisht nën sytë dhe në oborrin praktikisht të Bankës së Shqipërisë, është diçka e patolerueshme.
Nuk është thjesht faji i Bankës së Shqipërisë, me thënë të drejtën. Janë edhe institucionet e tjera, që nga krimi ekonomik, që nga drejtoria e pastrimit të parave, që nga vetë Policia e Shtetit, të cilët mbyllin sytë, me sa duket, ndërkohë që një fenomen i tillë dihet nga kushdo në Tiranë dhe në Shqipëri se ku ndodh dhe në çfarë mase ndodh.
Të vetmit që nuk e shohin janë zyrtarët e shtetit. Kështu që shteti duhet të ketë vullnetin. Shteti është një entitet i cili përbëhet nga njerëz, fundja fundit.
Nëse njerëzit që punojnë në shtet, që nga drejtuesit më të lartë deri tek niveli më i ulët, nuk kanë vullnetin për ta luftuar atë, apo akoma dhe më keq, mund të bëhen bashkëautorë në këtë lloj vepre kriminale që ka dërmuar dhe vazhdon të dërmojë sistemin financiar dhe ekonominë shqiptare, këtu pastaj nuk flasim më çfarë duhet bërë, por çfarë duhet të bëjmë ne të gjithë bashkërisht për ta ndaluar këtë lloj fenomeni.
Dhe dihet, ajo që do të bëjmë ne është vetëm një gjë: të bëjmë çmos për ndryshimin e sistemit.
Kjo do të ishte një gjë shumë e rëndësishme. Jo për politikën, por për ekonominë shqiptare, për njerëzit, për qytetarët.
Sepse do të dalë qeveria, do të dalë Rama, do të thotë që po na prishni imazhin, më pas...
Pse refuzon qeveria shqiptare, mazhoranca le të themi, mazhoranca politike në fuqi, jo mazhoranca de facto e qytetarëve, por mazhoranca de jure, ajo e dekretuara nga KQZ-ja?
Pse refuzon ngritjen e komisioneve parlamentare hetimore për sa i përket përdorimit të parasë së pisët dhe parasë së zezë në sektorin e ndërtimit?
Pse refuzon mazhoranca ngritjen e komisioneve hetimore për të hetuar shkeljet e ndryshme që janë kryer nga niveli politik dhe nga niveli i lartë civil i administratës?
Në momentin që vetë mazhoranca refuzon, është një tregues më se i qartë që mazhoranca dëshiron të fshehë diçka, apo një fenomen, apo të mbrojë fajtorët përkatës.
Në momentin që politika shqiptare, nga ana e mazhorancës, nuk ka vullnetin, nuk ka dëshirën, por përkundrazi bën çmos për të fshehur, për të hedhur atë velon e mungesës totale të transparencës, është normale që Partia Demokratike dhe opozita do të kërkojnë mbështetjen e çdo partneri ndërkombëtar për të detyruar mazhorancën për t'i ngritur këto lloj komisionesh.
Ndërkohë, derisa të arrihet në këtë pikë, sepse ky është një proces i cili mund të dojë edhe kohën e vet, patjetër ishte hap i duhur propozimi i liderit të opozitës sot, në asamblenë ndërkombëtare të partive të djathta, partive simotra, për të ngritur atje grupe të punës, të cilat do ta ndihmojnë më pas edhe Shqipërinë, do të ndihmojnë edhe realitetin shqiptar, do të ndihmojnë qytetarët për të bërë transparencën e munguar.
Kjo është diçka që ne normalisht, një vend demokratik në letër, një vend me rend kushtetues në letër, një vend që aspiron për t'u integruar në Bashkimin Europian në letër, duhet t'i kishte kryer ato me kohë dhe më parë, dhe të kishte zbardhur të vërtetën.
Por në momentin që kemi një mazhorancë e cila nuk dëshiron zbardhjen e së vërtetës, pasi janë bashkëautorë në krijimin e këtij sistemi, në ngritjen e këtij sistemi, në pastrimin e miliarda eurove në sektorin e ndërtimit, dhe në sektorin e ashtuquajtur të turizmit, dhe në sektorë të tjerë të ekonomisë shqiptare, automatikisht është e drejta e çdo qytetari, sidomos e drejta e opozitës, që këtë gjë ta ngrejë në arenën ndërkombëtare.
Sepse kjo nuk është thjesht një dëshirë apo një kapriço e jona. Ky është detyrim që ne kemi ndaj qytetarëve, ndaj bizneseve, ndaj ekonomisë në përgjithësi.
Por, njëkohësisht, kjo gjë është e shkruar e zeza mbi të bardhë edhe në raportet e institucioneve ndërkombëtare.
Mjafton të hapësh raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili flet nga fillimi deri në fund për korrupsion në Shqipëri. Të avancuar, korrupsion endemik, të shtrirë kudo.
Mjafton të hapësh raportin e Transparency International, që flet për korrupsion, ku vendi... Shqipëria, vendi më i korruptuar në rajon dhe në Europë.
Pra, jemi në një situatë e cila është alarmante.
Opozita nuk qëndron vetëm në nivelin e deklaratave. Opozita bën atë detyrë që ka, pra denoncon, dhe pastaj merr aktet dhe veprimet përkatëse.
Në momentin që parlamenti në mënyrë të padrejtë është i uzurpuar me ato 73 kartonat e votave të blera, siç ka thënë edhe raporti i OSBE-ODIHR-it, është e drejta e opozitës t'i drejtohet dhe është detyrim, madje, i opozitës t'i drejtohet çdo instance ndërkombëtare.
Ku, njëkohësisht, edhe në këtë instancë që është tejet e rëndësishme, ku e partive simotra, të ngrihen grupet e punës pikërisht për të zbardhur, siç dhe e dimë, për të zbardhur zyrtarisht atë nivelin e penetrimit, nivelin e hyrjes, nivelin e shtrirjes brenda ekonomisë, realitetit shqiptar, si të karteleve të drogës, po ashtu edhe të pastrimit të parave në sektorë të ndryshëm.
Kryesisht janë ato të pastrimit të parave në sektorin e ndërtimit.
Hap i duhur dhe falënderojmë partnerët tanë ndërkombëtarë për mbështetjen që na kanë dhënë dhe për ngritjen e këtyre grupeve të punës.
© SYRI.net