Nga Brukseli, ku mori pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të IDC-CDI, lideri i opozitës, Sali Berisha, denoncoi atë që e cilëson narko-shtetin e Edi Ramës në Shqipëri. Berisha tha se kartelet shqiptare të drogës janë kthyer në rrezik për vendin dhe Evropën, ndërsa hodhi akuza se paratë e drogës pastrohen në ndërtim. Ai kërkoi ngritjen e grupeve të posaçme të punës për lidhjet e qeverisë shqiptare me drogën dhe krimin. Teksa u ndal te libri “Albania Files”, Berisha akuzoi Ramën se po e trajton Shqipërinë si çifligun e tij, ndaj kërkoi ndërhyrje ndërkombëtare.
Nga Asambleja e Përgjithshme e IDC-CDI, organizata më e madhe politike e qendrës së djathtë, ku kreu i PD-së, Sali Berisha, po merr pjesë në cilësinë e zëvendëspresidentit të kësaj organizate, Berisha ngriti shqetësimin për situatën në të cilën gjendet Shqipëria. Berisha akuzoi kryeministrin Rama se ka krijuar një narko-shtet, që po e rrezikon seriozisht vendin. Ai tha se Shqipëria nuk organizon më zgjedhje të lira, por vetëm farsa elektorale.
“Shqipëria është një nga narko-shtetet më të fuqishme në botë. Ajo qeveriset nga organizata kriminale. Shqipëria është eksportuesja më e madhe e kanabisit në Evropë, ndërsa kartelet shqiptare të drogës janë transportuesit më të mëdhenj të kokainës nga vendet e Amerikës Latine drejt Evropës, me siguri, dhe ndoshta edhe drejt destinacioneve të tjera. Portet tona janë tërësisht në duart e karteleve të drogës. Tërësisht. Prej pesë vitesh ose më shumë, në portet tona nuk është kapur asnjë kilogram drogë, sepse ato kontrollohen nga kartelet e drogës. Kartelet e drogës në vendin tim kanë në duart e tyre të gjitha lejet e ndërtimit dhe të gjithë kontrollin mbi zonat bregdetare.”
Në këto kushte, Berisha kërkoi nga Brukseli ngritjen e grupeve të posaçme të punës për kartelet e drogës dhe krimit, si dhe lidhjet e tyre me pushtetin.
“Prandaj, zoti President, besoj se organizatat tona duhet të krijojnë një grup të posaçëm pune për kartelet e drogës, narko-shtetet dhe trafikun. Kjo do të ishte një ndihmë shumë e madhe, sepse vende të tilla nuk janë të rrezikshme vetëm për veten e tyre, por janë të rrezikshme për rajonin dhe madje edhe përtej tij.”
Berisha denoncoi edhe librin “Albania Files”, me resortet dhe projektet arkitekturore që pritet të ndërtohen në Shqipëri me bekimin e Edi Ramës. Sipas Berishës, ky libër fakton se Rama po e trajton Shqipërinë si çifligun e tij, ndërsa ngriti në Bruksel edhe protestat e fuqishme të qytetarëve që kërkojnë largimin e Ramës.
“Pak ditë më parë, ndoshta jeni në dijeni, në vendin tim po zhvillohet një lëvizje shumë e fuqishme popullore gjatë kësaj periudhe. Por pak ditë më parë u botua një libër i veçantë me titull ‘Libri i Kuq, Dosjet Sekrete të Shqipërisë’. Ky libër trajton 523 projekte të mëdha në peizazhet më të bukura të Shqipërisë, në bregdet ose në zonat malore, për të cilat askush nuk kishte dijeni. Kryeministri, kreu i organizatës kriminale, e konsideron vendin si çifligun e tij, si një sulltan i shekujve të kaluar, që mund të vendosë për gjithçka. Shumica e këtyre projekteve janë nxjerrë nga zonat e mbrojtura.”
© SYRI.net