Në Shqipërinë e tranzicionit mjafton një natë që të ndodhë mrekullia. Fle pa shkollë, zgjohesh me diplomë. Fle me kioskë, zgjohesh oligark. Fle i panjohur, zgjohesh VIP. Këtë "manual suksesi" e ka përmbledhur me ironi të hollë Lutfi Dervishi në poezinë "Metamorfoza", një pasqyrë therëse e realitetit shqiptar që nuk ka nevojë për shpjegime.
Metamorfoza
Dje s’i njihte kush, sot janë bërë VIP
U ngrysën në zgëqe, u zgjuan elitë.
Dje shisnin të bardhë, sot janë xhentëlmenë,
U ngrysën trafikantë, u zgjuan biznesmenë.
Dje ishin "të ardhur", sot në rend të parë,
U ngrysën trokë, u zgjuan pronarë.
Dje pa shkollë të mesme, sot me fakultet,
U ngrysën analfabetë, u zgjuan deputetë!
Dje të uritur, sot me pakëz bark
U ngrysën me kioskë, u zgjuan oligarkë.
Dje pa asnjë dyshkë, sot me xhepat plot,
U ngrysën tradhtarë, u zgjuan patriotë!
© SYRI.net