SYRI TV/ ‘Albanian Files’, PD kallëzon Edi Ramën në SPAK për disa vepra penale

14:48, 14/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Disa javë pas publikimit në publik të librit Albanian Files, Partia Demokratike ka kallëzuar në SPAK kryeministrin Edi Rama për disa vepra penale. Grupi Parlamentar i selisë blu e akuzon Edi Ramën se ka mbështetur aktivisht pastrimin e parave, gjithashtu edhe ka paracaktuar projektet ndërtimore, edhe në disa zona të mbrojtura. Edi Rama, sipas Grupit Parlamentar të PD-së, në disa raste ka kontaktuar vetë me arkitektët, duke i adresuar më pas te ndërtuesit.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike kallëzon në SPAK kryeministrin Edi Rama për veprat penale të ‘Shpërdorimit të Detyrës’, ‘Korrupsionit Pasiv të Funksionarëve të Lartë Shtetërorë’ dhe ‘Pastrimit të Produkteve të Veprës Penale’ në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal. Kallëzimi ka ardhur pas daljes në publik të librit Albanian Files, ku një pjesë e projekteve në fushën e ndërtimit në Shqipëri ishin të paracaktuara. Rreth 520 projekte, sipas Partisë Demokratike, janë paracaktuar nga vetë Edi Rama.

Nga përmbajtja e këtij libri, zbardhet skema se si shtetasi Edi Rama, me detyrë Kryeministër/Kryetar i Këshillit Kombëtar të Territorit, përzgjidhte studiot ndërkombëtare të arkitekturës, i kontaktonte, i takonte dhe më pas krijonte lidhjet me investitorë apo ndërtues shqiptarë. Këta të fundit paguanin shuma të larta për projektimin dhe më pas përfitonin leje ndërtimi për ndërtimin e pallateve, kullave, hoteleve apo resorteve në Tiranë dhe zonat bregdetare të vendit.

Në kallëzim, Partia Demokratike paraqet edhe një rast konkret për mënyrën se si është dhënë leje ndërtimi për një kullë te Bulevardi i Ri.

Në datën 01.05.2024, ora 22:00, arkitekti Sam Chermayeff, me shtetësi amerikane, administrator i një studioje arkitekture me seli në Berlin dhe Nju Jork, mori një telefonatë nga kolegu i tij, Pablo Bofill, duke e njoftuar se «Edi do të të telefonojë». Më pas, ai tregon se mori një telefonatë nga shtetasja Adelajda Roka, drejtuese e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, gjatë të cilës iu kërkua realizimi i dy projekteve në Tiranë, njëri prej 30 mijë metrash katrorë dhe tjetri prej 15 mijë metrash katrorë.

Disa javë më vonë, arkitekti Sam Chermayeff udhëtoi drejt Shqipërisë, ku u prit në pistën e avionit dhe u dërgua në një vilë private për t’u takuar me një grup të vogël prej tre biznesmenësh. Gjatë vizitës së zhvilluar në kantierin ku do të ndërtohej kulla 44-katëshe, atij iu tha se kishte dorë të lirë të bënte çfarë të donte. Më 31 korrik 2024, KKT miratoi lejen e zhvillimit për projektin «Sun Moon Star», kullë 44-katëshe, e projektuar nga arkitekti Sam Chermayeff, në Rrugën Asim Vokshi, pranë Bulevardit të Ri.

Partia Demokratike vë në dukje gjithashtu se dy projekte janë në zona të mbrojtura dhe projektimi i tyre është bërë para ndryshimit të ligjit, duke treguar se në këtë mënyrë investitorët kishin garanci për ndryshimin e ligjit.

Me interes të veçantë në përmbajtjen e këtij libri janë edhe dy projekte, të cilat janë parashikuar të ndërtohen në zona të mbrojtura përpara se të miratohej Ligji nr. 21/2024 «Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 81/2017 “Për Zonat e Mbrojtura”». Kjo ngre dyshimin e arsyeshëm se porositësit e këtyre projekteve, të cilët kanë paguar tarifa të larta për projektimin, kishin dijeni dhe garanci se ligji për zonat e mbrojtura do të ndryshonte, duke iu mundësuar pikërisht ndërtimin në këto zona.

Në këtë rast, është e qartë se garanci të tilla nuk mund të jepeshin nga askush tjetër, përveçse nga shtetasi Edi Rama, duke qenë njëkohësisht Kryetar i Partisë Socialiste (partia që ka shumicën parlamentare) dhe Kryetar i Këshillit Kombëtar të Territorit.

Në kallëzimin e saj, Partia Demokratike thotë se këto ndërtime shërbenin për të pastruar paratë dhe kjo skemë është mbështetur aktivisht nga kryeministri Edi Rama.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco