Lideri i opozitës gjatë konferencës për shtyp në selinë e PD tha se, “mbështesim fuqishëm protestën, por nuk bëjmë asnjë përpjekje për ta akaparuar apo për ta përçarë atë”.
Mariglen Kume, MCN TV: Pak javë më përpara, ju në një konferencë deklaruat se për demokratët nuk do të ketë verë, pushime vere në thonjëza po them, pasi do të jenë në aksion. Ndërkohë që protesta e qytetarëve këto të 35 ditë në një farë mënyre pezulloi planin ose programin e PD-së për këtë. Pyetja ime është, a do të ketë Partia Demokratike protestë tjetër në këtë verë po them ose në vijim, dhe a do të ndryshoni strategji për mënyrën se si do t'i bëni këto protesta, apo si edhe më parë?
Sali Berisha: Zoti Kume. Qëndrimi ynë ndaj protestës, po e ripërsëris, protesta nuk është e jona. Nuk bëjmë asnjë përpjekje në mënyrë absolute për ta akaparuar atë, as për ta përçarë.
Marrim pjesë në protestë me të gjitha mundësitë tona, me anëtarë dhe mbështetës, pa asnjë simbol partiak. Thjesht si qytetarë.
Dhe kjo është e vërtetë.
Kanë marrë pjesë në tërësi deputetët, por si qytetarë. Kanë marrë pjesë me qindra dhe mijëra, sipas rastit, anëtarë dhe mbështetës tanë.
Kjo protestë është mbështetur në mënyrën më të fuqishme për pesë pikat e saj. Ato lexoni, kanë qenë pika që ne i kemi mbrojtur me protesta në parlament dhe kudo. Dhe ne i mbrojmë.
Nuk kemi thirrur protestë tjetër. Jo, pikërisht për të mos shpërqendruar vëmendjen, interesin për këtë protestë madhështore të qytetarëve.
Nuk jemi dakord kurrsesi me ndonjë slogan, por nuk kemi hapur polemikë. Jo. Jo dhe jo. Kemi vendosur të marrim pjesë pa hapur polemikë, sepse nuk duam të shpërqendrohet nga asgjë nga protesta.
Nuk ka patur që nga viti ‘90, kjo është protesta e dytë më madhështore qytetare që ka njohur Shqipëria. Ka njohur edhe një tjetër, protestën për armët kimike. Edhe ajo e jashtëzakonshme, ishte në tërësi protestë e gjimnazistëve, siç e dini.
Kështu që ne mbështesim protestën, i përmbahemi këtij qëndrimi në vazhdim. Çfarë do bëjmë ne tani? Se ke të drejtë, po.
Kuvendi i Partisë Demokratike shpalli moton "Ripërtëritje". I garantoj demokratët, mbështetësit e Partisë Demokratike, se ripërtëritja është dhe do mbetet drejtim themelor i kësaj partie. Ne kemi vlera shumë të çmuara në gjirin tonë dhe do i promovojmë ato me vendosmëri.
Partia Demokratike ka deklaruar organizimin dhe modernizimin e saj si veprimtari kryesore.
Siç ju kam informuar, me Institutin Republikan Amerikan, ka përgatitur për ne një platformë të shkëlqyer, e cila do zbërthehet në të gjitha nivelet e partisë për organizimin dhe modernizimin e partisë.
Së treti, me dy fondacionet më të famshme të qendrës së djathtë në botë, Konrad Adenauer dhe Heritage, ne kemi përgatitur vizionin e Partisë Demokratike.
Pra, siç e sheh, nuk mund të ketë pushime për këtë parti, ka betejë, ka punë, punë dhe vetëm punë.
© SYRI.net