Kryeministri Edi Rama inspektoi stadiumin provizor ku do të mbahet koncerti i Kanye West, ndërsa nuk bëri asnjë transparencë për financimin e stadiumit. Rama sulmoi protestuesit me fyerje, duke thënë se shteti ka dhënë vetëm 4 mln euro për mbarëvajtjen e koncertit.
SYRI TV
Në kulmin e protestave të qytetarëve që kërkojnë dorëheqjen e tij, Kryeministri Edi Rama ka vijuar të zgjidhë qesen e buxhetit të shtetit për koncertin e Kanye West. Gjatë një inspektimi në stadiumin ku pritet të zhvillohet koncerti, Rama deklaroi se qeveria ka dhënë 4 mln euro për mbarëvajtjen e koncertit, por nuk ka bërë transparencë për financimin që qëndron pas ndërtimit të stadiumit provizor, i cili parashikohet të mbajë rreth 60 mijë persona. Në vend që të bënte transparencë për fondet me të cilat është ndërtuar ky stadium, Rama shpërtheu në fyerje dhe sharje ndaj protestuesve që kërkojnë çdo mbrëmje dorëheqjen e tij.
Në një linjë me kryeministrin, edhe ministri i Kulturës, Blendi Gonxhja, refuzoi të thotë se nga kanë ardhur paratë për ndërtimin e stadiumit provizor ku do të zhvillohet koncerti, megjithëse pretendon se ato nuk kanë dalë nga buxheti i shtetit, teksa kostot për ndërtimin e një stadiumi të tillë përllogariten deri në 50 milionë euro.
Hipokrizia e Ramës doli në pah edhe në një pikë tjetër. Ndërsa akuzon protestuesit për qasje kundër Izraelit dhe antisemitizëm, po sjell në Tiranë një këngëtar i cili është i njohur botërisht për qëndrime antisemitike dhe që glorifikojnë nazizmin.
© SYRI.net