Intervistë ekskluzive e Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta për portalin ‘Syri. Net’
Meta: Përshëndes nisëm e kongresmenit Wilson për hetimin e Narkoqeverisë. Protesta ishte dhe mbetet paqësore përballë një qeverie provokatore
Z. Meta, dje u bë e ditur se Kongresmeni Joe Wilson kërkon që SHBA të bëjë hetime për situatën e përkeqësuar të narkotrafikut ku është përfshirë Shqipëria, si edhe rolin eventual ndihmues të institucioneve shqiptare. Si e shihni këtë nismë?
Kongresmeni, Z. Joe Wilson është me shumë përvojë, jo vetëm në Kongres, por edhe në çështjet europiane dhe sidomos ato të rajonit tonë.
Është një përkrahës i vendosur i anëtarësimit të Kosovës në NATO.
Po kështu, njohës shumë i mirë i Shqipërisë.
Tolerimi nga administrata e mëparshme e shndërrimit të Shqipërisë në një bazë logjistike për trafikun ndërkombëtar të drogës, tani ka marrë përmasa shqetësuese edhe për vetë SHBA-të.
Mbështetja totale që iu dha Edi Ramës nga Soros dhe diplomatët e ndikuar prej tij për kapjen antikushtetuese të Reformës në Drejtësi dhe gjithë shtetit, sigurisht do sillte këto pasoja të rënda të fuqizimit të karteleve të drogës në nivel global me pasoja jo vetëm fatale për Shqipërinë dhe ekonominë e saj të "betonit", apo pikiatën e kursit të euros e dollarit, por edhe me pasoja në SHBA dhe Europë ku shitet sasia më e madhe e drogës, paratë e së cilës pastrohen në Shqipëri sipas mega-projektit "Albania Files" të prezantuar nga vetë Edi Rama.
Pra ky mega-projekt tregon se si përzgjidhen zhvilluesit e projekteve që do tjetërsojnë Shqipërinë dhe asgjësonin autenticitetin e saj e çdo element të mbetur identitar në aspektin kulturor, historik, arkitekturor, mjedisor.
Dhe më pas ndryshohen ligjet në Parlamentin (noter) për të shkatërruar zonat e mbrojtura, trashëgimitë kulturore e historike e çdo gjë, vetëm në funksion të pastrimit masiv të parave dhe shkombëtarizimin e popullit tonë.
Dhe kjo "shitet" si zhvillim i turizmit, ndërkohë që është shkatërrim i turizmit të qëndrueshëm që mbështetet te ruajtja e mjedisit, e identitetit, e vlerave të komuniteteve të cilat duhet të jenë edhe përfitueset e parë dhe afatgjatë.
Por turizmi ynë “meksikan” mbështetet te përkrahja e resorteve superluksozë që përjashtojnë shqiptarët nga çdo lloj konsultimi dhe përfitimi dhe i nxisin të shpopullojnë vendin përfundimisht.
Pra ky lloj turizmi “meksikan” është në kundërshtim të plotë me principet dhe politikat e zhvillimit të turizmit në Itali, Francë dhe Bashkimin Europian.
Ndaj është zgjuar edhe kjo revoltë e pandalshme në Shqipëri, por edhe për këtë arsye janë rritur reagimet ndërkombëtare kundër kësaj qeverie që nuk mund të mbrohet më.
Ndërkohë vërehet një agravim i protestës, ishte paqësore deri pak ditë më parë...
Protesta ishte dhe mbetet paqësore përballë një qeverie provokatore që nga dita e parë e në çdo moment.
Kërkesat e saj janë çështja kryesore ku duhet ruajtur fokusi dhe që hapin rrugën për daljen nga kjo krizë totale.
Ndryshimet kushtetuese që garantojnë një kod të ri zgjedhor, ku deputetin e zgjedh qytetari e jo ta emërojë kryetari i partisë, kufizimi me 2 mandate i Kryeministrit si në Hungari së fundmi, rishikimi i çdo ligji të ndryshuar në kundërshtim me direktivat europiane për zonat e mbrojtura, trashëgiminë kulturore, etj.
Ndalimin e projektit vrastar të shkatërrimit të Portit të Durrësit që e defaktorizon Shqipërinë në çdo aspekt gjeostrategjik, gjeoekonomik dhe rikthimi i llogaridhënies në çdo nivel janë emergjente.
Po kështu reforma administrative territoriale me konsensus dhe rikthimi i balotazhit për kryetarët e Bashkive i hap rrugën zgjedhjes së personaliteteve më të mirë, por edhe të pavarur në krye të Bashkive.
Po lidhur me çështjen tuaj, si priten zhvillimet?
Standardet e rrëmbimit tim kriminal të 21 Tetor 2024, janë vetë standardet e hetimit (manipulimit), gjykimit në kafaz herë si terrorist maroken e herë tjetër si vrasës serial ukrainas.
Por këto nuk habisin askënd dhe mua të parin.
Problemi është se 10-vjetori i miratimit të Reformës në Drejtësi ka një bilanc katastrofik në raport me premtimet e bëra për qytetarët tanë, për një drejtësi më të shpejtë, më të aksesueshme, më të drejtë dhe të standardeve europiane.
Ne jemi të përqëndruar te dokumentimi i çdo shkeljeje të procesit të rregullt ligjor dhe do të çmontojmë çdo pretendim, hamendësim dhe shpikje arbitrare të akuzës bazuar në standardet e përditësuara të jurisprudencës kushtetuese dhe jurisprudencës të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut që janë relevante me çështjen.
Çështja Meta është vetëm një komplot kundër sovranitetit të popullit shqiptar, të cilit i kërkohet të heshtë, të nënshtrohet ose të largohet nga Shqipëria për të mbetur pa Atdhe.
Kurrë s'mund të provohet asnjë lloj shkelje nga Ilir Meta dhe po kështu asnjë qindarkë e pajustifikuar.
Edhe pas 20 muajsh nga rrëmbimi im kriminal, ende s'jam pyetur nga Prokuroria, pavarësisht nga kallëzimi penal për këtë akt banditesk publik që krahasohet me rrëmbimin e Aldo Moros nga brigadat terroriste.
Kaq mjafton për t'i kuptuar të gjitha qëllimet mafioze.
© SYRI.net