Gazetarja e Syri TV, Marsi Korreshi, sjell nga mbledhja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike zhvillimet e para të konstituimit të këtij organi.
Mbledhja e Këshillit Kombëtar ishte mbledhja e parë pas zgjedhjes së tij nga Kuvendi i PD-së. Menjëherë pas fjalës përshëndetëse të liderit të opozitës Sali Berisha, i cili e cilësoi Këshillin Kombëtar si më cilësorin dhe më të fuqishmin që ka pasur Partia Demokratike pas procesit të ripërtëritjes së saj, u bënë publike emrat e kandidatëve për drejtimin e këtij organi, si edhe u prezantua ecuria e zgjedhjes së anëtarëve të Kryesisë së re të partisë.
Ky proces vjen në vijim të zgjedhjeve të brendshme në Partinë Demokratike, pas zgjedhjes së kryetarit, kryetarëve të degëve dhe anëtarëve të Këshillit Kombëtar. Sot pritet të zgjidhet Kryesia e re e partisë, ndërsa në vijim do të votohet edhe kryetari i Këshillit Kombëtar. Më pas, një tjetër mbledhje e këtij organi do të përmbyllë procesin e brendshëm zgjedhor, ku do të zgjidhen sekretariatet, përfshirë sekretarin e përgjithshëm dhe sekretarët organizativë.
Në këtë proces, për kryetar të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike janë propozuar dy kandidatura: Juliana Imeri dhe Silva Hasaj. Është vendosur që drejtimi i këtij organi t’i besohet një zonje, duke qenë se përfaqësimi gjinor ka qenë në qendër të procesit zgjedhor në PD. Anëtarët e Këshillit do të zgjedhin mes dy kandidateve të propozuara.
Risi e këtij procesi është përfshirja e grave dhe të rinjve në strukturat drejtuese. Në fletën e votimit do të ketë ndarje të veçantë për femrat, meshkujt dhe listën e të rinjve, ndërsa brenda listës rinore do të zgjidhen tre femra dhe tre meshkuj, me synim përfaqësim më të balancuar në organet drejtuese të Partisë Demokratike.
© SYRI.net