Kryetari i PD-së, Sali Berisha, ka informuar anëtarët e Këshillit Kombëtar se, Asambleja Politike e Partisë Popullore Evropiane (PPE) ka miratuar me unanimitet dy dokumente të rëndësishme për Shqipërinë, të cilat sipas tij mbështesin kërkesën e Partisë Demokratike dhe të lëvizjes rinore qytetare për krijimin e një qeverie teknike që do të përgatisë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD-së, Berisha u shpreh se Shqipëria ishte një nga temat kryesore të diskutimit në takimin e PPE-së në Vjenë, ku u shqyrtuan raporti i misionit faktmbledhës të zhvilluar në vend dhe rezoluta e dorëzuar nga Partia Demokratike.
‘Dje në Vjenë, në asamblenë e PPE, u miratua me unanimitet të plotë dy dokumente më të jashtëzakonshme se kurrë më parë për Shqipërinë’, tha Berisha, duke falënderuar presidentin e PPE-së, Manfred Veber, dhe drejtuesit e tjerë të kësaj force politike evropiane për mbështetjen ndaj kauzës së opozitës shqiptare.
Pjesë nga fjala e kryetarit të PD, Sali Berisha:
Të dashur miq, Këshilli Kombëtar i PD, që u votua në Kuvendin Kombëtar, përfaqëson frymën, direktivën e Kuvendit, motoja kryesore e të cilit ishte ripërtëritja.
Anëtarët e Kuvendit, të përgjegjshëm për votën e tyre, i dhanë PD-së dhe Shqipërisë Këshillin Kombëtar më të ripërtërirë.
Ripërtëritja është detyrimi ynë madhor.
Vetëm një forcë politike e ripërtërirë disponon të gjithë energjitë, të gjithë forcën, të gjithë vizionin, të gjithë potencialet për organizim dhe modernitet për të përmbushur misionin e saj.
Ndaj dhe unë kam besim të madh se ky organ do të vazhdojë në frymën e Kuvendit Kombëtar të PD.
Ndërkohë, duhet të theksoj se në një seri protestash, të organizuara nga dhjetori që kaloi gjer me 8 maj, ne ia dolëm ta plagosim përfundimisht regjimin e Edi Ramës.
Ne ia dolëm me protestat tona të dëshmojmë Shqipërinë tjetër, Shqipërinë që nuk pajtohej kurrë me narkoshtetin.
Shqipërinë që nuk pajtohej kurrë me korrupsionin dhe mburojën ne tij.
Shqipërinë që beson se integrimi në BE duhet të jetë një proces i merituar, një proces në të cilin qytetarët shqiptarë duhet të jenë më të lirë, më të mëkëmbur, të jenë më të sigurt.
Ne ia dolëm të paraqesim të vërtetën shqiptare para komunitetit ndërkombëtar.
Dje, zhvilloi punimet asambleja politike e Partisë Popullore Evropiane në të cilën morëm pjesë bashkë me Joridën, Albanën, Gentin dhe Enri Çenon.
Shqipëria pas Ukrainës ishte kryefjala e takimit.
Dokumentet e paraqitura për Shqipërinë, raporti i misionit faktmbledhës të ardhur në muajin shkurt në Shqipëri me kërkesën e PD, rezoluta e dorëzuar tre ditë më parë e PD, më dhanë mua mundësinë që në atë audiencë të bëj paraqitjen më të pazakontë që mund të ketë bërë njeri ndonjëherë.
Fjala ime iu kushtua organizatës kriminale, qeverisë shqiptare.
Dhe unë natyrisht nuk ishte e thjeshtë, por nuk mund të mos e thosha kur boshti i raportit dhe i rezolutës ishte boshti i një vendi me shtet të kapur nga krimi.
Dhe e pozicionova fjalën time, ia kushtova fjalën time betejës së PD me organizatën kriminale që drejton sot Shqipërinë me në krye Edi Ramën.
Pati vetëm vlerësime.
Pra, dje në Vjenë, në asamblenë e PPE, u miratua me unanimitet të plotë dy dokumente më të jashtëzakonshme se kurrë më parë për Shqipërinë.
Dhe me këtë rast i shpreh një mirënjohje të pakufishme presidentit të PPE, Manfred Veber, sekretares Dolores Montserat dhe të gjithë atyre përfaqësuesve të PPE që erdhën në Shqipëri për t’i parë gjerat në vend, gjëra të cilat nuk ndodhin as në Makondon e Garsia Markezit.
Si raporti, ashtu edhe rezoluta, kërkojnë një mbështetje të madhe për kërkesën e PD, por edhe kërkesën e lëvizjes rinore qytetare, krijimin e qeverisë teknike për përgatitjen e zgjedhjeve.
Pra, kuadri ligjor ndërkombëtar u votua dje.
© SYRI.net