Një thirrje e fortë dhe akuza të rënda janë ngritur ndaj institucioneve të drejtësisë, veçanërisht ndaj prokurorisë dhe organeve ligjzbatuese, për mungesën e theksuar të hetimeve proaktive në lidhje me krimet zgjedhore. Gjatë një raportimi të kreut të SPAK, deputeti demokrat Oerd Bylykbashi gjatë fjalës së tij ka theksuar se pasiviteti i prokurorisë ka lejuar ngritjen e një makinerie të mirëfilltë të manipulimit të votës, duke dëmtuar rëndë besimin e qytetarëve te procesi demokratik.
Kritikat u ndalën te justifikimet e vazhdueshme për mungesën e referimeve nga policia. Është bërë e qartë se nëse prokuroria do të vepronte me vullnetin maksimal, asnjë organ tjetër nuk do të mund t'i bëhej pengesë, velresoi Bylykbashi. Kjo situatë ka alarmuar edhe ndërkombëtarët, ku çdo raport i Bashkimit Evropian thekson mungesën e dënimeve për krimet zgjedhore dhe kërkon një "track record" apo gjurmë solide për goditjen e këtyre fenomeneve.
Sipas deputetit demokrat, thelbi i problemit qëndron te sistemi i famshëm i patronazhimit, i cili nuk shërben thjesht për të numëruar votat, por për kontrollin absolut të zgjedhësit. Qytetarët profilizohen bazuar në nevojat dhe hallet e tyre, për t'u shantazhuar dhe intimiduar deri në palcë. Ky presion ka çuar në lindjen e një fenomeni edhe më të rrezikshëm se blerja e votës: mosvotimi me dhunë apo pagesë, një tjetërsim i hapur i vullnetit të lirë që dhunon drejtpërdrejt Kushtetutën.
Përtej intimidimit të qytetarëve, një tjetër skandal i përmasave masive është përdorimi i burimeve shtetërore. Skema përfshin hapjen e tenderave në muajin shtator dhe ekzekutimin e tyre pikërisht në prag të zgjedhjeve, duke anashkaluar çdo ndalim ligjor. Kjo praktikë përbën një pushtim të pastër të shtetit për interesa elektorale.
Oerd Bylykbashi: … Sigurisht që mund të jetë krejt legjitim pretendimi që policia nuk na vë ne kushte për të ecur më tutje me hetime efikase dhe vënien para drejtësisë së personave. Dhe këto janë problematika që lidhen me aspekte të tjera që ndoshta janë jashtë, por nëse prokuroria do ta bëjë me maksimumin e vet atë që ka, besoj që edhe policia do ta ketë të vështirë apo çdo organ tjetër ligjzbatues do ta ketë të vështirë që t'ju thotë juve jo. Sa më shumë ne i afrohemi etapave të integrimit evropian aq më e fortë ka për të qenë kërkesa. Jo më kot po del në çdo raport të Bashkimit Evropian, qoftë i Parlamentit, qoftë i Komisionit, po del çështja e zgjedhjeve. Dhe zgjedhjet nuk kanë funksionuar për shkak se komisionet nuk janë apolitike. Zgjedhjet kanë shkuar keq kryesisht për të gjitha ato vepra penale dhe shkelje, edhe të nivelit administrativ, të cilat kanë dërmuar zgjedhjet para ditës së zgjedhjeve. Jo ditën e zgjedhjeve. Kështu që roli juaj dhe ndryshimi i qasjes që do vijë nga prokuroria, qoftë e nevojshme edhe nëpërmjet shtimit të burimeve, të instrumentave po edhe trajnimeve, është shumë i rëndësishëm. Nuk mund të vazhdohet më tej. Nëse do të kish qenë goditja efikase, ata njerëz që janë sot në shesh nuk do të ishin aty.
Do të ishin për arsye të tjera, po jo për atë. Sepse tashmë njerëzit kanë humbur besimin që zgjedhja është instrument ku vullneti prodhon ndryshim. Dhe në qoftë se ndëshkueshmëria do të ishte e lartë, një pjesë e këtij problemi sot nuk do të ishte. Unë do t'jua bëj si pyetje, po është dhe sugjerim. Në kuadër të bashkëveprimit po edhe të transparencës, po edhe të efikasitetit. Të optimimit të informacionit nga raporti në raport vjetor që bëni ju, nga institucioni në institucion, e humbet mundësinë për ta ndjekur dhe nëse ka një gjë që ta thonë gjithmonë partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë është solid ‘track record’. Pra një gjurmë solide e asaj që është bërë, pra ku jemi, me, sa kallëzime ka, sa procedime ka, arsyet pse janë mbyllur apo ku janë, në çfarë faze janë, kush është dënimi, kjo është e rëndësishme që njerëzit të kenë informacionin e plotë për të kuptuar institucionet e ligjzbatimit, janë aty ku kërkohet nga ligji apo nuk po ndodh gjë. Dhe unë besoj, po po jua bëj dhe si pyetje, që ndoshta juve jeni organi i cili mundet të jetë repozitori i një baze të dhënash e cila mban të qartë të gjitha këto elemente. Kjo nuk do të zgjidhë problemin e krimit zgjedhor. Por do të jetë më e qartë për të gjithë për të parë çfarë po ndodh, qoftë ne këtu si politikë, qoftë opinioni publik, qoftë shoqëria civile po dhe ndërkombëtarët.
Ku është Shqipëria në lidhje me këtë çështje? Kështu që pra pyetja ime është a është prokuroria e përgjithshme në gjendje që në koordinim edhe me institucionet e tjera të mbajë një bazë të qartë të gjithë këtyre momenteve të hetimit dhe goditjes dhe ndëshkimit të krimit zgjedhor. E dyta. Jam drejtues politik i fushatës zgjedhore, isha në fushatën e fundit zgjedhore të vitit 2025 në qarkun ndoshta më të nxehtë përsa i përket krimit zgjedhor. Ose ndër më të nxehtit. Për shkak të kombinimit të disa faktorëve bashkë. Jo vetëm një tradite të ndërtimit të sistemit të patronazhimit që është nga themelet aty. Kontrolli kapilar i zgjedhësit. Jo kontrolli i votës në numërim. Kontrolli i zgjedhësit më përpara. Duke mbledhur të gjithë informacionin për të, duke profilizuar zgjedhësin me nevojat dhe hallet që ka, për t'i ofruar më pas atë që ai ka nevojë ose për ta intimiduar deri në palcë. Në mënyrë që ai të votojë ose të mos votojë. Një nga fenomenet më të rënda që po zhvillohet në procesin zgjedhor shqiptar është mosvotimi me para apo me dhunë. Që është blerje ose mohim i të drejtës së votës.
Është më keq se blerja e votës. Dhe numrat po rriten nga zgjedhja në zgjedhje. Godasin opozitën sigurisht. Po ta heqim aspektin politik, është dhunim thelbësor i kushtetutës. Tani ka dhe një element, vërtet që për arsye nga më të ndryshmet ata që bëjnë kallëzime tek ju aq dinë, aq kuptojnë, aq të dhëna marrin. Por gjithë ky mekanizëm gjigant që vihet në lëvizje qoftë si korrupsion zgjedhor apo krime të tjera zgjedhore, në një periudhë kaq të ngushtë, për të qenë efikas duhet të jetë masiv. Duhet të jetë shumë aktiv. E për rrjedhojë i lë gjurmët në të gjithë cepat e mundshëm dhe nuk është shumë e vështirë që në mënyrë proaktive prokuroria ta godasë këtë dhe mbas një apo dy palë zgjedhjesh në mënyrë efikase problemi bie në mënyrë të konsiderueshme. Pra nuk ka nevojë me prit patjetër. Dhe ajo që jemi ndeshur ne duke filluar nga Durrësi, po kolegët e mi mund të flasin për qarqet e tjera, është pushtimi i shtetit në mënyrë të vazhdueshme ndër vite. Përdorim masiv i burimeve shtetërore. Tendera që hapen në shtator dhe ekzekutohen në javën e fundit të zgjedhjeve. Pra anashkalimi që i bëhet ndalimit ligjor, është shumë e thjeshtë për të gjetur, unë besoj që nuk është e vështirë për ju, që të gjenden me vullnet ato dispozita penale të cilat duke goditur në momentet kyçe të përdorimit të burimeve shtetërore nga zyrtarët e lartë shtetërorë, drejtues, qoftë dhe që s'janë në kompetencën e SPAK-ut, duke i goditur ju ato nyje, ky sistem nuk ecën dot. Pra sistemi i kontrollit të zgjedhjeve. Problemi kryesor që po del në zgjedhje është pushtimi, jo përdorimi i shtetit…
© SYRI.net