13 vite pa mbrojtje për prodhuesit vendas, tani qeveria propozon të bëhet blerësi i fundit i fermerëve

13 vite pa mbrojtje për prodhuesit vendas, tani qeveria propozon të bëhet blerësi i fundit i fermerëve

13:04, 01/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Qeveria do të krijojë për herë të parë një mekanizëm që i lejon shtetit të blejë produkte bujqësore kur tregu përballet me kolaps çmimesh ose kriza të furnizimit. Modeli, i marrë nga Politika e Përbashkët Bujqësore e Bashkimit Europian, synon të mbrojë të ardhurat e fermerëve dhe të zbusë luhatjet e tregut.

Projektligji “Për organizimin e tregut të produkteve bujqësore dhe praktikave të padrejta tregtare” përcakton se “ndërhyrja publike” është mekanizmi… me anë të të cilit produktet bujqësore blihen nga Agjencia e Pagesave, ruhen dhe shpërndahen prej saj”, duke krijuar për herë të parë një bazë ligjore që shteti të veprojë si blerës në situata të jashtëzakonshme.

Drafti përcakton qartë edhe rastet kur ky mekanizëm mund të aktivizohet. Sipas tij, “çrregullim i tregut” është gjendja kur tregu nuk funksionon normalisht “për shkak të rënies së ndjeshme dhe të qëndrueshme të çmimeve nën nivelet historike të zakonshme, të mbiprodhimit, të ndërprerjes së konsiderueshme në kërkesë ose ofertë”, duke cenuar të ardhurat e prodhuesve ose furnizimin e tregut.

Në rastet më të rënda, projektligji njeh edhe konceptin e “çrregullimit të rëndë të tregut”, i cili mund të vijë nga sëmundje epizootike, humbja e besimit të konsumatorëve për arsye të shëndetit publik apo ngjarje klimatike ekstreme.

Në praktikë, shteti do të mund të blejë grurë, misër, elb, oriz, mish gjedhi, gjalpë dhe qumësht pluhur, ndërsa produktet do të ruhen ose do të shpërndahen më pas sipas nevojës. Drafti parashikon se “produktet e blera në kuadër të ndërhyrjes publike ruhen, shiten ose shpërndahen”, duke garantuar njëkohësisht që “të mos krijohet çrregullim i tregut” dhe të respektohet trajtimi i barabartë i operatorëve.

Përveç blerjeve direkte, qeveria propozon edhe një instrument të dytë: subvencionimin e magazinimit privat. Drafti e përkufizon atë si “kompensimi financiar që u jepet operatorëve privatë për ruajtjen e produkteve bujqësore për një periudhë të caktuar”, ndërsa ndihma do të mbulojë produkte si vaji i ullirit, djathi, mishi, gjalpi dhe qumështi pluhur.

Paketa nuk kufizohet vetëm te menaxhimi i krizave. Projektligji vendos standarde të detyrueshme për tregtimin e produkteve bujqësore, duke kërkuar që ato të respektojnë rregulla për cilësinë, klasifikimin, etiketimin dhe origjinën përpara se të dalin në treg. Qeveria argumenton se kjo do të rrisë transparencën dhe do ta afrojë tregun shqiptar me standardet europiane.

Një tjetër ndryshim me ndikim të drejtpërdrejtë për bizneset është ndalimi i praktikave të padrejta tregtare. Sipas relacionit shoqërues, projektligji “transpozon në mënyrë gjithëpërfshirëse parimin e ndalimit të praktikave të padrejta tregtare” dhe zgjeron mbrojtjen për të gjithë furnizuesit, pavarësisht madhësisë së tyre.

Po ashtu, drafti krijon bazën ligjore për organizatat e prodhuesve, me synimin për të forcuar fuqinë negociuese të fermerëve, si dhe parashikon raportim të organizuar të çmimeve dhe sasive në treg për të rritur transparencën.

Në relacionin shoqërues, qeveria argumenton se reforma vjen si përgjigje ndaj “mungesës së instrumenteve të ndërhyrjes në treg në rast çrregullimesh” dhe “asimetrisë së theksuar në fuqinë negociuese ndërmjet prodhuesve dhe blerësve”, dy nga problemet që, sipas autorëve të draftit, kanë penguar zhvillimin e tregut bujqësor shqiptar./ Monitor/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco