Një skemë e mirëfilltë korruptive dhe klienteliste duket se fshihet pas investimeve të trumbetuara në zonat e mbrojtura të Sazanit dhe Zvërnecit. Ndryshimet e fundit ligjore për zonat e mbrojtura nuk kanë qenë të rastësishme, por të projektuara me kujdes për t'i hapur rrugë një pazari të parapërgatitur nga qeveria shqiptare.
Blendi Himçi, deputet i Partisë Demokratike gjatë një bisede me Flavio Qarrin ne “Kafe Shqeto” ne Syri tv tha se ligji i vitit 2024 që ndryshoi hartën e zonave të mbrojtura, u bë me qëllim të posaçëm për të tjetërsuar Zvërnecin. Kjo lëvizje u parapri nga takime të fshehta në Aruba dhe nga nisma ligjore të njëpasnjëshme që nisën që në vitin 2021. Për këto ligje të dedikuara, të cilat në raste të tjera kanë çuar para drejtësisë krerët e opozitës, kryeministri aktual nuk po përballet me asnjë pasojë juridike.
Sipas deputetit demokrat kryeministri po e përdor territorin e Shqipërisë si një "bajrak" për të bërë qoka dhe për të blerë influencë ndërkombëtare, me qëllimin e vetëm mbrojtjen e pushtetit të tij. Ky vallëzim i rrezikshëm diplomatik, ku dyshohet se tentohet të korruptohet çdo faktor ndërkombëtar, rrezikon të sjellë pasoja të rënda, ndërkohë që balancat politike dhe raportet me aleatët strategjikë po ndryshojnë dita-ditës.
Flavio Qarri: Jo vetëm u bëmë kryefjalë, po u futëm më duket në një ngatërresë shumë më të madhe se ç'mund të përballojë ky vend yni i bukur, por i vogël?
Blendi Himçi: Flavio, unë e kam thënë në krye të herës, që para një muaji kur filloi protesta e parë e Zvërnecit me banorët e Zvërnecit dhe me dhunën që ushtrua ndaj banorëve nga policia private, e kam thënë në parlament dhe qëndrimi im ka qenë një dhe vetëm një. Duhet të shikojmë që detyra kryesore e parlamentit, përveç aspektit të ligjvënies, është dhe çështja e transparencës. Dhe sot që ne flasim, jemi ende të paqartë, e gjithë shoqëria civile, kuvendi, se çfarë fshihet pas Zvërnecit. Dhe gjëja e parë që kam kërkuar është çështja e transparencës. Janë disa të dhëna. Në 2023-shin një nga iniciativa e një grupi deputetësh, filloi nisma për ndryshimin e zonave të mbrojtura, duke e kthyer atë në 5-9 zona. Dhe me ligjin e 2024-ës, sigurisht beteja ka qenë shumë e madhe, ka shkuar dhe në Gjykatë Kushtetuese, çfarë do të thoshte që qe projektuar Zvërneci, nga pazare të Edi Ramës dhe gjithë shpurës së tij, pasi i kishin vënë syrin Zvërnecit. Dhe ky pra ishte një ligj i dedikuar dhe i posaçëm.
Flavio Qarri: Kjo ishte një aferë e zakonshme e jona.
Blendi Himçi: Aferë e jona e zakonshme. Po ndërkohë që kemi të marrë të pandehur liderin e opozitës, sepse ka nxjerrë një ligj të dedikuar, kemi sot zotin Meta i cili është marrë përsëri i pandehur sepse ka nxjerrë një ligj të dedikuar për minierat, dhe në këtë rast besoj që duhet të ishte dhe vetë Rama në këtë njëjtin status, sepse vetë faza, do të thoja e mënyrës se si e ka ndërtuar dhe projektuar nismën ligjore, dhe më pas në 2023-shin ndodh takimi në Aruba. Dhe Zvërneci ka qenë pjesë e diskutimit në Aruba. Ishte në hartën e tryezës. Në hartën e tryezës. Dhe më pas në 2024-ën na ndodh që ligji na u ndryshoka. Na ndodh që qeveria na paska dhënë tre leje. Por. Por mos harrojmë, ka diçka... ka pra, ka hije të shumta dyshimi që përdoret emri i Kushner.
Flavio Qarri: Ok, këtu dua të vijmë. Si u fut në valle? Si e përdorën?
Blendi Himçi: Tani, gjithmonë Rama gjen momente për ta trajtuar Shqipërinë si pjesë të bajrakut të tij, si pajë, dhe ku do të japë një hise, ku do të bëjë një qokë, dhe sigurisht sugjerimet kanë qenë të Ramës qoftë për ofrimin për Zvërnecin, qoftë dhe ofrimin për sa i përket ishullit të Sazanit. Pra ka qenë e ofertuar kjo ndaj Kushner, për të ardhur dhe për të bërë investimin. Ndërkohë që paralelisht ka dashur të mbulojë aferën e Zvërnecit. Mos harrojmë! Ka problematika të mëdha. Në këtë lloj kompanie investimi, kemi kompani guackë. Pra, njëra është kompani nga Katari dhe kompania tjetër është një kompani holandeze. Në kompaninë guackë holandeze, ekzistojnë emrat e katër ortakëve shqiptarë, të cilët sot e kësaj dite që ne flasim, ende nuk dihen kush janë këta shqiptarë. Dhe ne kërkojmë transparencën, si kuvend i Shqipërisë, si deputetë, ndaj ekzekutivit. Dhe ekzekutivi nuk na e bën të ditur këtë. Dhe këtu përsëri jemi para një situate të parave të pista që kërkojnë të investohen në Zvërnec. Ndërkohë, emri i Kushner është një emër i cili kërkon të përdoret si fasadë për të mbuluar aferat korruptive dhe pastrimin e parave.
Flavio Qarri: Për të kuptuar pak vallëzimin dhe piruetat e kryeministrit. E futi Kushnerin që t'i gjente telin Trumpit se premtoi që do t'ia priste kokat kujtdo në atë kopshti? Apo e futi Kushnerin me joshje, me shpresën se do t'i prishte punë Trumpit për llogari të Sorosit? Ju si e shihni këtë lloj...
Blendi Himçi: Unë më shumë e shikoj si pjesë të interesave personale të Edi Ramës, për të sigurisht për të mbrojtur pozicionin e tij korruptiv qoftë brenda Shqipërisë po qoftë dhe në arenën ndërkombëtare. Dhe nga ana tjetër mendoj që Rama gjithmonë është njeriu që kërkon të korruptojë çdo njeri që i vjen përballë. Dhe kjo rasti i korrupsionit me ndërkombëtarët nuk është rasti i parë, domethënë për të ofruar, është edhe raste ku ka ndodhur edhe me përfaqësues diplomatikë në Shqipëri, të cilët kanë mbajtur qëndrime qoftë edhe jashtë kontekstit të diplomacisë apo të një anshme, vetëm e vetëm në situata të tilla të cilat, vetëm për të mbrojtur pozicionin e Edi Ramës. Në qoftë se ju kujtohet ishte ambasadorja Yuri Kim se çfarë tha për Shqipërinë, për opozitën të hanin bar. Sot që ne flasim, është heqja e non-gratës për liderin e opozitës dhe ishte e pakthyeshme, dhe para katër vjetësh i gjithë populli mendonte që kjo histori ishte mbaruar dhe kjo luftë ishte e kotë, dhe sot ne flasim në një situatë krejt tjetër. Pavarësisht se mediat pranë Ramës mundohen ta sfumojnë këtë aspekt, por mos harrojmë kjo është një arritje goxha e madhe, duke e vlerësuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës liderin e opozitës si një partner të rëndësishëm dhe për interesat kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës…
© SYRI.net