Marshimi i protestuesve në Tiranë po vijon me intensitet , ndërsa turma e qytetarëve ka mbuluar pothuajse të gjithë gjatësinë e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Pas ndalesave në disa prej pikave kryesore të kryeqytetit, protestuesit janë rikthyer në bulevard, duke krijuar një kolonë të gjatë njerëzish që shtrihet përgjatë aksit kryesor të Tiranës. Thirrjet “Rama jepe dorëheqjen” dhe sloganet kundër qeverisë vijojnë të dëgjohen vazhdimisht, teksa marshimi avancon drejt qendrës së qytetit.
Pjesëmarrja e lartë ka bërë që bulevardi të mbushet në të gjithë gjatësinë e tij.
Në mesin e turmës vihen re familjarë, të rinj, pensionistë, por edhe qytetarë që ndjekin marshimin me biçikleta dhe motoçikleta. Ndërkohë, drejtues të shumtë automjetesh kanë shprehur mbështetjen e tyre me sinjale zanore përgjatë itinerarit.
Aktualisht, protestuesit nuk kanë mbërritur ende para godinës së Kryeministrisë, ndërsa marshimi vijon të lëvizë përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Mbetet për t’u parë nëse ndalesa e radhës do të jetë selia e qeverisë apo nëse organizatorët do të zgjedhin një tjetër destinacion në vazhdën e protestës që ka marrë disa drejtime të papritura gjatë mbrëmjes.
© SYRI.net