Po zhvillohet në këto momente protesta e 22-të e qytetarëve shqiptarë, ku pjesëmarrësit po kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë së tij.
Gjatë tubimit, fjalën e mori një prej folëseve, e cila u shpreh e emocionuar nga pjesëmarrja e qytetarëve në shesh.
“Më bëhet shumë qejfi që e shikoj këtë shesh plot! Dhe unë këtu jam, jo për karrige, jo për ofiqe, jam këtu si një qytetare e thjeshtë. Si një nënë, si një grua, që me thënë të drejtën e nxjerr bukën e gojës me shumë mund. Jemi lodhur nga padrejtësitë, nga premtimet boshe dhe nga heshtja përballë problemeve të njerëzve të thjeshtë. Duam një shtet që e respekton qytetarin. Nuk kërkojmë privilegje, kërkojmë drejtësi, barazi dhe një të ardhme për fëmijët tanë”, deklaroi ajo.
Në fjalën e saj, protestuesja ngriti shqetësime edhe për gjendjen e pensionistëve, sistemin shëndetësor dhe largimin e të rinjve nga vendi.
“Të kthehet dinjiteti i pensionistëve, të shikojmë spitalet dhe rinia të mos ikë. Mos të shkojë rinia ta kërkojë shpresën në botë. Shqipëria është e jona dhe nuk e shet dot askush sa të jemi ne”, tha ajo.
Duke vijuar mesazhin e saj para të pranishmëve, folësja theksoi se ndryshimi varet nga qytetarët dhe bëri thirrje për vazhdimin e protestave.
“Shqipërinë tonë askush nuk e shet dot. Jo Edi Rama që është i përkohshëm. Edi Rama nga ne është atje dhe ne do e heqim. Uroj që në këtë protestë të mos dorëzoheni asnjëherë. Ne jemi fuqia e këtij vendi. Faleminderit!”, përfundoi ajo.
© SYRI.net