Po zhvillohet në këto momente protesta e 22-të e qytetarëve shqiptarë, ku pjesëmarrësit po kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë së tij.
Gjatë tubimit, një prej folësve iu drejtua kryeministrit Rama, duke kërkuar që ai të largohet nga posti dhe duke e krahasuar situatën me dorëheqjen e kryeministrit britanik.
“Zoti kryeministër, këto ditë nga frika nuk ke pasur mundësi të dëgjosh politikën, të dëgjosh lajmet ndërkombëtare. Unë po të them kështu, edhe po se pa të dëgjuar ju: kryeministri britanik u dorëhoq. Ndaj kujt? Kurrë. Edhe sa krime do të bësh që të marrësh shembullin e kryeministrit britanik?”, u shpreh folësi nga podiumi.
Ai vijoi duke i bërë thirrje Ramës që të dalë përpara qytetarëve dhe të japë dorëheqjen.
“Të lutem, për herë të parë në jetën tënde, dil këtu para shqiptarëve dhe thuaju që i vetmi nder që të ka ngelur t’ua bësh këtyre njerëzve është të japësh dorëheqjen, si çdokush”, tha ai.
Sipas tij, çdo individ e shkruan vetë historinë e tij dhe dorëheqja do të ishte një vendim që do të ndikonte në mënyrën se si do të kujtohej qeverisja e tij.
“Këto qindra emigrantë që kanë ardhur sot në këtë shesh, bashkë me mua që vij nga Londra, janë vetëm për të dhënë sinjalizimin e parë dhe për të paralajmëruar. Nëse ju nuk dorëhiqeni, besoje jo tek qindra mijëra njerëz që ti mendon se të kanë mbështetur, por këtu do të bëhen tre milionë”, deklaroi folësi.
Ai përfundoi fjalën e tij me një tjetër thirrje për largimin e kryeministrit: “Shqiptarët do të vijnë në këtë shesh, por për ju do të jetë shumë vonë. Shumë vonë. Dorëhiqu. Mirupafshim.”
© SYRI.net