Në ditën e 22-të të revoltës qytetare, marshimi i protestuesve ka marrë një drejtim të papritur. Ndonëse plani fillestar ishte që qytetarët t'i drejtoheshin sheshit "Nënë Tereza", një mobilizim i çastit ka ndryshuar tërësisht rrjedhën e ngjarjeve, duke devijuar turmën drejt zonës së Toptanit për t'u ndalur përballë godinës së parlamentit. Ky institucion kthehet sërish në shënjestrën e protestuesve, duke rikujtuar tensionet e seancës së të enjtes gjatë votimit të amnistisë penale.
Gjatë asaj dite u shënuan përplasje të qytetarëve me deputetët e mazhorancës, të cilët, ashtu si vetë kreu i qeverisë, u detyruan të zgjedhin dyert anësore për të shmangur përballjen e drejtpërdrejtë me masën e njerëzve.
Tashmë, qytetarët janë grumbulluar para dyerve të parlamentit duke kërkuar me ngulm dorëheqjen e kryeministrit. Nën thirrjet e vazhdueshme dhe të forta "Parlament i krimit!", mbështetësit e opozitës i bëjnë jehonë denoncimeve publike mbi përfshirjen e figurave të lidhura me krimin e organizuar në listat zgjedhore të partisë në pushtet.
Në marshim theksohet një pjesëmarrje e gjerë qytetare që përfshin familjarë e fëmijë, ndërsa shumë e ndjekin lëvizjen përmes biçikletave dhe motoçikletave. Pas ndalesës para godinës shtetërore, mbetet e paqartë nëse turma do të qëndrojë gjatë aty, apo nëse itinerari do të vijojë drejt godinës së kryeministrisë.
© SYRI.net