Sa më shumë shqiptarë dalin në rrugë dhe kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe protesta merr përmasa gjithnjë e më të mëdha, aq më të frikësuar e gjejnë socialistët veten.
Kryetari i grupit PS, Taulant Balla sulmoi sërish sot agjencinë ndërkombëtare të lajmeve Reuters e cila transmetoi live protestën e zhvilluar në Tiranë kundër projektit turistik që parashikohet të ndërtohet në zonën e Zvërnecit dhe pranë peizazhit të mbrojtur Vjosa-Nartë por dhe shprehin pakënaqësitë nga keqqeverisja e korrupsioni qeveritar.
“Si mund të bëhej një vend i vogël si i yni një lajm global? Si mund të jetë një protestë lokale, tek e cila sot ka edhe më pak se dy mijë pjesëmarrës, në një spektakël ndërkombëtar që e bën Reuters ta transmetojë live? Këta me përkushtimin “profesional” të mos e lëvizë planin majtas ose djathtas, sepse aty mbaron edhe prezenca e pjesëmarrësve. Pastaj shikojeni titullin që vendoset, për të kuptuar se nuk ua ndjen për Zvërnecin, as për Shqipërinë, për këta “aktorët” pjesëmarrës në këtë teatër pa kuptim jo e jo. Kanë hall tjetër. PA KOMENT.”

Por ky nuk është rasti i vetëm, Taulant Balla, ish-ministër, aktualisht kryetar i grupit parlamentar të PS-së, publikoi pak ditë më parë foton e një makine me targa serbe në Zvërnec, duke pretenduar se bëhej fjalë për ‘serbë’ të cilët kishin ardhur për të komplotuar kundër qeverisë së Ramës. Por makina me targa serbe nuk i takonte asnjë grupi të dyshuar por ishin mjetet zyrtare të zyrës rajonale të Ballkanit të agjencisë Reuters, e cila ka dërguar ekipe gazetarësh për të raportuar nga protesta shqiptare, ngjarje që ka tërhequr shumë vëmendjen e mediave ndërkombëtare.
Madje gjigandi mediatik kishte bërë dhe një shkrim për protestat "Revolucioni i Flamingove" ku ishte marrë dhe prononcimi I Ramës I cili ishte shprehur I vendosur se projekti nuk ndalet.
Në raportimet e saj, Reuters thekson se mijëra qytetarë, aktivistë të mjedisit dhe përfaqësues të shoqërisë civile kanë dalë në rrugët e kryeqytetit për të kundërshtuar projektin miliarda eurosh të lidhur me investitorë të huaj, duke ngritur shqetësime për ndikimin që ai mund të ketë mbi ekosistemin e zonës së mbrojtur.
Pamjet e transmetuara live tregojnë protestues me pankarta dhe flamuj kombëtarë, ndërsa kërkojnë ndalimin e projektit dhe mbrojtjen e vijës bregdetare të Zvërnecit. Protesta ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare, me Reuters që i ka kushtuar raportime të posaçme dhe transmetim të drejtpërdrejtë zhvillimeve në Tiranë.
© SYRI.net