‘Burg, burg është stili i Ramës, o çuna!’

‘Burg, burg është stili i Ramës, o çuna!’

13:42, 08/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Agim Xhafka

Që në krye po përsëris atë që kam thënë këto 8 ditë. Protesta ma ka bërë zemrën mal. Më ka gëzuar, ngazëllyer, përlotur dhe shpresuar. Kam qënë vetë ca ditë te sheshi dhe jetova on-line atë lumturi që pata dhe më 1990 e më 1992. Syri sheh rini, bukuri mençuri. Ndaj më gufoi zemra e më urdhëroi të them ca fjalë zemre.

Shpresoja së pari që te slogani i ditës mos shihja e mos dëgjoja fjalën burg. Në një protestë rinie nuk ze vend organikisht kjo fjalë. Është stili i Ramës. Që 13 vjet rresht qeverisi me burg, burg e si produkt na la vendin më të varfër në Evropë. Një retorikë që e lyen me ngjyrë të zezë shpresën që po ndjen e që po pret shqiptari. Ndërsa kritikohet qeverisja se ka ndërtuar institucione që i komandon Rama aludohet që atë mision ta kryejnë ata që do të dalin në drejtim të Shqipërisë nga kjo pakënaqësi masive. Çështja e arrestimit, e burgosjes, e dënimit u takon prokurorive, gjykatave. Mbështetet mbi prova, fakte, dokumenta. A ka të tilla? Supozohet që po. E ndjejmë përditë që po. Pra mund të kërkohet llogari për zvarritje, për fshehja të aferave, por linçimi mes bulevardit është i një kohe që na dhunoi, na dëmtoi e i dhamë dërmën në vitet ‘90.

Protesta më ngroh shpirtin. Dorëheqja e Ramës do të çlirojë ujin e shpresës. E ka kapur kuçedra që grabit çdo minutë. Pres që ky mision hyjnor të plotësohet. Një sahat e më parë. Ndërsa thirrja burg, burg më duket apandecit në trupin rinor. Duhet hequr. E di që zemërimi është në kulm. E di që mllefi nuk mbyllet nga logjika. Por ja që ditët po shtojnë pjesëmarrësit në protestë dhe po forcojnë arsyen. Që të mos ndodhë si ky dialog i thjeshtë mes brezave:

-O ma, ti nuk di fare si përdoret kompjuteri!

-Edhe ti bir nuk dije fare si përdorej luga.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco