Një vendim i Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) ka rikthyer në vëmendje çështjen e mandatit të kryebashkiakut të Kuçovës, Kreshnik Hajdari. Në mbledhjen e zhvilluar së fundmi, KAS vendosi me votim unanim 5 me 0 që dosja t’i rikthehet për shqyrtim Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, pa marrë një vendim përfundimtar mbi çështjen.
Vendimi ka ngjallur reagime të forta, veçanërisht nga ish-kandidati për kryebashkiak të Kuçovës, Lefter Maliqi, i cili e cilësoi këtë lëvizje si një “blerje kohe” dhe “manovër politike me mbrojtje oligarkike”.
Sipas Maliqit, rasti i Hajdarit përbën një situatë të pazakontë në raport me zbatimin e ligjit të dekriminalizimit në Shqipëri. Ai pretendon se çështja është zvarritur prej vitesh në institucione të ndryshme, përfshirë SPAK, gjykatat administrative dhe institucionet zgjedhore.
“Është rasti i vetëm në Shqipëri ku një subjekt i ligjit të dekriminalizimit mbahet zvarrë nga një institucion në tjetrin. Nuk ka asnjë rast tjetër ku një kandidat që ka gënjyer në formularin e dekriminalizimit të ketë vazhduar të ushtrojë detyrën”, deklaroi Maliqi pas përfundimit të seancës.
Ai solli në vëmendje edhe raste të mëparshme të figurave publike që humbën mandatet ose kandidaturat për shkak të problemeve me formularët e dekriminalizimit, si Valdrin Pjetri, Elvis Rroshi dhe Agim Kajmaku.
Në deklaratën e tij, Maliqi akuzoi gjithashtu se Hajdari po mbrohet për shkak të interesave politike dhe korruptive, ndërsa theksoi se do të vijojë betejën ligjore përmes kallëzimeve të depozituara në SPAK. Sipas tij, kryebashkiaku i Kuçovës ndodhet nën hetim për disa çështje dhe ndaj tij janë paraqitur 11 kallëzime të tjera.
Maliqi:
Sot KAS-i pasi shqyrtoi në themel çështjen, ia riktheu Komisionerit Qendror të Zgjedhjeve për të marrë vendim. Unë e kam thënë dhe e them që kjo është thjesht një blerje kohe, një manovër politike me mbrojtje oligarkike edhe politike.
Rasti i vetëm në Shqipëri që mbahet zvarrë sa në një institucion në një institucion, sa në SPAK, në Gjykatën e Lartë, Gjykatat Administrative, KAS, e me radhë. Është për t'u habitur, nuk ka asnjë rast të vetëm në të gjithë Shqipërinë në bazë të ligjit të dekriminalizimit ku një kandidat për kryetar bashkie apo për deputet, i cili ka gënjyer në formularin e dekriminalizimit, pavarësisht masës së dënimit, që të ketë ushtruar detyrën.
Të gjithë rastet e fundit kanë qenë Kajmaku, Valdrin Pjetri, Rroshi e shumë këshilltarë e kandidatë për kryetarë bashkie e të tjerë gjë që mediat i kishin e i dini.KAS-i vendosi në mënyrë unanime 5 me 0 rikthimin për vendim te Komisioneri Qendror i Zgjedhjeve. Nuk e di nëse Gjykata Administrative mund të bëjë ndonjë pasiguri, padije, por unë dua t'ju them të gjithëve që unë thjesht po bëj betejën morale dhe ligjore se e di shumë mirë që ligji apo oligarkia po e mbron atë Hajdarin e famshëm për shkak të interesave korruptive.
Por unë moralisht po vazhdoj betejën edhe me kallëzimet në SPAK, për të drejtën, në mënyrë që ky kryebashkiak abuzues, nën hetim nga SPAK, i dënuar nga SPAK dhe nën hetim për 11 kallëzime të tjera që unë kam bërë, vazhdon cirku i mbrojtjes oligarkike dhe politike sepse prandaj jemi në këtë gjendje sot, ku të rinjtë kanë marrë në dorë fatet e vendit për të rrëzuar këtë narkoshtet që nuk njeh as ligj, as drejtësi, as pronë, asgjë. Faleminderit.
© SYRI.net