Fondacioni për Liri dhe Demokraci (FLD), fondacioni zyrtar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, u vlerësua me çmimin prestigjioz nga Wilfried Martens Centre for European Studies, fondacioni politik zyrtar i Partisë Popullore Europiane (PPE).
Ceremonia e ndarjes së çmimit u zhvillua gjatë Konferencës Vjetore “THINK-IN 2026” të Martens Centre, “The Western Balkans and Europe’s Strategic Future: Enlargement, Security and Resilience”, e cila për herë të parë në historinë e saj u organizua jashtë vendeve të Bashkimit Europian, në Shqipëri, në datat 4–6 qershor 2026.
Ky vlerësim përbën një njohje të rëndësishme për kontributin e FLD në promovimin e vlerave demokratike, pjesëmarrjes qytetare dhe forcimin e kulturës politike europiane në Shqipëri. Në të njëjtën kohë, organizimi i konferencës në vendin tonë dërgoi një mesazh të qartë mbi rëndësinë e perspektivës europiane të Shqipërisë dhe rajonit, duke theksuar se procesi i zgjerimit të Bashkimit Europian duhet të mbështetet mbi meritën, reformat e qëndrueshme dhe përmirësimin real të jetës së qytetarëve.
Konferenca mblodhi mbi 60 përfaqësues nga fondacione politike të vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe u drejtua nga Presidenti i Martens Centre, Mikuláš Dzurinda, ish-President dhe ish-Kryeministër i Sllovakisë.
Fondacioni për Liri dhe Demokraci u përfaqësua në këtë aktivitet nga Drejtori i Programit, z. Stiliano Rushaj, dhe Drejtori Ekzekutiv, z. Akil Kraja, të cilët morën pjesë në diskutimet mbi sfidat politike europiane, procesin e zgjerimit dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet organizatave partnere të PPE.
© SYRI.net