Në ditën e 55-të të revoltës qytetare, i riu u shpreh se shqiptarët nuk kanë dalë në shesh për të kërkuar mëshirë, por për të kërkuar drejtësi dhe liri, duke akuzuar qeverinë dhe Ministrin e Brendshëm për dështim në zbardhjen e krimeve të rënda.
Nga protesta, ai kërkoi mobilizimin e policisë për arrestimin e autorëve të vrasjeve të pazbardhura, duke përmendur rastin e Klajdi Toçit dhe identifikimin e trupit të Jan Prengës.
Me një mesazh të fortë kundër pushtetit, ai deklaroi se Shqipëria nuk është pronë e qeveritarëve, por amanet i qytetarëve, ndërsa akuzoi klasën politike se ka humbur lidhjen me popullin dhe ka detyruar mijëra shqiptarë të largohen nga vendi.
“Asnjë pushtet nuk është i përjetshëm”, ishte mesazhi i tij drejtuar qeverisë dhe deputetëve në parlament.
Fjala e tij:
Për ata që s’e dëgjojnë fjalën time, kam dy fjalë për ministrin e Brendshëm të këtij shteti të pabesë. Zoti ministër, shtrëngoji hallkat e ligjit dhe mobilizoje policinë për identifikimin dhe arrestimin e autorit të vrasjes së Klajdi Toçit, para tre muajsh!
Për arrestimin e këtij fëlliqësire! Për identifikimin e trupit të pajetë të Jan Prengës! E për shumë e shumë trupa të tjerë që kanë mbetur të vrarë dhe nuk dihet ku janë, prej kriminelëve të tu. Burra e gra të kësaj toke.
Ne nuk kemi dalë këtu të lypim as liri, as mëshirë. Sepse ata që lypin liri dhe mëshirë gjunjëzohen para pushtetit. Ne jemi në këmbë dhe liria fitohet vetëm në këmbë.
Përkundrazi, na keni dashur të heshtur, na keni mësuar ta ulim kryet dhe ta përtypim padrejtësinë si të vetmen kafshatë që i serviret sofrës sonë. E nuk paska fakt më të zi për një komb sesa dita kur, përballë dhunës dhe shkelësve të ligjit, kërkon drejtësinë te krimineli, te xhelati i tij.
Ne nuk jemi mbledhur këtu për Shqipërinë, siç thonë bijtë e bijat e komunistëve. Ne jemi mbledhur këtu për Shqipërinë! Për një Shqipëri ku nderi nuk blihet me bileta koncertesh dhe ligji nuk shitet me shishe vere. Ku djersa e këtij populli nuk shkelet nga këmbët e pista të qeveritarëve.
Ne e dimë se pushteti prej 36 vitesh ju ka dehur dhe keni harruar se kujt duhet t’i shërbeni. Por ju tregojmë se asnjë pushtet nuk është i përjetshëm. Karriget ndërrohen, emrat harrohen, por populli mbetet. E kur populli çohet në këmbë me dinjitet dhe pa frikë, nuk ka pushtet që mundet ta ndalë!
Vëllezër dhe motra, mos harroni: sa herë njëri prej nesh largohet nga vendi, Shqipëria varfërohet. E nuk varfërohet thjesht për bukë. Varfërohet për dije, për liri dhe për jetë.
E një vend që i përcjell bijat dhe bijtë e saj me lot në sy dhe i pret të huajt me tapet të kuq, e ka humbur busullën.
Kuptojeni mirë, ju tradhtarë me pushtet, se gurët e kësaj toke kanë parë mbretëri, perandori dhe diktatura. E të gjitha këto janë bërë pluhur. Vetëm populli ka mbetur në këmbë. Sepse pushteti juaj është hije që kalon. E populli ynë është ashti që ka mbetur, ka mbetur dhe do të mbetet mbi çdo pushtet dhe mbi çdo hije tuajën.
Ne nuk kemi ardhur të ndezim zjarre nëpër qarqe. Kemi ardhur të zgjojmë ndërgjegjen. Nuk kemi ardhur të ndezim rrugët, kemi ardhur të ndezim shpresën! E shpresa e Shqipërisë është ndezur tash 55 ditë. Në këtë shesh. Ku nuk mund ta fikë dhuna e pesë policëve të pabesë, që as besën e burrërisë nuk e kanë.
Prandaj, le ta dëgjojnë mirë të gjithë ata që kanë 140 karrige në parlament dhe që sot mendojnë se Shqipëria u përket atyre. Shqipëria nuk është plaçkë që ndahet, nuk është pronë që trashëgohet. Shqipëria është amanet! Amaneti nuk shitet, nuk tjetërsohet dhe nuk poshtërohet!
Më në fund, kombit tonë më duket se i ka ardhur ndërgjegjja. E as Taulant Balla, e as zotërinjtë e tjerë nuk mund ta ndalojnë dritën e fitores dhe të demokracisë së munguar prej 32 vjetësh.
Rroftë Shqipëria dhe rroftë populli shqiptar!
© SYRI.net