Një nga fjalimet më të forta të protestës qytetare ishte ai i një të riu, i cili iu përgjigj drejtpërdrejt deklaratave të kryeministrit Edi Rama për "besën".
Nga podiumi, ai deklaroi se besa e dhënë nga kreu i qeverisë ndaj shqiptarëve "ka marrë fund", duke renditur ngjarjet që dëshmojnë këtë.
Duke vlerësuar solidaritetin e qytetarëve, të cilët mblodhën 150 mijë euro për nënën File, ai theksoi se "në shesh ka mbetur vetëm besa e shqiptarëve", ndërsa e mbylli fjalimin me thirrjen që u përsërit nga protestuesit: "Plotëso kërkesën e parë të këtij sheshi dhe jep dorëheqjen!
Fjala e tij:
Mirëmbrëma Shqipëri!
Në fjalimin e tij sot Edi Rama na foli ne për besë. Dhe atij kam ndërmend që t'i përgjigjem. Besa jote u godit ditën që një shqiptar u droq zvarrë në Zvërnec. Besa që ti na dhe u plagos në momentin që policia e Vlorës dhe drejtori i policisë së Vlorës u përpoq ta fshihte atë fakt dhe tha se ai u fut me dhunë.
Dhe besa që ti na dhe, ka vdekur në momentin që ti godite një nënë që po mbronte fëmijën e saj, në shesh. Besa jote kundrejt këtij populli, ka marrë fund! Në shesh ka mbetur vetëm besa e shqiptarëve.
Dhe besa e shqiptarëve sot ka treguar një solidaritet të paprecedent. Sot, nëna File, dua ta thërras nëna File sepse të gjithë pensionistët në këtë shesh janë gjyshërit tanë.
Të gjithë fëmijët në këtë shesh janë fëmijët tanë. Nëna File sot, shqiptarët i bënë një dhuratë të përjetshme. Mblodhëm forcat dhe paratë tona të marra me djersën e ballit, jo me krimin e organizuar siç bën kjo politikë pseudo-demokrate e 35 viteve të fundit. Shqiptarët sot treguan se jemi aq të mbrojtur dhe aq të bashkuar sa ne ia dolëm qëllimit dhe mblodhëm plot 150 mijë euro.
E ardhmja e saj tashmë ishte në duart tona dhe ne vendosëm që ajo të ishte një e ardhme e bukur. Dhe ne nëna Filen kemi për ta mbajtur në pëllëmbë të dorës sikur të ishte nëna jonë.
Prandaj të gjithë pensionistëve, që kanë frikë dhe ndoshta ndihen jo të përkrahur, ejani në protestë sepse ne do t'ju mbajmë.
Dhe së fundmi, pas të gjithë atyre përpjekjeve manipuluese të Edi Ramës për t'u përpjekur që të na bënte për vete, Edi Ramës iu deshën 55 ditë që të reflektonte. 55 ditë që ne bërtasim këtu, poshtë dritares tënde dhe ti tallesh me ne, ti ke guximin të tallesh me popullin sovran!
Jo vetëm që nuk na manipulon dot, jo vetëm që nuk na ofendon dot, por as për të na blerë nuk ke arritur dot qëllimit. Ndaj, nëse do të tregosh që je njeri i besës, plotëso kërkesën e parë të këtij sheshi dhe jep dorëheqjen!
Dorëheqje! Dorëheqje! Dorëheqje! Çfarëdo lloj dokumenti të nënshkruash ti, çfarëdo lloj pazari të bësh ti, pa u pyetur ne, ai nuk është legjitim! Prandaj, t'ia përsërisim edhe një herë se ndoshta është te dritarja, se çfarë do Shqipëria e re. Ne kërkojmë: Dorëheqje!
© SYRI.net