Një valë e re akuzash të forta ka shpërthyer ndaj qeverisë, teksa retorika e fundit e kryeministrit po shihet thjesht si një mjet për të mbuluar skandalin e investimeve miliardëshe në zonën e Zvërnecit.
Në kundërpërgjigje të podcastit të kryeministrit Edi Rama, kryetari i PD, Sali Berisha shprehet se kreu i qeverisë pavarësisht protestave qytetare, ka refuzuar të bëjë qoftë edhe transparencën më minimale për mega-projektin.
Sipas Berishës, leja e zhvillimit është firmosur në kundërshtim të plotë me ligjin, sa kohë që konfliktet gjyqësore për pronësinë e tokave vijojnë ende të jenë të pazgjidhura.
Për të zhvendosur vëmendjen nga ky skandal, thekson kryedemokrati në reagimin e tij, po zgjidhet rruga e shpikjes së armiqve imagjinarë dhe e trillimit të një "lufte hibride", një taktikë kjo e propagandës së diktaturës së shkuar.
Edi Rama përdori sot monologun e rradhës të tij të së dielës, për të sulmuar, kërcënuar, përçmuar, dhjetëra mijëra qytetarë që prej një jave protestojnë në protestat më të fuqishme kundër Edi Ramës, kërkojnë dorëheqjen e tij, kërkojnë anulimin e vendimeve të tij të cilat janë një kërcënim madhor për mjedisin në Shqipëri dhe prishin përfundimisht klimën e investimeve në vend. Ai prapë u përpoq t'i akuzojë fuqi të huaja, na rikujtoi kohërat e zeza të diktaturës kur e gjithë bota paraqitej kundër nesh. Shpiku armiq imagjinarë dhe u përpoq të argumentojë luftën hibride kundër Shqipërisë.
E vërteta është se këto protesta kanë në themel, para së gjithash dhe mbi të gjitha, veprimet me zero transparencë të Edi Ramës dhe qeverisë së tij në investimet në Zvërnec. Them me zero transparencë sepse përveç shifrave, disa miliardësh investime, ai nuk mori përsipër kurrë të bëjë transparencën më të vogël për çështjen e pronësisë, për çështjen e mjedisit, për detyrimet që rrjedhin në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian në përputhje me direktivën Natura 2000 të Komisionit Europian.
Në monologun e tij nuk tha një fjalë të vetme, sepse Edi Rama firmosi lejen e zhvillimit në kundërshtim me ligjin, në prani të konflikteve gjyqësore midis palëve për pronën. Nuk tha një fjalë të vetme, nëse ai në detyrim, në detyrim madhor të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian që rrjedhin nga direktiva Natura 2000 ka bërë aty një vlerësim të përshtatshëm, ka bërë aty një vlerësim strategjik, ka bërë një vlerësim mjedisor për të gjithë këtë projekt. Përkundrazi, u tha mediave ndërkombëtare se nuk ekziston projekt. Nga ana tjetër, nuk mund të miratohet kurrë leja e zhvillimit pa një projekt apo të paktën një projekt-ide. Nuk shpjegoi çfarë direktivash ka dhënë ky për përshtatjen me peizazhin.
Nuk shpjegoi pra asgjë përveç luftës hibride, kërcënimeve dhe cinizmit ndaj protestuesve dhe mburrjes së tij se ai si omnipotent nuk pyet për asgjë. U përpoq të mashtronte shqiptarët se paska marrë kryesinë e shoqatës së pyjeve në Europë në një kohë kur jemi vendi me pyjet më të shkatërruara dhe më të djegura, më të pambrojtura në Europë. Të ngjallte ky një lloj si çmimi që merrnin në Meksikë për ushqimin nga dërgoi të Ramiz Alisë në një kohë që dy të tretat e popullit ishte në uri kronike. Pra, monologu i të dielës ishte mashtrimi i radhës të dielës, por kësaj here i karakterizuar nga një cinizëm i pashembullt, arrogancë e papërmbajtur ndaj qytetarëve dhe të rinjve në protestë.
© SYRI.net