Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar në Kuvend një paketë ligjore që parashikon shfuqizimin e katër ligjeve, të cilat sipas opozitës cenojnë interesin publik dhe bien ndesh me standardet e integrimit europian.
Paketa përfshin ligjin për Investimet Strategjike, ndryshimet në ligjin për Zonat e Mbrojtura, ligjin për Paketën e Maleve dhe disa dispozita të ligjit për Trashëgiminë Kulturore.
Në një deklaratë për mediat, kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, tha se nismat sjellin në Kuvend shqetësimet e qytetarëve dhe organizatave që protestojnë dhe kundërshtojnë, sipas tij, favorizimin e interesave private në dëm të natyrës, trashëgimisë kulturore dhe pasurive publike.
Bardhi i bëri thirrje mazhorancës t’i mbështesë këto propozime dhe kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
DEKLARATË E KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike sapo ka depozituar zyrtarisht sot në Kuvend një paketë ligjore që bashkon interesin publik me interesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Paketa ligjore përfshinë:
1. Shfuqizimin e ligjit për Investimet Strategjike.
2. Shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për Zonat e Mbrojtura.
3. Shfuqizimin e ligjit për Paketën e Maleve.
4. Shfuqizimin e disa dispoazitave në ligjin për Trashëgiminë Kulturore.
Paketa që dorëzuam në Kuvend nuk është thjesht një nismë partiake e opozitës. Ajo sjell në Parlament zërin e shoqërisë që proteston kundër shkatërrimit të Shqipërisë nga një qeveri që deri më sot e ka trajtuar vendin si pronë private.
Kjo paketë sjell në Parlament zërin e shoqërisë që kërkon mbrojtjen e natyrës, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, mbrojtjen e zonave malore nga babëzia qeveritare dhe nga interesat financiare të klientelës së Edi Ramës dhe Belinda Ballukut.
Ne po risjellim në Parlament zërin e shoqërisë që është kundër ligjit për investimet strategjike, simbol i modelit ekonomik të Edi Ramës; një model i bazuar te favorizimi, korrupsioni dhe përdorimi i pushtetit në funksion të interesave private.
Besoj fort se shoqëria shqiptare duhet të hyjë në një fazë të re. Një fazë ku të gjithë të kenë mundësi të barabarta. Në një fazë ku shoqëria nuk pajtohet me modelin e sundimit të më të fortit mbi më të dobëtin. Ku të gjithë të jenë të barabartë para ligjit. Ku të sundojë shteti ligjor dhe jo ligji i xhunglës.
Këto katër nisma ligjore bashkojnë interesin e qytetarëve, të cilët këtë herë kanë bindje të ndryshme politike, ose nuk i përkasin asnjë partie. Këto nisma i bëjnë mirë Shqipërisë.
Pa ligjin e investimeve strategjike që shpërndan copa të Shqipërisë tek një grusht oligarkësh dhe klientësh të Edi Ramës, Shqipëria do të jetë më e mirë.
Pa ligjet që i japin qeverisë mundësinë të cenojë zonat e mbrojtura, trashëgiminë kulturore dhe interesin publik, Shqipëria do të jetë më e mirë.
Por Shqipëria do të jetë vërtet më e mirë vetëm kur në krye të qeverisë të mos jetë më shkaktari i situatës së sotme.
Prandaj ka ardhur koha që Edi Rama t’i lejojë deputetët e mazhorancës të votojnë këto nisma.
Ka ardhur koha të reflektojë. Ka ardhur koha që Edi Rama të japë dorëheqjen.
© SYRI.net