Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu gënjeu live kur u pyet nga gazetari i SYRI TV, Klajdi Bodlli në lidhje me çështjen e Belinda Ballukut.
Koçiu tha se çështja e paraardhëses së saj nuk e ka cenuar procesin e integrimit, edhe pse kjo çështje bllokoi për katër muaj kalimin e raportit IBAR.
Pikërisht kjo çështje bëri që në raportin IBAR të shtohen kushtet. Madje vendi që udhëheq BE-në, Gjermania, e bëri të qartë se çështja e imuniteteve është një kusht i panegociueshëm.
Klajdi Bodlli, SYRI TV: Një nga pikat që u përmendët është drejtësia. Bashkimi Evropian ka ngritur shqetësimin se mazhoranca ka penguar drejtësinë në rastin e ish-zëvendëskryeministres duke mos i dhënë prokurorisë së posaçme heqjen e imunitetit. A do ta ndryshojë kjo mazhorancë sjellje në raport me drejtësinë nëse do të kemi raste të tjera për heqjen e imunitetit si në rastin e zotit Bllako?
Albana Koçiu: Qëndrimi ynë ka qenë i qartë dhe nuk është një qëndrim i cili ka penguar apo pengon procesin e negociatave që po zhvillohen me Bashkimin Evropian.
Vendimmarrja më e fundit e tregoi më së miri se qeveria shqiptare, institucionet dhe jo vetëm, por edhe Partia Socialiste në Kuvend, ka zhvilluar dhe vazhdon të diskutojë dhe të dialogojë në një qasje konstruktive.
Absolutisht gjithë këto vendimmarrje nuk e kanë cenuar progresin e Shqipërisë, as nuk e kanë vënë në diskutim raportin e saj me drejtësinë. Dhe të gjitha këto janë thjesht aludime të opozitës dhe të atyre që në fakt e njollosin dhe e përbaltin Shqipërinë përditë, por që për fat të keq nuk u dalin dot, dhe për fat të mirë ne jemi këtu sot jemi duke diskutuar dhe duke negociuar për t'i mbyllur kapitujt brenda kësaj dekade dhe ky është lajmi që besoj duhet t'i gëzojë dhe duhet t'i pranojnë të gjithë që në fund të ditës ne bëjmë detyrat, i bëjmë me përkushtim, me shumë seriozitet dhe për këtë edhe Bashkimi Evropian na njeh progresin.
Nuk është një gjë e thjeshtë, nuk është, pasi duket e thjeshtë nëse ne e diskutojmë në të përditshmen tonë kapitujt edhe të gjithë negociatat që zhvillohen, është një vendimmarrje dhe një punë e jashtëzakonshme e të gjithë punonjësve të administratës publike. Sigurisht nën vullnetin e qeverisë shqiptare, e cila në këtë drejtim e ka të përmbushur të gjithë misionin e saj për t'i qëndruar deri në fund dhe për të përmbushur këtë detyrim dhe këtë angazhim që i kemi vënë vetes brenda vitit 2030.
© SYRI.net