‘Afera e faljes së 123 mln euro’/ Kalaja: Balluku, Denaj dhe Malaj të hetohen, dyshime për organizatë kriminale

‘Afera e faljes së 123 mln euro’/ Kalaja: Balluku, Denaj dhe Malaj të hetohen, dyshime për organizatë kriminale

11:24, 12/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Avokatja Adriana Kalaja deklaroi këtë të premte para Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) se ka dorëzuar një shtesë kallëzimi penal ndaj ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres Belinda Balluku, duke e lidhur atë me “afera korruptive” dhe shkelje të rënda ligjore.

Në një deklaratë për mediat, Kalaja tha se dosja e paraqitur përmban prova dhe të dhëna që, lidhen me korrupsionin, ushtrimin e ndikimit të paligjshëm, shpërdorimin e detyrës, pastrimin e produkteve të veprës penale, si dhe me veprimtarinë e një grupi të strukturuar kriminal.

Sipas saj, materiali i është drejtuar posaçërisht prokurorit Dritan Prençi, i cili po heton një çështje që lidhet me Ballukun. Kalaja deklaroi se dosja ka në fokus atë që ajo e quajti “afera korruptive e faljes së gjobës prej 123 milionë eurosh ndaj kompanisë Bankers”.

Ajo tha se një pjesë e informacionit është bërë publik më herët përmes denoncimeve mediatike, ndërsa detaje të tjera nuk mund të bëhen publike për shkak të sekretit hetimor.

Kalaja përmendi gjithashtu si persona që, sipas saj, duhet të hetohen edhe ministren Anila Denaj dhe ministrin e Financave Petrit Malaj. Ajo u shpreh se të dhënat që disponon tregojnë elementë të veprave penale të shpërdorimit të detyrës, ushtrimit të ndikimit të paligjshëm dhe korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë.

Në deklaratën e saj, avokatja tha se ka marrë informacione jozyrtare sipas të cilave SPAK ka nisur hetim pasuror ndaj Ballukut dhe se institucioni mund t’i jetë drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit të saj. Megjithatë, ajo sqaroi se nuk disponon konfirmim zyrtar për këtë informacion.

Kalaja kërkoi nga SPAK që të hetojë edhe Anila Denajn dhe Petrit Malajn në lidhje me këtë çështje dhe të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore, duke argumentuar se bëhet fjalë për një aferë me pasoja të rënda për buxhetin e shtetit dhe qytetarët shqiptarë.

Kalaja:

Sot vijmë për të paraqitur një shtesë kallëzimi penal që i referohet ish-ministres dhe ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila tashmë siç dihet ka statusin juridik të subjektit të pandehur për disa vepra penale dhe afera të cilat lidhen sidomos me pabarazinë në tendera.

Ndërkohë që ne çmojmë që ka shumë shkelje të mëdha që lidhen me korrupsionin, ushtrimin e ndikimit të paligjshëm, shpërdorimin e detyrës, pastrimin e produktit të veprës penale, por edhe të një grupi të strukturuar kriminal apo organizatë kriminale, për të cilën ne sot në fakt sjellim një dosje të kompletuar me prova, me të dhëna shumë të rëndësishme.

Ja kemi drejtuar posaçërisht prokurorit Dritan Prençi, meqenëse po heton një dosje të rëndësishme në ngarkim të këtij subjekti dhe kjo dosje që ne paraqesim sot lidhet me aferën korruptive të faljes së gjobës prej 123 milionë euro ndaj kompanisë Bankers.

Ka shumë të dhëna të rëndësishme, të dhëna të bëra publike nëpërmjet denoncimit të emisionit Plug, të cilat ne i kemi vënë në dispozicion të SPAK-ut, por nga ana tjetër ka dhe disa të dhëna të cilat ne rezervojmë të drejtën për t'u shprehur për shkak të sekretit hetimor. Dhe bashkëpunëtorë në këtë veprimtari të rëndë kriminale, me pasoja shumë të mëdha në buxhetin e shtetit, është dhe deputetja dhe ministrja tjetër e kësaj qeverie apo e narko-qeverisë, Anila Denaj, po kështu edhe e ministrit aktual Petrit Malaj.

Të dhënat flasin qartë që jemi përpara jo vetëm veprës penale të shpërdorimit të detyrës, por edhe veprës penale të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm, korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë dhe mbi të gjitha ka dyshime të forta dhe bindje madje përtej dyshimit të arsyeshëm se kemi të bëjmë me një organizatë kriminale dhe fokusi bazë i kësaj organizate kriminale është pastrimi i produktit të veprës penale.

Ndërkohë ne kemi marrë informacione që prokurori Dritan Prençi, pra SPAK-u, ka nisur dhe hetimin pasuror ndaj subjektit Belinda Balluku, tashmë me statusin e të pandehurit, për të cilin ne mendojmë se kjo dosje ka vlerë shumë të madhe në këtë hetim. Po nga ana tjetër jemi informuar jo zyrtarisht që SPAK-u i është drejtuar Kuvendit të Shqipërisë me një kërkesë për heqjen e imunitetit dhe në dijeninë tonë ka patur dhe një shtim të akuzave ndaj subjektit Belinda Balluku.

Edhe nëse akoma SPAK-u nuk i është drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, prandaj e theksova që nuk e kemi përgjigje zyrtare, kjo dosje do mjaftonte që ditën e hënë SPAK-u t'i drejtohet Kuvendit me një kërkesë jo vetëm për heqjen e imunitetit, por një kërkesë të qartë me akuza të rënda dhe mbi të gjitha për të parandaluar një dëm të madh që po i bëhet buxhetit të shtetit shqiptar dhe sidomos me një shumë marramendëse siç është afera e faljes së gjobës prej 123 milionë.

Përveç këtij subjekti që ne sapo përmendëm, pra për Belinda Ballukun, ne kemi adresuar të dhëna dhe për ministren Anila Denaj dhe Petrit Malaj, për të cilën kërkojmë nga SPAK-u që edhe këta të dy të hetohen në lidhje me këtë aferë kriminale dhe korruptive dhe nga ana tjetër patjetër që të ngrihen akuza në lidhje me këta dy persona, të cilët në fakt kanë vepruar në formën e një organizate kriminale dhe dëmi është me pasoja shumë të rënda si për buxhetin e shtetit ashtu edhe për xhepat e çdo qytetari shqiptar. Faleminderit juve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco