Në një deklaratë për mediat, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka publikuar prova të reja që hedhin poshtë çdo lidhje të Z. Ilir Meta me çështjen CEZ-DIA.
Blushi nënvizoi se dëshmitari kryesor, Elvis Mataj, nuk e përmend asnjëherë Z. Meta si person të përfshirë apo përfitues në çështjen DIA, duke konfirmuar kështu se kontratat u mbyllën ekskluzivisht nga Kastriot Ismailaj dhe partnerët e tij ndërkombëtarë, pa asnjë ndikim politik.
“Zero lidhje! Zero fakt! Zero ndikim! Zero përfshirje e Z. Ilir Meta,” deklaroi Blushi, duke theksuar se të dhënat e publikuara janë të mbështetura vetëm mbi prova dhe dokumente zyrtare, në përpjekje për të informuar publikun dhe për të kundërshtuar çdo manipulim apo trillim politik.
Ai paralajmëroi se Partia e Lirisë do të vijojë të nxjerrë në dritë fakte të dokumentuara, duke zbardhur çdo akuzë të fabrikuar dhe duke mbrojtur transparencën ndaj opinionit publik.
Deklarata e plotë:
Mbështetur, si gjithmonë, vetëm mbi prova dhe dokumente zyrtare, do të bëjmë sot publike fakte të reja që konfirmojnë se në asnjë prej deklarimeve të tij, të dhëna nën betim përpara Prokurorisë, dëshmitari Z. Elvis Mataj nuk e përmend emrin e Z. Ilir Meta, as si person të përfshirë dhe as si përfitues në çështjen DIA.
Publikimi i këtyre provave ligjore ka për qëllim të informojë opinionin publik mbi të vërtetën e vetme, të dokumentuar nga vetë prokuroria, si dhe të kundërshtojë me prova ligjore çdo përpjekje apo tentativë për të deformuar faktet, për të supozuar apo imagjinuar situata apo lidhje të paqena, të pabazuara dhe që nuk kanë ekzistuar kurrë.
Konkretisht, në dëshminë e dhënë nën betim, para prokurorit Dritan Rreshka, në datën 12 qershor 2014, Z. Mataj duke dhënë sqarime në lidhje me rrethanat e njohjes me Z. Kastriot Ismailaj dhe se si u lidh marrëveshja mes CEZ dhe DIA pohon se:
“Në muajin shkurt 2009, (pra 1 muaj para nënshkrimit të kontratës së privatizimit mes qeverisë shqiptare dhe CEZ dhe 18 muaj para themelimit të DIA-s), ai (pra Kastriot Ismailaj) më fliste për biznesin e tij dhe sidomos për një plan të afërt që kishte në lidhje me një kontratë shërbimi që do të merrte nga kompania CEZ”.
Më tej Z. Mataj sqaron se:
“DIA e ka hapur degën e saj në Shqipëri në gusht 2010. Duhet të ketë qenë periudha nëntor-dhjetor 2009, (pra 8-9 muaj para themelimit të DIA-s) kur Kastrioti më thotë që ka marrë një kontratë shërbimi nga kompania CEZ në Pragë për degën e saj në Shqipëri. Në konfidencë më tha që kishte një mik të ngushtë, Drejtorin e Përgjithshëm të CEZ Pragës, që me sa mbaj mend quhej Martin Roman. Ai i kishte garantuar marrjen e kësaj kontrate shumë milionëshe”.
Referuar kësaj dëshmie të dhënë nën betim para prokurorit, Dritan Rreshka, dëshmitari Mataj sqaron jo vetëm se Z. Ismailaj e dinte 18 muaj para se DIA të hapej zyrtarisht në Shqipëri se do përfitonte një marrëveshje me CEZ, por sqaron edhe faktin se garancinë për lidhjen e kësaj kontrate Z. Ismailaj e kishte marrë sipas tij nga Z. Martin Roman, i cili ka qenë në atë kohë, Kryetari i Bordit të Drejtorëve të CEZ-it.
Pra zero lidhje! Zero fakt! Zero ndikim! Zero përfshirje të Z. Ilir Meta sa i përket lidhjes së kontratës CEZ –DIA.
Ky fakt, përforcohet më tej nga dëshmitari Mataj, i cili nën betim pohon gjithashtu se “kontrata e parë daton në shtator 2010 dhe kontrata e dytë daton në shkurt 2011. Në lidhje me kontratën e parë të shtator 2010, Kastriot Ismailaj, që në muajin mars-prill (pra 5-6 muaj para) më ka shprehur që çdo gjë e kam rregulluar në Pragë dhe besoj në vjeshtë do të fillojmë kontratën për mbledhjen e borxheve të CEZ. Më tregoi një dokument prezantimi për DIA-n të cilin e kishte prezantuar në Pragë. Një kopje të tij ma ka dhënë në mënyrë elektronike dhe të printuar. Ky dokument kishte në faqen e parë kompaninë austriake “Passut&Partners” si autore të këtij studimi. Di që pas këtij prezantimi u firmos kontrata e shërbimit në 1 shtator 2010.”
Pra siç e patë, Z. Ismaliaj e kishte mbyll vetë kontratën e parë me CEZ para se ta nënshkruante në muajin shtator dhe se dokumenti i prezantimit të DIA-s në Pragë ndikoi në firmosjen e kontratës.
Zero lidhje! Zero fakt! Zero ndikim! Zero përfshirje të Z. Ilir Meta.
E njëjta gjë, ka ndodhur, sipas dëshmitarit Mataj edhe në lidhje me kontratën e dytë CEZ-DIA.
“Në lidhje me kontratën e dytë të shkurt 2011 kam dijeni që në muajin nëntor”, - pohon dëshmitari Mataj.
Pra është e qartë se lidhjet e kontratave, kanë ndodhur për shkak të njohjeve personale të Kastriot Ismailajt pranë CEZ-it në Pragë.
Këto dëshmi, Z. Elvis Mataj, i përfocon më tej edhe me një tjetër dëshmi, të dhënë nën betim, para oficerit të policisë gjyqësore, Eduard Gjika, më 2 dhjetor 2015.
I pyetur nga Prokuroria për dëshminë mashtruese të Dritan Priftit në tetor 2015, Z. Mataj e ka bërë të qartë se nga janari 2005, nuk ka patur asnjë lidhje, takim apo kontakt telefonik me këtë person, i cili në shpifjet e tij ndaj Z. Meta, kryesisht i referohej, Z. Elvis Mataj.
“Shtetasin Dritan Prifti për herë të fundit e kam takuar në muajin janar 2005. Që prej asaj kohe nuk kam as kontakt fizik dhe as nëpërmjet telefonit”.
Në lidhje me pyetjen se kush ka përfituar fondet e shoqërisë DIA, Z. Mataj sqaron se “ përfituesit e transaksioneve janë në dokumentat bankare. Në lidhje me përfitues të tjerë nuk kam dijeni”.
Në lidhje me një intervistë televizive të tij, ku gjoja pretendohet se Z. Mataj ka shprehur të tjera qëndrime, ai shuan çdo hamendësim dhe vendos “pikat mbi i” duke pohuar para prokurorit se:
“Unë vetë nuk disponoj asnjë filmim. Informacionin që unë kam patur apo mbaj mend e kam shprehur në katër dëshmitë që ju referova më sipër. Nuk kam gjëra të tjera shtesë”.
Pra është mëse e qartë: Zero lidhje! Zero fakt! Zero ndikim! Zero përfshirje të Ilir Metës në cështjen CEZ-DIA.
Transparenca është e vetmja rrugë drejt së vërtetës. Pikërisht për këtë arsye seancat gjyqësore bunkerizohen dhe transmetimi i tyre live ndalohet, për të fshehur faktet dhe provat ligjore, për të mbajtur larg syrit të publikut standardin skandaloz të hetimeve dhe për të lejuar që opinioni publik të vijojë të manipulohet me hamendësime, trillime dhe narrativa të pavërteta.
Transparenca dhe e vërteta nuk mund të merren peng nga e njëjta bandë që rrëmbeu më 21 tetor 2024 Presidentin Meta.
Me durim, vendosmëri dhe duke u mbështetur vetëm në prova ligjore, ne do të vijojmë të çmontojmë një e nga një të gjitha akuzat politike ndaj Z. Meta, duke nxjerrë në dritë të diellit faktet që SPAK me regji është përpjekur t'i mbulojë, t’i fshehë ose të bëjë sikur të mos i shohë.
Faleminderit!
© SYRI.net