Një dorëheqje kundër sistemit

Një dorëheqje kundër sistemit

09:58, 12/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Luçiano Boçi

Dorëheqja e rektorit të Universitetit të Shkodrës, Tonin Gjuraj, është një sinjal i rëndë për gjendjen e autonomisë universitare në vend.

Largim i tij është një akt proteste ndaj ndërhyrjeve e presioneve politike që nisin me Kumbaron e skandaleve të Butrintit e tani të Universiteteve, vazhdojnë me Benetin e bandave e mbarojnë me Mollën e krimbur intelktualisht të Bordit të Administrimit.

Këto ndërhyrje e presione po deformojnë funksionimin e institucioneve të arsimit të lartë ndërkohë që Shqipëria duhet të përmbushë detyrimet e kapitujve 25 dhe 26 të integrimit, ku vëmendje e veçantë i vendoset autonomisë universitare.

Rektori Gjuraj ka dhënë alarmin se vendimmarrja akademike është zëvendësuar nga vendimmarrja politike, se Bordi i Administrimit vepron jashtë ligjit dhe se autonomia universitare është cënuar në mënyrë të hapur.

Kur një akademik me integritet, me karrierë ndërkombëtare dhe me vizion transformues si Prof. Gjuraj detyrohet të thotë “mjaft më” përballë ndërhyrjeve të paligjshme, arrogancës ministrore dhe  një Bordi Administrimi të politizuar dhe vendimeve që shkelin ligjin, kemi të bëjmë me një skandal shtetëror dhe akt penal.

Bordi i Administrimit, i cili duhej të ishte garant i transparencës dhe profesionalizmit, është kthyer me bekimin e Kumbaros e Benetit në një instrument presioni politik. Emërimi i administratorit pa baza ligjore, pagesat preferenciale të honorareve, injorimi i kërkesave të rektorit, shtyrja diskriminuese e pensionit, nuk janë gabime administrative, por shkelje sistematike që synojnë të nënshtrojnë universitetin e Shkodrës nën pushtetin politik.

Prof. Gjuraj tha një të vërtetë historike se “Rektori është i përkohshëm, Bordi i jashtëkohshëm, por Universiteti është dhe mbetet i përhershëm.”

Ky përcaktim duhet të bëhet thirrje kombëtare, sepse Universitetet nuk janë feude politike.

Nuk janë vend për të emëruar militantë dhe për të shpërndarë favore.

Ato janë tempuj të dijes, të lirë dhe të pavarur.

Shkodra dhe Shqipëria meritojnë universitete të lira, jo të pushtuara. Prof. Gjuraj doli me dinjitet kundrejt politikës së Ramës që ka zgjedhur të mbytë mendjen e lirë shqiptare.

Autonomia universitare nuk është luks, por është kusht i zhvillimit kombëtar. Kush e cenon atë, cenon të ardhmen e Shqipërisë.

Universiteti “Luigj Gurakuqi” është një diamant i çmuar për Shkodrën.

Qytetarët e saj, studentët e pedagogët do dijnë të reagojnë për t’u solidarizuar me këtë akt qytetar dhe akademik të Prof. Gjurajt.

Padrejtësitë meritojnë një përgjigje që Shkodra ka ditur t’jua japë gjithmonë!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco