Gazetari Bledian Koka, i ftuar në “Kafe Shqeto”, u shpreh se shkërmoqja e fasadës së qeverisë është tashmë e dukshme dhe qytetarët po përballen me realitetin e tmerrshëm pas dështimeve të shtetit. Ai theksoi se ajo që dikur konsiderohej si pika më e fortë e pushtetit, sot është thjesht propagandë e rrënuar.
Ai u shpreh se, rënia e kësaj narrative, e ndërtuar mbi fasada dhe pa themele të forta, ka zanafillën në çështjen e Zvërnecit, ku përpjekjet për të manipuluar perceptimin e publikut dështuan.
Qeveria tentoi ta portretizojë popullin shqiptar si të pandjeshëm ndaj natyrës, duke e fajësuar për dështimet që janë në vetë kompetencën e shtetit. Kjo strategji shërbeu vetëm për të fshehur dështimet e qeverisë dhe për të justifikuar një sistem korrupsioni që ka kapur çdo nivel të administratës.
Ngjarjet në Zvërnec, shtoi Koka, treguan qartë se shteti ka rënë: banorët dolën për të mbrojtur zonën, por u përballën me dhunë dhe presion, duke ekspozuar dështimin e qeverisë në garantimin e ligjit dhe mbrojtjen e qytetarëve. Protestat e qytetarëve nuk janë thjesht një reagim i zakonshëm, por një alarm kombëtar.
Pjesë nga deklarata:
Sepse ka rënë, ka rënë, ka rënë e gjithë narrativa. Kjo, e ka rënë e gjithë si me thënë, ajo që themi sot: kur ti ndërton vetëm fasadën dhe nuk ndërton themelet mbi të cilat funksionon jo vetëm shteti, por duhet edhe narrativa jote, sigurisht që një ditë ajo shkërmoqet, bie dhe të zë brenda. Dhe besoj që me Zvërnecin, sigurisht që e gjithë ajo lloj narrative ka rënë.
Dhe unë, në fakt, mendoj që kjo gjë është edhe për Zvërnecin; pra, nuk është se Zvërneci u përdor thjesht si artificë për të ardhur këtu. Mendoj që fillimi, fillimi është te Zvërneci dhe ne nuk kemi ikur akoma nga Zvërneci, sepse një nga qëllimet kryesore të narrativës së Ramës është që ky popull, si me thënë, nuk ka ndonjë ndjeshmëri. Kjo ka qenë një tjetër poshtërsi e komunikimit të tij propagandistik gjatë këtyre kohëve.
Sepse është munduar ta trajtojë popullin shqiptar, neve në këtë rast, si disa barbarë të cilët hedhin bidonët e ujit jashtë kazanit të plehrave dhe nuk janë këta që kanë respekt për natyrën. Ai është munduar të na pikturojë neve si njerëz të cilët nuk e kuptojmë ose nuk jemi aq të ndërgjegjshëm për ruajtjen e flamingos, të pelikanit, të breshkave, apo edhe të gaforreve të ligatinës së Zvërnecit. Kjo ka qenë një tjetër poshtërsi e madhe, jo vetëm propagandistike, por edhe një lloj neverie dhe përçmimi për ndjeshmërinë e qytetarëve.
Pikë së pari, ai është munduar të sfidojë dhe të justifikojë dështimin e vet, sepse pastrimi dhe mirëmbajtja e territorit është më së pari detyrë e shtetit, për të cilën qytetarët paguajnë taksa. Madje, janë paguar edhe rreth 600 milionë euro për inceneratorë të cilët nuk ekzistojnë. Po të ekzistonin këta inceneratorë, jo vetëm Shqipëria, por edhe Kroacia dhe Sllovenia ndoshta nuk do të kishin asnjë lloj plehrash për shkak të kapacitetit të tyre djegës. Por kjo tashmë është një histori e dhimbshme, e cila i hoqi qytetarëve shqiptarë dhe i shënoi këtë qeveri që mundohet me propagandë të justifikojë çdo gjë: një vjedhje tjetër kolosale, e cila dihet që ka shkuar së pari në xhepa dhe më pas si mekanizëm për blerje dhe korrupsion.
Kjo gjë duhet mbajtur me kujdes, dhe duhet të jemi të kujdesshëm për të thënë që Edi Rama, ky pis i madh, i cili ka qelbur Shqipërinë në 14 vite, nuk mund t’u thotë shqiptarëve se nuk kanë ndjeshmëri për mjedisin, sepse kjo nuk duhet toleruar.
Dhe kjo është e qartë edhe për Zvërnecin. Përveç faktit që shqiptarët dolën për të mbrojtur dhe janë aty edhe për ta mbrojtur Zvërnecin dhe të gjithë atë që duhet të jetë një zonë e mbrojtur në Shqipëri, dolën sepse propaganda e madhe, sipas së cilës shteti kujdeset për natyrën dhe për qytetarët, u tregua se nuk ekziston. Aty disa kapuçonë të zinj, të cilët ishin duke mbrojtur pazarin e radhës të Edi Ramës, jo vetëm që rrahën banorët, por rrahën edhe policët e shtetit.
Aty u kuptua që ky shtet tashmë, ose më saktë qytetarët, ata që s’e kishin kuptuar, panë me sytë e tyre që ky shtet ka rënë. Dhe rënia e shtetit është alarm rreziku për të gjithë qytetarët, edhe për ata që deri dje konsideroheshin patronazhistë. Patronazhistët, më shumë sesa për të përgjuar njerëzit e administratës që shkojnë në protestë, janë aty edhe për hallin e vet, sepse e kuptojnë që kjo gjë u ka ardhur edhe te dera e tyre.
Prandaj protesta është një moment shumë i rëndësishëm, një moment i madh rizgjimi të kombit, një lloj fletie të re të kombit, e cila deri sot realisht ka munguar. Por nuk duhet harruar që opozita e ka artikuluar pafund se rreziku është aty, dhe fakti që qytetarët erdhën dhe kapën këtë alarm nuk duhet të intimidojë opozitën. Minimalisht, opozita duhet të jetë krenare që ka folur, dhe çdo gjë që ajo ka denoncuar deri më sot është materializuar në shqetësimin e qytetarëve.
Tashmë, me të drejtë, në shesh mund të gjejmë qytetarë nga të gjitha ngjyrat, madje edhe patronazhistë, të cilët më shumë sesa përgjojnë, jam i sigurt, që janë duke protestuar.
© SYRI.net