Prej mbi 12 ditësh, Shqipëria po përballet me protesta që nga një denoncim mjedisor janë shndërruar në revoltë kundër korrupsionit dhe mungesës së transparencës. Shkak u bë zbulimi i një mega-investimi prej 4 miliardë dollarësh në Zvërnec, i mbajtur larg syrit të publikut nga qeveria dhe pushteti lokal, ndërsa vëmendja ishte përqendruar te projekti i Sazanit.
I ftuar në studion e Kafe Shqeto, gazetari Arbër Hitaj u shpreh se çështja e Zvërnecit nuk është më thjesht një debat për një projekt turistik me vlerë 4 miliardë dollarë, por simboli i një pakënaqësie të thellë që është grumbulluar prej vitesh ndaj korrupsionit, pabarazisë dhe arrogancës së pushtetit. Sipas tij, mungesa e transparencës rreth projektit dhe mënyra se si institucionet shtetërore e trajtuan atë kanë nxjerrë në pah një realitet që prek mijëra shqiptarë, të cilët ndihen të përjashtuar nga vendimmarrja dhe të pabarabartë përballë njerëzve me pushtet, lidhje dhe para.
Hitaj theksoi se protesta e nisur për Zvërnecin e ka tejkaluar prej kohësh vetë çështjen e projektit, duke u kthyer në një revoltë më të gjerë qytetare kundër një sistemi që favorizon të fortët dhe lë pas qytetarin e zakonshëm. Ai tha se në protesta po bashkohen shtresa të ndryshme të shoqërisë, nga të rinj e sipërmarrës të vegjël deri te qytetarë që prej vitesh përballen me padrejtësi, duke e shndërruar këtë reagim në një mesazh të fortë kundër qeverisjes aktuale.
Pjesë nga deklarata:
Shiko, unë ju bashkova që në ditën e parë protestës, ju bashkova që në fillim denoncimit për atë që po ndodhte në Zvërnec, sepse ka qenë totalisht një veprim që është marrë nga disa institucione shtetërore, që fillonte patjetër me policinë lokale, vijonte me bashkinë, vijonte me qeverinë; pra, një errësirë totale për gjithë projektin e Zvërnecit.
Dhe nuk mundet që një projekt i cili ka një vlerë prej 4 miliardë dollarësh të kalonte në një heshtje të tillë dhe të kalonte inkonjito, gati-gati nga çdokush. Pra, askush nuk e ka ditur që vlera e investimit do të ishte aq. Askush nuk e ka ditur që ka pasur një projekt për atë. Sepse është folur gjithë kohën që do të ishte Sazani, por ndërkohë na doli që është Zvërneci në të vërtetë. Pra, ka pasur shumë problematika që u shpërthyen në një moment të caktuar.
Patjetër ka ndikuar edhe ajo sjellje çnjerëzore e rojeve private dhe më pas policia e shtetit atje në Vlorë, që e pa dhe nuk reagoi, dhe shpërtheu më pas gjithë ajo pakënaqësi. Por kjo nuk është një pakënaqësi që lidhet me Zvërnecin. Tashmë e ka kaluar Zvërnecin. Që në ditën e tretë e kaloi Zvërnecin.
Pavarësisht se ka një realitet në mediat ndërkombëtare, ndonëse ato kryesore duan ta politizojnë. Mediat amerikane lidhen vetëm me çështjen Trump.
Por për ne, për shqiptarët, kjo e ka kaluar Zvërnecin. Kjo është një çështje që lidhet me arrogancën, lidhet me pabarazinë, lidhet me korrupsionin, lidhet me të gjitha ato probleme që ne i kemi thënë në studion tënde.
Pra, në qoftë se ka një problem qeveria shqiptare, edhe qeveria lokale, por kryesisht ajo qendrore, lidhet me korrupsionin dhe me pabarazinë. Pra, një shqiptar i thjeshtë nuk është i barabartë me një shqiptar që ka mik, me një shqiptar që ka para.
Ndërkohë, jo, nuk janë të gjithë patronazhistët të pasur. Sepse ka edhe patronazhistë të varfër. Dëgjoj këto: “patronazhistët”. Madje, për mua, zoti Rama është shkëputur edhe nga patronazhistët. Sepse, po ta shikosh, ai po merr disa vendime me një klikë, me një grup shumë të vogël njerëzish. Dhe ti e kupton vetëm kur shpërthen një gjë si kjo, si kjo e Zvërnecit.
Aty është një pakënaqësi e akumuluar ndër vite ndaj qeverisë, që thashë, që kanë njerëzit. Është një pakënaqësi e cila lidhet padyshim me shumë elementë; lidhet me spitalet. Po aty ka njerëz që unë kam folur me shumë prej tyre.
Patjetër. Aty janë të gjithë të shtypurit e Shqipërisë dhe të gjithë ata që nuk kanë pasur një mundësi të vërtetë në Shqipëri, në këtë vend që po ndërtojmë. Dhe unë kam folur me shumë njerëz. Aty kam takuar individë të cilët kanë parë familjarët e tyre të vuajnë për mungesë ilaçesh. Aty kam takuar njerëz të cilët kanë fituar disa konkurse dhe sistemi i ka nxjerrë jashtë, sepse është futur dikush me mik. Aty kam parë njerëz që kanë vite e vite që duan të marrin pronën e tyre, dhe pronën e tyre ia ka marrë dikush tjetër, sepse ka qenë më i fortë. Aty kam parë njerëz që kanë parë gjyshërit e tyre të vdesin me një pension 150 mijë lekë.
Pra, aty kam parë Shqipërinë e vërtetë dhe Shqipërinë e vuajtur, të cilën, me dashje apo pa dashje, partitë politike...
Po, ata janë njerëz, me sa kam parë unë, të cilët ia kanë dalë vetë në jetë. Pra, janë njerëz që mund të kenë shumë pak ose aspak interes në shtet. Janë njerëz që punojnë në privat, mund të kenë një biznes të vogël, një biznes të mesëm, dhe janë njerëz influencues; kam parë shumë modele, kam parë shumë. Pra, i kam parë të gjitha...
Ne, si gazetarë, e kemi huqin që të shikojmë çdo gjë.
© SYRI.net