Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Klevis Balliu, reagoi nga Kryesia e Kuvendit lidhur me operacionin e fundit anti-drogë në Itali, ku dhjetëra të rinj shqiptarë janë përfshirë në rrjete të organizuara të trafikut të kokainës.
Sipas Balliut, ky operacion është “pasqyra më e qartë e Shqipërisë që ka ndërtuar Edi Rama gjatë këtyre viteve”.
Ai deklaroi se situata nuk lidhet vetëm me ekzistencën e disa grupeve kriminale, por me, sipas tij, “pasojat direkte të një qeverisjeje që për vite me radhë ka bashkëjetuar me krimin e organizuar, e ka toleruar atë dhe në shumë raste ka bashkëpunuar me të për interesa politike, elektorale dhe monetare”.
Balliu akuzoi kryeministrin Edi Rama se premtoi një shtet europian, por ndërtoi një realitet ku “kartelet shqiptare të drogës janë fuqizuar deri në atë pikë sa po rekrutojnë fëmijët tanë dhe po i kthejnë në trafikantë droge në Europë”.
Sipas tij, kjo situatë është krijuar si pasojë e mungesës së luftës ndaj krimit dhe klimës së pandëshkueshmërisë. “Edi Rama zgjodhi propagandën në vend të luftës kundër krimit, zgjodhi të sulmojë opozitën dhe gazetarët, ndërsa bandat kriminale rriteshin në fuqi, pastronin paratë dhe shtrinin ndikimin e tyre në çdo sektor të vendit”, u shpreh Balliu.
Ai tha se sot të rinjtë shqiptarë, edhe pa precedentë penalë, përdoren nga organizatat kriminale si “ushtarë të drogës”, ndërsa shtoi se fuqia ekonomike dhe kriminale e këtyre organizatave është ndërtuar mbi klimën e pandëshkueshmërisë.
Sipas tij, një brez i tërë është rritur gjatë qeverisjes së Edi Ramës përballë “modelit të drogës, luksit kriminal dhe parave të pista”, në mungesë të mundësive, arsimit dhe shpresës.
Balliu:
Përshëndetje. Operacioni i fundit anti-drogë në Itali, ku dhjetëra të rinj shqiptarë janë përfshirë në rrjetet e organizuara të trafikut të kokainës, është pasqyra më e qartë e Shqipërisë që ka ndërtuar Edi Rama gjatë këtyre viteve.
Sot nuk kemi të bëjmë vetëm me disa grupe kriminale. Kemi të bëjmë me pasojat direkte të një qeverisjeje që për vite me radhë ka bashkëjetuar me krimin e organizuar, e ka toleruar atë dhe në shumë raste ka bashkëpunuar me të për interesa politike, elektorale dhe monetare. Edi Rama premtoi shtet europian, por ndërtoi një realitet ku kartelet shqiptare të drogës janë fuqizuar deri në atë pikë sa po rekrutojnë fëmijët tanë dhe po i kthejnë në trafikantë droge në Europë. Kjo patjetër nuk ndodhi brenda një nate.
Kjo ndodhi sepse Edi Rama zgjodhi propagandën në vend të luftës kundër krimit, zgjodhi të sulmojë opozitën dhe gazetarët, ndërsa bandat kriminale rriteshin në fuqi, pastronin paratë dhe shtrinin ndikimin e tyre në çdo sektor të vendit.
Sot të rinjtë shqiptarë, pa precedentë penalë, përdoren si ushtarë të drogës nga organizatat kriminale që kanë krijuar një fuqi të pafundme ekonomike dhe kriminale. Dhe kjo fuqi nuk do të ekzistonte pa klimën e pandëshkueshmërisë që ka krijuar qeveria e Edi Ramës. Më tragjikja është se viktimat kryesore të këtij realiteti është vetë rinia shqiptare.
Nuk është rastësi që mosha mesatare e të vrarëve në atentate mafioze dhe përplasje kriminale në Shqipëri është rreth 30 vjeç. Pra kemi një brez të tërë të rritur gjatë qeverisjes së Edi Ramës, një brez që në vend të mundësive, arsimit dhe shpresës, është përballur çdo ditë me modelin e drogës, luksit kriminal dhe parave të pista. Kur kryeministri i vendit normalizon lidhjet me krimin dhe promovon kulturën e pandëshkueshmërisë, atëherë krimi bëhet alternativa që u imponohet të rinjve. Edi Rama mban përgjegjësi politike dhe morale për këtë degradim të rëndë të shoqërisë shqiptare.
Aq më tepër kur përfaqësues të krimit të organizuar promovohen brenda institucioneve të shtetit, e më pas dekorohen pikërisht për lidhjet me krimin e organizuar, ajo bëhet edhe më e rëndë.
Ftoj çdo prind shqiptar të mbrojë fëmijët e vet nga ky realitet i errët që po i merr peng. Të mos lejojmë që rinia shqiptare të përdoret si mish për top nga kartelet kriminale që bashkëpunojnë sot me qeverinë e Edi Ramës. Shqipëria meriton një të ardhme ku të rinjtë ndërtojnë jetën me punë dhe meritë, jo me drogë, trafik dhe dhunë mafioze. Faleminderit.
© SYRI.net