Lajmi i fundit

LIVE/ Dita e 37-të e protestës qytetare, kërkohet dorëheqja e Edi Ramës

Zhulali: Axhenda e Eric Wendt, një ‘shpallje lufte’ për korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri

18:23, 20/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kandidati i ri për ambasador të Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka paraqitur një axhendë pune që sinjalizon një ndryshim rrënjësor në qasjen e Uashingtonit ndaj Shqipërisë.

 

Ilda Zhulali, eksperte e marrëdhënieve ndërkombëtare e ftuar në studion e “Task Force”, u shpreh se kandidati i ri amerikan për ambasador në Tiranë, Eric Wendt, ka prezantuar një axhendë të qartë dhe të drejtpërdrejtë.

Ajo theksoi se ai ka vendosur në qendër luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe karteleve të drogës, duke bërë një kontrast të fortë me paraardhësit e tij, Yuri Kim dhe Donald Lu.

'Ndryshe nga ambasadorja Kim, që përqendroi prioritetet tek siguria, mbrojtja dhe bashkëpunimi ekonomik, dhe Donald Lu, që pranoi problemin e kanabisit vetëm pasi u bë i dukshëm, Wendt vendos fokusin te problemet thelbësore të vendit.'- u shpreh ajo

Sipas Zhulalit, axhenda e tij nuk është retorike, por konkrete, e mbështetur nga dosja e Departamentit Amerikan të Shtetit dhe konsensusi bipartiak, duke i dhënë mandat të fortë për të zbatuar prioritetet në Shqipëri.

 

Pjesë nga deklarata:

Ne kemi sot një paraqitje të kandidatit për ambasador, i cili ka dalë në Senat para përfaqësuesve politikë të të dyja palëve, dhe ai ka për detyrë të shpalosë prioritetet e punës së tij këtu. Dhe prioritetet, ndryshe nga ambasadorët e tjerë, për shembull po ju marr një krahasim ambasadorja Kim, përpara se të vinte këtu, tha që prioritetet e saj janë siguria, mbrojtja dhe bashkëpunimi ekonomik. S’përmendej as korrupsioni, as krimi i organizuar dhe asgjë tjetër.

Ndërsa, nëse mbani mend, ambasadori Lu, pasi u detyrua të pranojë që këtu kanabisi kishte bërë namin, tha: “Dakord, po kjo nuk ka qenë një nga prioritetet e punës time në Shqipëri.” E vërtetë. Pra, çështja e prioriteteve është çështja e parë dhe tregon që ky ambasador ka një axhendë krejt tjetër nga ambasadorët e tjerë që kanë ardhur më përpara këtu. Dhe ka konkrete; lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe karteleve të drogës është më specifike se kaq, nuk ka çfarë të bëhet më dhe tregon një përqendrim të drejtpërdrejtë tek thelbi i gjithë problemeve që ka Shqipëria sot. E para.

E dyta, në prezantimin para përfaqësuesve të të dyja palëve, ai duhet të tregojë që e njeh vendin, që e ka përvetësuar lëndën me një dosje të përgatitur, dhe se ai nuk ka ardhur në Shqipëri të ketë jetuar një vit dhe pastaj shkon të tregon përshtypjet. Nga një dosje që është e përgatitur nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Po. Dhe në atë dosje kanë gisht të dyja palët, si demokratët, si republikanët. Nuk është se është vetëm pikëpamja e njërës palë apo e palës tjetër.

Tani, me këto përparësi, nëse ai do të marrë një gjykim dhe një mbështetje nga të gjitha palët aty për t’ia miratuar kandidaturën për të ardhur në Shqipëri, ai pastaj fillon punën e tij, e cila është në një pjesë shumë të madhe e pavarur, edhe nga qendra, për të zbatuar axhendën e prioriteteve këtu. Dhe kjo axhendë është e qartë si drita e diellit dhe, thashë, bën një kontrast shumë të madh me axhendat e shpallura më përpara nga ambasadorët që kanë qenë në Shqipëri, të cilët këtë lloj gjuhe dhe këtë lloj komunikimi nuk e kanë pasur fare. Pra… fjala korrupsion, krimi i organizuar, kartelet e drogës nuk kanë qenë në gjuhën…

Për shembull, ne kemi kandidatë për ambasadorë që shkojnë në Kosovë, në Maqedoni, shqiptarët. Dhe kur vijnë në komision të jashtëm, ata nuk shpallin luftë për çfarë do bëjnë atje në vend ndaj një fenomeni apo një tjetër. Nuk po marr për vende të tjera të ndara. Fokusohen tek një axhendë që ndërton marrëdhëniet, pra që i përmirëson marrëdhëniet, që i afron ato.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco