Më 22 maj, nga ora 09:00 deri në 18:00, në ambientet e Piramidës në Tiranë do të zhvillohen zgjedhjet për kryetarin e ri të Dhomës së Avokatisë Tiranë, një proces i rëndësishëm për komunitetin e avokatëve në kryeqytet. Në garë janë tetë kandidatë, të cilët synojnë drejtimin e institucionit për një mandat 4-vjeçar.
Mes emrave që garojnë spikat kandidatura e avokatit dhe pedagogut Klodian Skënderaj, një figurë e njohur në fushën e jurisprudencës dhe të drejtës penale. Skënderaj ka përfunduar studimet universitare në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Gjenovës në Itali në vitin 2005, me rezultate maksimale 110/110. Prej rreth 15 vitesh ai ushtron profesionin e avokatit.
Në vitin 2014 ai ka përfunduar studimet e doktoratës në fushën e procedurës penale, ndërsa që prej vitit 2016 mban titullin “Profesor i Asociuar”. Nga viti 2008 është pedagog i lëndës “Procedurë Penale” në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, ndërsa prej vitit 2015 ligjëron edhe lëndën “Ekzekutimi i Vendimeve Penale”.
Skënderaj është autor i monografisë “Ekzekutimi i Vendimeve Penale”, një botim i përdorur nga studentët dhe profesionistët e sistemit të drejtësisë. Ai ka qenë gjithashtu ekspert pranë Shkollës së Magjistraturës gjatë viteve 2018-2021 në Programin e Trajnimit Vazhdues, si dhe është angazhuar në projekte të ndryshme ligjore me fokus procedurën penale dhe të drejtën materiale.
Nga shtatori 2020 deri në shtator 2024, ai ka qenë anëtar i Senatit Akademik të Universitetit të Tiranës. Përveç aktivitetit akademik, Skënderaj është autor i dhjetëra punimeve dhe artikujve shkencorë të prezantuara në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare. Në profesionin e avokatit ai ka përfaqësuar edhe çështje të rëndësishme me profil të lartë.
Dhoma e Avokatisë Tiranë prej vitit 2001 është drejtuar nga avokati Fatmir Brakaj, ndërsa tashmë pritet zgjedhja e pasuesit të tij. Në degën e Tiranës janë të regjistruar rreth 1910 avokatë, të cilët do të kenë të drejtën e votës për të zgjedhur kreun e ri të institucionit mes tetë kandidatëve në garë.
© SYRI.net