Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar mazhorancën se po pengon procesin e integrimit europian të Shqipërisë përmes mbrojtjes politike ndaj Belinda Ballukut, ndërsa i kërkoi socialistëve të dorëzojnë para drejtësisë, ish zvkryeministren. Nga foltorja e Kuvendit, Berisha iu referua raportit të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, ku faktohen akuzat e opozitës ndaj qeverisë për farsë zgjedhore, korrupsion dhe lidhje me krimin.
SYRI TV
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi mazhorancën se me mbrojtjen politike ndaj Belinda Ballukut po pengon procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Duke iu referuar raportit të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, Berisha u shpreh se dokumenti evidenton shqetësime serioze për korrupsionin, funksionimin e institucioneve duke faktuar të gjitha denoncimet e opozitës, ndërsa i kërkoi socialistëve t’i hapin rrugë drejtësisë duke dorëzuar Belinda Ballukun. Kreu i opozitës theksoi se ish zëvendëskryeministrja po forcon ndikimin dhe presionin e saj politik brenda mazhorancës, përmes krijimit të një grupi me deputetë socialistë të Fierit.
Në vijim të debatit parlamentar, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama për mungesë transparence dhe shmangie nga llogaridhënia në Kuvend. Kreu i demokratëve ngriti akuza edhe për “Jet Bank”, investimet strategjike dhe raportet e kryeministrit Edi Rama me presidentin serb Aleksandër Vučić, duke iu referuar nismës për Ballkanin e hapur.
Pjesë e kritikave të kryetarit të PD, ishte edhe situata ekonomike në vend. Berisha akuzoi qeverinë se ka braktisur qytetarët dhe fermerët pas heqjes së subvencioneve për naftën në një periudhë të vështirë ekonomike.
Lideri i opozitës ngriti shqetësimin për taksat e larta që rëndojnë çmimin e karburanteve, duke thënë se Shqipëria mban rekordin botëror për taksën e naftës.
© SYRI.net