I ftuar në emisionin “KAFE SHQETO” në Syri TV, me moderatorin Flavio Qarri, këshilltari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Nikola Kedhi, akuzoi qeverinë se e ka kthyer Shqipërinë në një korridor të sigurt të narkotrafikut dhe se ekonomia e vendit po mbahet nga paratë e pista.
Sipas Kedhit, pas përfundimit të projekteve të kaskadës së Devollit dhe TAP-it, qeveria nuk krijoi motorë të rinj zhvillimi, ndërsa ekonomia, sipas tij, u mbështet te paratë që vijnë nga aktivitetet kriminale dhe te sektori i ndërtimit. Ai tha se bujqësia dhe industria ndodhen prej vitesh në krizë, ndërsa sektori privat është dobësuar gjithnjë e më shumë.
Kedhi deklaroi se Shqipëria është kthyer në një korridor të trafikimit të kokainës, heroinës dhe drogave sintetike, duke pretenduar se një situatë e tillë nuk mund të ekzistojë pa mbështetjen ose tolerimin e qeverisë. Sipas tij, kjo ka dëmtuar besueshmërinë e vendit dhe ka ndikuar edhe në deformimin e proceseve zgjedhore.
Ai u shpreh se partnerët ndërkombëtarë kanë shtuar presionin ndaj qeverisë shqiptare për luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe narkotrafikut, ndërsa theksoi se interesat e qytetarëve shqiptarë për një shtet normal përputhen me interesat e SHBA-së dhe Bashkimit Evropian.
Në përfundim, Kedhi tha se zgjidhja kërkon rritjen e presionit qytetar, largimin e qeverisë, krijimin e një qeverie teknike dhe angazhimin e institucioneve të drejtësisë për të goditur, sipas tij, lidhjet mes politikës dhe krimit të organizuar.
Kedhi:
Nuk ka asnjë vend... për ta thënë me një fjali nuk ka asnjë vend në të cilin kjo histori, ky model të ketë përfunduar mirë. Shqipëria, për të kuptuar pak se cili është vizioni i kësaj qeverie që nga dita e parë e qeverisjes së tyre. Shqipëria nga viti 2013 deri në vitin 2020 pak a shumë, 2021 është mbajtur vetëm me dy projekte të qeverisë Berisha: me kaskadën e Devollit dhe me TAP-in.
Pasi mbaruan këto dy projekte nuk kishin me çfarë të mbanin më ekonominë dhe ekonomia shqiptare është mbajtur me paratë e pista të drogës që vinin dhe laheshin në sektorin e ndërtimit në Shqipëri. Dhe është parë edhe nga raportimet e INSTAT-it që sektori privat gjithmonë e më shumë po mbahet nga sektori publik, ndërkohë që do të duhej të ishte e kundërta.
Do të duhej të kishim një sektor privat më të zhvilluar, sektorët prodhues të ekonomisë. Po ndërkohë këto sektorë prodhues janë në reçesion, janë në krizë. Bujqësia ka në krizë që nga tremujori i fundit i vitit 2020. Industria ka në krizë që nga tre vitet e fundit, tre-katër vitet e fundit. Dhe ne sot mbahemi, ekonomia shqiptare sot mbahet me këto paratë e pista, të cilat vijnë nga trafikimi kryesisht i kokainës dhe i heroinës, dhe nga administrata publike. Dhe ne e dimë se çfarë ndodh kur sektori privat tkurret, tkurret në maksimum, dhe zgjerohet sektori publik, i cili do të duhej të mbahej nga sektori privat. Tani, kjo historia e Shqipërisë është bërë një problem jo vetëm për ne që jetojmë në këtë vend, po është bërë një problem për partnerët tanë ndërkombëtarë gjithashtu.
Ndaj kanë filluar që të lëvizin dhe të veprojnë, sepse Shqipëria, edhe sipas raporteve të njëpasnjëshme të Departamentit Amerikan të Shtetit, dhe sipas qeverisë gjermane kryesisht, po edhe raporteve që nxjerrin institucionet e Bashkimit Evropian, është kthyer në një korridor të trafikimit të kokainës dhe të heroinës. Ne kemi pasur më përpara problem me kanabisin, po nuk kemi pasur një problem me këto lloj drogëra më të rënda. Edhe me drogërat sintetike në fakt, që vijnë nga Lindja, përdorin Shqipërinë si një korridor të sigurt, dhe më pas shpërndahen në vendet e Bashkimit Evropian, shkojnë në Amerikë Latine, shkojnë dhe në brigjet e Amerikës Veriore. Tani, një korridor i sigurt nuk mund të bëhesh në qoftë se nuk ke minimumi shkeljen e syrit që çdo gjë do të shkojë mirë nga ana e qeverisë, se çdo vend tjetër është e pamundur.
Për shembull, që të mos kapet asnjë gram kokainë në portin e Durrësit, po të kapen në portet evropiane, në Antwerp apo në porte të tjera. Dhe ky bashkëpunim i qeverisë, i shtetit me këto organizata të trafikimit të narkotrafikut, është kthyer në një problem, në një problem shumë të madh, sepse kur bëhet bashkë qeveria me kartelet e drogës s'ka se si të jesh e para një partner i besueshëm.
E dyta, një vend që bën zgjedhje të lira dhe të ndershme. Mjafton të shikoni se sa u kapën vetëm para pak javësh, që u raportua edhe në media, diku te 55 ton, në mos gaboj, që i bie sa gjysma e buxhetit të shtetit. Imagjinoni me kaq para se si blihen zgjedhjet dhe se sa zgjedhje blihen në Shqipëri. Dhe pasoja tjetër pastaj është edhe kriminalizimi i të gjithë shoqërisë, se kur mbahesh nga këto paratë e pista, në një farë mënyre ke prishur gjithë jetën normale të një vendi dhe ke çuar krimin indirekt ose direkt në çdo qelizë të shoqërisë. Dhe kjo është situata në të cilën ne jemi sot pak a shumë.
Po patjetër që e kanë, e kanë dhe për të ushtruar presionin e duhur ndaj qeverisë shqiptare. Prej kohësh janë duke e bërë këtë me retorikë. Do të duhet që të përshkallëzojnë pak edhe veprimet. E bëjnë me retorikë jo vetëm evropianët, por dhe amerikanët. E ngarkuara me punë që kur u betua kjo qeveri pas farsës zgjedhore të vitit të kaluar, e ngarkuara me punë në çdo takim me funksionarët qeveritarë përmendte luftën kundër krimit të organizuar, narkotrafikut, korrupsionit e të tjerë me radhë. Dhe me ministren e arsimit e gjeti një mënyrë për ta futur temën e narkotrafikut, sa ta fusim në kurrikulat shkollore.
Ndaj për ata është prioritet. Në dhjetor të 2025-ës, në aktin e autorizimit të mbrojtjes kombëtare të qeverisë amerikane që kaloi dhe në dy dhomat e kongresit amerikan, Ballkani kishte një sektor specifik për herë të parë. Ka qenë gjithmonë pjesë e çështjeve evropiane, kësaj radhe kishte një sektor specifik dhe prioritetet aty ishin lufta kundër narkotrafikut, korrupsionit, krimit të organizuar, ndër të tjera. Forcimi i shtetit të së drejtës dhe standardeve demokratike. Për këto ishin prioritete për ta. Dhe ne kemi një, ne si shoqëri, si qytetarë që duam të jetojmë në një vend ndryshe nga ky që është formësuar këto vitet e fundit, ne do të jemi të lumtur sepse interesat tona dhe interesat e amerikanëve dhe evropianëve përputhen. Siç ata për interesat e tyre duan një Shqipëri larg ndikimit të narkotrafikut, dhe ne gjithashtu duam një Shqipëri që zhvillohet bazuar tek sektorët prodhues të vendit ashtu siç do duhet të zhvillohet çdo vend normal. Dhe ne do duhet ta shfrytëzojmë këtë rast që... këto interesa përputhen.
Ne në rradhë të parë jemi duke e bërë mendoj unë, me protestat që ndodhin përnatë. Kjo është një formë gjithashtu që tregon këtë. Natyrisht, kërkesat aty nuk e përmendin specifikisht pjesën e narkotrafikut, por në momentin që presioni rritet së brendshmi në atë pikë dhe më pas bashkohet dhe me presionin që vjen nga jashtë, krijohet kjo sinergjia, kjo qeveri detyrohet të japë dorëheqjen, krijohet një qeveri teknike, këtu jemi futur në shinat e zgjidhjes së këtij problemi. Më pas do duhet edhe organet e drejtësisë, kësaj drejtësie të re, që në vend që të merreshin me opozitën këto katër vitet e fundit, pesë vitet e fundit, do duhej të ishin marrë me këtë problem madhor, por gjithsesi më mirë vonë se kurrë, do duhet të... edhe ato të përshpejtojnë ose të përshkallëzojnë veprimet e tyre.
Mos të presin vetëm kur ndodhin aksione nga partnerët ndërkombëtarë. Pra do duhet të jetë diçka shumë planëshe që ndodh këtu, në mënyrë që të detyrohet në rradhë të parë kjo qeveri të largohet sepse është hapi i parë pa të cilin nuk vijnë hapat e tjerë. Dhe më pas mund të bëhet një luftë kundër gjithë këtij kriminalizimi të shoqërisë. Unë e kam thënë dhe më përpara dhe e përsëris, këtë nuk e bën dot asnjë forcë politike, asnjë grupim shoqëror i vetëm.
© SYRI.net