Ndërkohë që sot vijon në ditën e 37-të protesta në bulevardin Dëshmorët e Kombit, për politologun Ermal Hasimja kjo protestë qytetare është një nga mobilizimet më të mëdha në historinë e Shqipërisë pas viteve ’90.
Në studion e Off the Record, Hasimja hodhi poshtë ndikimet e huaja në protestë dhe tha se ajo është një “valvul shkarkimi” e pakënaqësive të qytetarëve.Sipas tij ajo ka vendosur një standard të ri të reagimit qytetar ndaj qeverisjes dhe krijon një precedent për çdo qeveri të ardhshme.
Duke komentuar incidentet e regjistruara gjatë protestave, Hasimja u shpreh se mbetet kundër çdo forme dhune, por gjuajtja me vezë nuk hyn në këtë kategori, pasi është akt simbolik.
Hasimja: Shqiptarët e kanë çuar në një nivel edhe më të lartë. Kjo protestë është shumë e mirë dhe për diçka tjetër, përtej asaj çfarë kërkon në këtë moment; dorëheqjen e qeverisë, qeveri teknike, zgjedhje të lira dhe të ndershme, është shumë e rëndësishme, sepse është një formë e qartë paralajmërimi për këdo qeveri që do të vijë dhe në të ardhmen edhe sikur të ishte një qeveri sot e opozitës e partive që janë sot në opozitë të vinte. Ka vendosur një standard të ri dhe cilado qeveri që do vijnë në të ardhmen s'ka rëndësi kujt partie do të jetë. Sot e ka të qartë që në qoftë se arrin një pikë të caktuar, shqiptarët janë në gjendje të ngrihen në protestë, janë në gjendje të mobilizohen masivisht dhe t'i dalin për zot edhe vendit të vetë.
Kam qenë në protestë vazhdimisht, kam folur me njerëzit, i kam pyetur dhe nuk shoh aty agjentë iranianë, serbë, grekë e tjerë e të tjerë dhe nuk mendoj që ka ndonjë shtet të huaj i cili të ketë kaq pushtet mbi të rinjtë shqiptarë, mbi qytetarët shqiptarë sa t'i nxjerrë aty. Po të kishte do na kishte marrë lumi prej shumë e shumë kohësh sa herë që kemi pasur pakënaqësira me qeverisjen, ose kemi pasur situata problematike edhe me këto shtetet për të cilën folëm përpara. Ajo që unë shoh dhe besoj që e sheh gjithkush që del aty në protestë e kupton shumë qartë edhe kur sheh prindër që dalin me fëmijët e tyre familjarisht e të tjerë. Shumë e vështirë që këta njerëz t'i nxjerrësh aty thjesht me algoritmin ose t'i nxjerrësh pastaj aq më pak me ndikime nga shtete të tjera me të cilat ne jo vetëm që s'kemi asnjë lloj lidhje, por në fakt jemi në konflikte politike ose në situata aspak miqësore. Kjo është protestë shumë e rëndësishme sepse është një lloj valvulë shkarkimi e qytetarëve, të cilët kanë gjetur mënyrën për të shprehur pakënaqësitë e tyre, zhgënjimin e tyre për gjithë tranzicionin, jo vetëm aktualisht, pavarësisht se kërkesa e tyre kryesore është për largimin e kryeministrit dhe është diçka që shkon përtej zgjedhjeve, aq më tepër duke pasur parasysh që ne nuk kemi pasur zgjedhje normale në Shqipëri.
Unë jam shprehur kundër molotovëve dhe çdo lloj forme tjetër të dhunës. Protesta aktuale merrni vetëm krahasoni protestë këtë protestë të madhe me protestën e fundit të madhe që është bërë me atë 21 janarin e famshëm për të kuptuar pastaj dallimin midis logjikave të protestave dhe përmasave të dhunës. Këtu po flasim për gjuajtje me vezë ndaj deputetëve. Të dëgjuash deputetët me vezë nuk më duket ndonjë gjë që ju rrezikon jetën deputetëve dhe për dëmtime të pronës nuk shoh dëmtime të pronës. Është tjetër gjuajtja me gurë dhe tjetër gjuajtja me vezë. Gjuajtja me vezë është një akt simbolik. Nuk mund ta fusësh te aktet e dhunës. Akti i dhunës është një akt në të cilin ti synon që përmes dhunës fizike të intimidosh dikë, të çash, të vrasësh, të të paaftësosh fizikisht.
© SYRI.net