Lajmi i fundit

LIVE/ Dita e 22-të e protestës qytetare në Tiranë, kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama

‘Edi Rama ma karton të kuq në Evropë’, Këlliçi: Shqipëria konsiderohet një narko-shtet, një autokraci elektorale…

09:17, 19/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Shqipëria është klasifikuar zyrtarisht si një "autokraci elektorale" nga një institut prestigjioz ndërkombëtar kërkimor. Ky lajm u bë i ditur nga deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, gjatë një interviste për emisionin e mëngjesit “Kafe Shqeto” në Syri tv, direkt nga Brukseli. Ky vlerësim negativ e vendos Shqipërinë në një grup me shtete si Benini, Bosnjë Hercegovina, Indonezia, Meksika dhe Zambia, duke ngritur alarmin për standardet demokratike në vend dhe duke rrezikuar seriozisht rrugëtimin e saj europian, vlerësoi deputeti demokrat.

Sipas Këlliçit, ky klasifikim i ri vjen si pasojë e degradimit të proceseve zgjedhore dhe kapjes së institucioneve. Si provë për abuzimet, ai prezantoi një libër voluminoz prej 1507 faqesh, të titulluar "Farsa e Madhe e Zgjedhjeve Shqiptare" (The Big Fat Farce of Albanian Elections). Ky dokument, sipas tij, përmban fakte dhe prova të pakundërshtueshme për vjedhjen masive të zgjedhjeve lokale të 11 majit.

Ndërsa liderët e EPP, përfshirë Ursula von der Leyen, Roberta Metsola dhe Manfred Weber, u bënë thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor të përmbushin standardet, duke përmendur Malin e Zi si shembull progresi, Shqipëria nuk u përmend në asnjë kontekst pozitiv. Kjo, tha Këlliçi gjatë bisedës me moderatorin Flavio Qarri, tregon se Brukseli i ka dhënë një "karton të kuq" qeverisë Rama.

Kjo situatë politike u vu në paralel edhe me gjendjen ekonomike të vendit. U theksua paradoksi që Shqipëria, ndonëse ka fuqinë blerëse dhe pagën mesatare më të ulët në rajon e Europë, mban çmimin më të lartë të naftës.

Në këto kushte, opozita deklaron se beteja e saj për anëtarësimin e Shqipërisë në BE po zhvillohet tashmë në Bruksel, duke argumentuar se qeveria aktuale po e izolon vendin dhe po minon aspiratën kombëtare për integrim europian.

Flavio Qarri: Për detajet do të bezdisim Belind Këlliçin në këtë mëngjes. Duket se është pak paradoksale, është moment shumë entuziast për ju. Jeni në një shpërthim të marrëdhënieve ndërkombëtare. Tani ju besojnë, tani ju dëgjojnë, por nga ana tjetër vjen në momentin më kritik për rrugëtimin evropian të Shqipërisë. Si, e përjetoni këtë përplasje agjendash dhe emocionesh?

Belind Këlliçi: Atëherë, që ta kuptojnë edhe qytetarët që na ndjekin, ta kuptojë publiku. Në radhë të parë ne jemi këtu pjesë e një agjende zyrtare, jo vetëm me rastin e 50 vjetorit të, themelimit të Partisë Popullore Evropiane, që është grupimi politik më i fuqishëm në Evropë dhe vijon të mbetet grupimi politik më i fuqishëm edhe në Parlamentin Evropian, drejton dhe Komisionin Evropian, dhe sigurisht ka pjesën e Luanit kur vjen puna te vendimmarrja për sa i përket edhe çështjeve të integrimit evropian.

Tani që ne po flasim, në këto momente, ka nisur që në orën 7:30 të mëngjesit, një samit i posaçëm ku janë krerët e shteteve, kryeministrat pra dhe janë të gjithë drejtuesit e partive popullore evropiane, së bashku me drejtuesit e institucioneve zyrtare të Bashkimit Evropian, me tematikë, zgjerimin. Pra është një samit mbi zgjerimin.

Flavio Qarri: E trishtë është që te samiti për zgjerimin nuk është qeveria, por është opozita.

Belind Këlliçi: Është në sallë, Sali Berisha aktualisht që ne flasim. Është në panel, është drejtuesi i opozitës në Shqipëri dhe është sigurisht drejtuesi i Partisë Demokratike. Sepse është parti simotër e Partisë Popullore Evropiane. Dhe që ta kuptojnë qytetarët, nga dita e djeshme zyrtarisht, edhe për platformën më të madhe të kërkimit shkencor ndërkombëtare, ‘V-Dem’, Shqipëria konsiderohet një autokraci elektorale.

Flavio Qarri: Dhe këtë zyrtarisht për Europën po thua?

Belind Këllçi: Edhe për Europën. Këtë e thotë instituti më prestigjioz në botë i kërkimit shkencor për standartin e demokracisë, për nivelin e lirive dhe të drejtave të njeriut, për zgjedhjet e lira dhe të ndershme, për pavarësinë e gjyqësorit. Është institucioni që ka mbi 600 ekspertë, që është i pranishëm në mbi 202 shtete të botës, dhe është me qendër në Gotenborg në, në Suedi. Pra është një autoritet i padiskutueshëm dhe që ta kuptojnë qytetarët që na ndjekin ne tani, nëse PD-ja aktualisht që ne flasim është në samitin e zgjerimit dhe bën betejë për të anëtarësuar Shqipërinë në Evropë, në Bashkimin Evropian, aty ku ne kemi destinacionin tonë krejt të natyrshëm dhe është vokacioni ynë si një komb, si një shtet, si qytetarë shqiptarë, zyrtarisht nga dita e djeshme Edi Rama dhe këtë dua t'ia lexoj shikuesve, e ka futur Shqipërinë në këtë grup shtetesh që kanë autokraci elektorale. Benin, Bosnjë Hercegovinë, Indonezi, Meksikë, Sierra Leone, Somaliland dhe Zambia. Pra ky është unioni ku Edi Rama e ka integruar Shqipërinë përfundimisht nga dita e djeshme. Ndërkohë që beteja është për të shkuar në Europë. Por, testi kritik që ishte testi Balluku, ka qenë vija e kuqe dhe pika ndarëse.

Pra, edhe në fjalën e tyre dje, drejtuesit më të lartë të institucioneve evropiane, qoftë, Ursula von der Leyen, qoftë Roberta Metsola, qoftë ish-drejtues të lartë të Partisë Popullore Evropiane apo kreu i saj që është edhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian, Manfred Weber, drejtuesit më në zë të Evropës, kanë bërë thirrje për vendet e Ballkanit Perëndimor për të plotësuar standardet, për të përmbushur detyrimet dhe për të mbyllur kapitujt, kanë përmendur Malin e Zi që ka mbyllur zyrtarisht 14 kapituj, ditën e djeshme apo mos gaboj pardje dhe Shqipëria nuk ekziston kurrkund në hartë, madje na është bërë lutje, na është bërë thirrje e drejtpërdrejtë që ne si opozitë t'i përgjigjemi aspiratës që kanë qytetarët shqiptarë, që ka populli shqiptar për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe ne pa diskutim ta bëjmë realitet këtë ëndërr që kanë shqiptarët.

Shiko Flavio do të tregoj diçka interesante që mbase ju s'e keni parë, është hera e parë që bëhet publike. Ky është libri me 1507 faqe i zgjedhjeve në Shqipëri. I faktuar, i dokumentuar, është në anglisht.

Këtu është e ndarë me kapituj. Është 1507 faqe. Janë të detajuara, kjo është një punë titanike e Partisë Demokratike, e opozitës shqiptare, ku në këtë libër janë të faktuara me fakte, me prova, me dokumenta të pakontestueshme, vjedhja e zgjedhjeve në datën 11 maj të vitit 2025. Unë kam qenë dje në panelin e paradites, pjesë e grupit të punës për ndërhyrjet në zgjedhje. Pra Partia Popullore Europiane ka rreth pesë grupe pune që quhet,  ku i ka të ndara me tematika dhe në temën e zgjedhjeve dhe ndërhyrjeve elektorale nëpër shtete të ndryshme, problemet që kanë shtetet, kur kemi ndalur te rasti i Shqipërisë, është e paimagjinueshme, për herë të parë informacioni është publik, e kanë të gjithë evropianët tashmë.

Është e vërtetë që ajo u tha në fillim që Partia Demokratike sot ia ka dalë që atë që ne e thonim katër apo pesë vite më parë, atë që ne e thonim edhe një vit më parë, farsën elektorale, vjedhjen e zgjedhjeve, zhdukjen e vijës ndarëse midis pushtetit dhe administratës publike, keqpërdorimin e aseteve publike, Shqipërinë një narko-shtet, që po ta them dhe për herë të parë publikisht, shpeshherë na kanë anatemuar, na kanë edhe përqeshur, edhe kanë akuzuar, edhe kanë tentuar të të intimidojnë që të thonë që shiko, po ekzagjeroni.

Sot që ne flasim, gjithçka që ka thënë Partia Demokratike në këto katër vite është realitet dhe është e vërtetë. Shqipëria konsiderohet një narko-shtet, një autokraci elektorale dhe Shqipërisë i kërkohet me ngut pavarësia e plotë e gjyqësorit, ndërprerja e ndërhyrjeve në punën e organeve të hetimit, në Prokurorinë e Posaçme dhe plotësimi i të gjitha kushteve dhe konditave për të filluar me mbylljen e kapitujve që kërkon procesi i integrimit evropian. Çfarë do të thotë, Edi Rama nga sot është me karton të kuq në Evropë dhe kjo është tashmë zyrtare.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco