Lajmi i fundit

LIVE/ Dita e 22-të e protestës qytetare në Tiranë, kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama

Të frymëzohesh nga një intervistë në orën 04:30 të mëngjesit

Të frymëzohesh nga një intervistë në orën 04:30 të mëngjesit

19:15, 21/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Fatjon Gjinaj/

Kjo është historia e fortë njerëzore, Ramë, e një prej “algoritmeve” që kërkon largimin tuaj.
Kur disa prisnin zilen e alarmit për të shkuar në punë, në plazh si e diel, në një vaki apo gëzim, për vizitë mjekësore ose për qokë te dikush… Mattias afrohet pranë makinës sonë dhe kërkon internet. Ka njerëz që bëjnë çdo përpjekje të mundshme për të gjetur një mikrofon dhe të shfryhen, të shprehen, të kërkojnë llogari, por në shumicën e rasteve nuk thonë asgjë. Ndaj gjithnjë më ka pëlqyer që personazhi të mos më kërkojë, por ta gjej, ta dalloj, ta ftoj.

Shpesh të parët merren edhe me pagesë, ndërsa të dytët duhet t’i bindësh, sepse këta kanë karakter, artikulim, qëndrim, bindje, vizion; kanë personalitet. I tillë ishte Mattias, i cili po kalonte një natë pa gjumë, jo se kishte qejf, por sepse ishte i aftë ta identifikonte problemin dhe besonte te fuqia e njerëzve kur bëhen bashkë për ta zgjidhur.

Ai shfaqet si me porosi për të të kërkuar “një nder”, por në fakt për të nderuar sakrificën e një nate pa gjumë pranë një grushti njerëzish që brohorisnin poshtë zyrës së kryeministrit, të cilit prej 21 ditësh i kërkojnë dorëheqjen; disa të tjerëve që dremisnin në ato temperatura përvëluese në një lulishte, mbështetur kokën te një shkallë, palosur mbi pllakat e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, të mbështjellë për të parandaluar depërtimin e “vesës” në brinjë me flamuj kuqezi, si pengje të sakrificës në emër të lirisë që duhej të mbërrinte medoemos me agimin e 21 qershorit.

Mënyra se si komunikon të fton automatikisht në bisedë, e cila vijoi për rreth një orë pas kësaj interviste prej 1 minute e 35 sekondash.
“Janë fjalë të mëdha të thuhen nga një 23-vjeçar”, i thoja vetes.

“Po si mundet që, kur ti ke nisur të mendosh se ky vend ka ikur për lesh, ja, shikoje atë burrin që ka mbuluar sytë me kapele mbi karrigen metalike ku po dremit; shikoje atë tjetrin që është pranë vdekjes, i kërrusur duke peshuar mbi një bastun që qëndron në mes të bulevardit, a thua se nuk kishte kohë të dilte më herët, mbase në rininë e tij, e ndoshta do të na ishin kursyer këto dhimbje; të të shfaqet dikush që të frymëzon, dhe si? Me një buzëqeshje, në një kohë kur gjithë Tirana të dukej një përbindësh i madh që po kullofit pa mëshirë këta njerëz, të cilët e dinë në fund të fundit se kryeministri, të paktën edhe nesër, nuk ka për të ikur, veçse deri në Francë për propagandën e tij.
Po sikur ajo vajza e njomë si filiz të vdesë sot (larg qoftë), nën këtë qiell të murrmë për shkaqe të panjohura, dhe i vëllai, jo më shumë se 10 vjeç, ta zgjojë kryeqytetin me ulërimat e tij nga dhimbja?

Ja, Ramë, pse këta njerëz nuk duhet t’i shikosh si algoritme, or dreq, as si numra, as si interesa, por si njerëz që kanë dalë për shkaqe madhore në bindjet e tyre, që besojnë te fuqia e reagimit të tyre, që mundet, po po, mundet që ndonjë të bjerë martir! Hë, si do të ngjante vallë nëse, për shkak të dikujt që nuk pranon rënien nga pushteti, dikush do të binte martir në përpjekjen për ta rrëzuar?”
I mendova vërtet të gjitha këto kur po bashkëbisedoja me Mattias, i cili, ndonëse shumë i ri, punonte me krijime muzikore dhe pjesën tjetër të kohës si berber.

“Nuk e di çfarë do të thotë të t’i heqin prindërit nga puna sepse i biri proteston. Kam lindur në Itali dhe jam rritur atje. Ndoshta kam qenë me fat, por nuk kam dëgjuar që shteti atje të hakmerret në këtë formë. Por, nëse do të më ndodhte, vetëm sa do të më bënte më të lirë.
A jetojmë apo jo në kohën e algoritmeve?

Natyrisht që algoritmet sjellin edhe të ardhura. Ja, kështu do ta përballoja jetesën nëse jetoja në Shqipëri. Ama, kurrë nuk do të pranoja diçka që më duket e padrejtë. Do të modeloja ‘koka’ njerëzish si berber, do të krijoja muzikë; janë dy fusha që s’të lënë në baltë, sepse njerëzve u duhen që të dyja”, tha Mattias.

Akoma më interesant bëhej personazhi im në këtë rast, kur shprehej se besonte te fuqia e njerëzve për të kërkuar llogari e ndryshim, por ishte skeptik dhe llogarikërkues ndaj “atyre që nesër do të dalin në skenë si aktorë të ofrimit të një projekti tjetër që mund të quhet edhe ‘Shqipëria e Re’, sepse në vetvete ky slogan është i njohur prej dekadash dhe liderët e kanë përdorur vazhdimisht. Madje ngjashëm edhe ky këtu” — bëri me gisht nga Kryeministria — “që thoshte: ‘Fillim i riiiiii, fillim i riiiiiiiiiii’”.

Mattias u largua nga bulevardi drejt terminalit ndërqytetas sapo agoi 21 qershori. Një bashkëmoshatar i tij ishte vetëflijuar para tri ditësh në Itali.

“Rahmet i pastë shpirti. Nuk është ditë gjykimi, por nderi i kujtimit të tij. E kam dashur shumë. Ndoshta ndikuan problemet e të vëllait; i ka përjetuar rëndë, madje edhe me shenja depresioni. Ma shprehte se i dukej vetja i padobishëm derisa nuk bënte dot diçka për ta ndryshuar situatën. Protestoj sot edhe për të.”

Ata njerëz që prej 21 ditësh protestojnë janë secili një histori më vete. Kanë dramat dhe qejfet e tyre, ndaj është po aq kriminale, madje edhe më shumë se arsyet që i kanë nxjerrë në bulevard, t’i etiketosh, t’i denigrosh, t’i fyesh, t’i kërcënosh apo t’i përbuzësh.
Detyra jote, kryeministër, është t’i dëgjosh.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco