Prej disa javësh, qytetarë të shumtë janë mbledhur në protestë përpara Kryeministrisë, duke shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj qeverisjes aktuale. Mes protestuesve spikasin edhe shqiptarë të diasporës, të cilët kanë lënë jetën e tyre jashtë vendit për t'u bërë zëri i revoltës në kryeqytet.
Një rast i tillë është ai i një emigranti të ardhur posaçërisht nga Australia për t'iu bashkuar tubimit. Në një prononcim të dhënë nga sheshi i protestës, qytetari Paulin Lusha, zbulon se fillimisht nuk e kishte në plan të bëhej pjesë e turmës, pasi e shihte tubimin si të politizuar. Megjithatë, një incident me flamurin amerikan dhe një thirrje për ndihmë në mes të natës nga miqtë e tij, e kthyen atë në një nga qëndrestarët më aktivë. Prej më shumë se 10 ditësh, ai ka qëndruar në shesh duke u përpjekur të sigurojë mbarëvajtjen e tubimit dhe shmangien e incidenteve.
Për të, kjo lëvizje nuk është thjesht një grumbullim kalimtar, por një revoltë mbarëkombëtare. Qytetari thekson se ky është manifestimi më paqësor që ka njohur vendi, një lëvizje që po përcjell një imazh pozitiv të shqiptarëve në mbarë botën. Ndërkohë, kritikat ndaj qeverisë janë tepër të ashpra. Ai shprehet se kreu i ekzekutivit është i gatshëm të shkatërrojë vendin vetëm për të mos lëshuar karrigen e pushtetit.
Një nga pikat më kritike që analizohet në fjalën e tij është mungesa e një "bërthame" apo strukture organizative drejtuese. Ai argumenton se pikërisht kjo mungesë i jep komoditet pushtetit, pasi nëse do të kishte një organizim të mirëfilltë, qeveria nuk do t'i rezistonte dot presionit dhe masivitetit të njerëzve. Në përfundim, duke refuzuar të numërojë problemet një nga një, qoftë në arsim apo shëndetësi, protestuesi e mbyll deklaratën me një thirrje alarmante.
Sipas tij, dëmi që po i bëhet aktualisht shtetit i kalon edhe pasojat që do të mund të linte një pushtues, ndaj dorëheqja e qeverisë mbetet e vetmja zgjidhje për rrezikun që i kanoset vendit.
Protestuesi:
Unë kam 10 ditë që i bashkohem kësaj proteste. Me thënë të drejtën nuk e kisha për qëllim... duke pas parasysh se protestat në Shqipëri janë bërë partiake. Edhe na thirrën nja dy shokë... para 10 ditësh.
Edhe na tha që këtu ka dalë një grup dhe nuk i linin të ngrinin flamurin amerikan. Në 3 e gjysmë të natës na bëri telefon. Edhe ne erdhëm të gatshëm këtu, jo për t'i ardhur në protestë, por për t'i ardhur në ndihmë, sepse... gjithmonë unë kam parasysh që çfarë është ky grup që pas flamurit kombëtar, i cili flamur do ngrihet... pra ne pa Amerikën s'do ta kishim këtë Shqipëri që kemi sot, s'do kishim Kosovën. Edhe erdhëm edhe ngelëm në protestë tash 10 ditë edhe jemi... kemi bërë atë sigurinë e aty, për mos me u bërë rrëmujë.
Duke i dalë në ndihmë këtyre shokëve, unë të them me bindje që kjo është një protestë kombëtare, një revoltë e gjithë popullit, qoftë dhe atyre fëmijëve që dalin, ata e kanë kuptuar tashmë që kjo klasë politike... ku po e katandis Shqipërinë.
Tani kjo është protesta më paqësore, më e bukur. Edhe mundësisht unë mundem me thënë me bindje të plotë... që kjo protestë ka përhapur imazhin e mirë nëpër botë, të cilët jemi ne shqiptarët që na kanë paragjykuar dikur.
Unë mundem me thënë që kjo protestë është shumë më bindëse sesa një protestë e dhunshme, një protestë që mund të shkatërrosh. Pra ne jemi një popull që nuk shkatërrojmë. Duam të ndërtojmë, duam të jetojmë mirë, duam demokraci. Por... kjo qeveri, jam krejt i bindur që kjo qeveri merr parasysh të digjet gjithë Shqipëria dhe karrigen e pushtetit mos ta lëshojë. Faktikisht.
Kryeministri shqiptar po ta kishte , vetëm një pikë gjak shqiptari... ai duhet të bënte dorëheqjen. Nga kryeministër, po duhet të bënte dorëheqjen edhe nga partia e tij se ai... jo e gjithë partia e tij mund të jetë e inkriminuar, se mund të ketë socialistë që mund t'i kemi në shesh, që janë të pakënaqur me të. Por unë kam parë një diçka. Kjo protestë është e tejzgjatur edhe s'ka krijuar akoma një bërthamë. E cila, kryeministri ka shumë informacione, edhe ai tallet. Se kjo protestë madhështore po të kishte një bërthamë, ai do të... do të dridhej me gjithë karrigen e tij. Sepse tashmë është krejt e kuptueshme që nuk e do gjithë populli. Edhe fëmija, edhe fëmija sapo ka filluar me kuptu.
Tani unë... ndoshta kryeministrit edhe ministrave të tij mund t'i bëhet qejfi. Por... nuk ka krijuar bërthamë kjo protestë. Edhe unë mendoj se kjo qeveri... pra ky sistem i tejzgjatur... i ka kapur të gjithë ata, qoftë dhe ekselentët, studentët ekselentë, i ka kapur që në shkollë. Nuk mund të përmend as gjanë... as shëndetësinë, as arsimin, asnjë gja. Unë mund të përmend një gjë që t'i përmbledh të gjitha. Shqipëria është në rrezik. Këtu bëhet fjalë... unë e them me bindje të plotë: Shqipëria është në rrezik. Pra domethënë, as pushtuesi nuk ia ka bërë çfarë i ka bërë kjo qeveri. Pra kryeministri Edi Rama duhet të jap dorëheqjen...
© SYRI.net