'Shqiptarët ndihen të përjashtuar nga Rama'/ Abilekaj: Sa më shumë flet ai, aq më shumë shtohen protestuesit

16:51, 21/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Analisti Enton Abilekaj, i ftuar në një intervistë me Edvin Parrucën në edicionin e mesditës në Syri TV, deklaroi se protesta po vazhdon të rritet për shkak të mënyrës se si kryeministri Edi Rama i trajton qytetarët dhe shqetësimet e tyre.

Sipas Abilekajt, është e vështirë të identifikohet një organizator apo koordinator i vetëm i protestës, pasi ajo po mbledh njerëz me bindje dhe interesa të ndryshme. Megjithatë, ai argumentoi se vetë qëndrimi i kryeministrit po shërben si faktori kryesor që i bashkon protestuesit.

Ai tha se një pjesë e madhe e qytetarëve ndihen të përjashtuar nga qeverisja e Rilindjes dhe se kjo ndjenjë përjashtimi po i shtyn ata të bashkohen me protestën, pavarësisht nëse marrin pjesë fizikisht apo jo.

Në analizën e tij, Abilekaj ndaloi veçanërisht te zhvillimet urbanistike dhe ndërtimet përgjatë bregdetit shqiptar. Sipas tij, qeverisja e Edi Ramës ka sjellë një betonizim masiv të zonave turistike, duke favorizuar, sipas pretendimeve të tij, një grup të vogël përfituesish të lidhur me pushtetin.

Abilekaj përmendi fenomenin e betonizimit dhe e lidhi me atë që ai e quajti depërtim të parave të pista në ekonomi, duke iu referuar edhe hetimeve të SPAK-ut ndaj zyrtarëve dhe personave të ndryshëm. Sipas tij, këto praktika kanë dëmtuar konkurrencën e ndershme dhe kanë nxitur emigracionin.

Më tej, Abilekaj u shpreh se protesta është një reagim i natyrshëm i qytetarëve që kundërshtojnë mënyrën e qeverisjes aktuale dhe kërkojnë ndryshim, duke shtuar se ajo po bashkon grupe dhe individë me qëllime të ndryshme, por me një pakënaqësi të përbashkët ndaj qeverisë.

Abilekaj: 

Tani e vërteta duhet thënë që është e vështirë të kuptohet se çfarë ndodh në protestën... Është e vështirë të kuptohet se kush është koordinatori, kush e organizon, kush i entuziazmon njerëzit kaq shumë. Dhe përgjigja në fund fare kur dëgjon Edi Ramën është që këta i organizon Edi Rama. Domethënë, është vetë Rama që nuk i dëgjon, që nuk flet, që flet kur flet me të vetët, refuzon të flasë me protestuesit. Refuzon të flasë me atë që ata kërkojnë. Ai zgjedh të ndajë dhe të dallojë shqiptarët në protestues të cilët kanë një axhendë ose janë injorantë, dhe në mbështetës të vetët, të PS-së, që kanë një vizion dhe janë njerëz që e dinë se çfarë po bëjnë. Pra, kjo ndarje që po bën Edi Rama vetë është ndarja që e frymëzon protestën, ndarja që po i shton radhët e protestuesve.

Nëse të përjashtuar nga Rilindja ndihen shumica e shqiptarëve, dhe sot shumica e shqiptarëve është në protestë, edhe ata që nuk shkojnë nga frika, edhe ata që vijnë nga jashtë, edhe ata që dalin aty prej 21 ditësh... janë të gjithë të përjashtuar nga Rilindja dhe ndihen pikërisht ashtu siç e bën Rama, siç e mendon Rama, që këta janë pjesa që nuk e kupton vizionin e tij. Sepse vizionin e tij ne e kemi parë në 11 vjet se si është realizuar. Është realizuar duke betonizuar bregdetin e Shqipërisë, bregdetin e paprekur të Shqipërisë, me klientët e Edi Ramës, nga klientët e Edi Ramës, nga njerëz të afërt të tij. Ka krijuar një shëmtirë dhe një përfitim për një pakicë të vogël, dhe një përjashtim total, mungesë totale estetike.

Të gjithçkaje që është e pakthyeshme më. Ju kujtohet besoj në '98-2000 se në '98-ën filloi prishja e kioskave në Tiranë dhe në 2000-shin u arrit kulmi kur u prishën ato kioskat e Lanës. Ato ishin ai keqadministrim i menaxhueshëm, pra i kthyeshëm, i Tiranës, që ishte bërë kryesisht nga kryebashkiakët e Partisë Demokratike në atë kohë, dhe kioskat u prishën sepse ishte shumë e thjeshtë për t'u bërë. Në vend të tyre sot ne kemi në Lanë, nuk kemi më as kioska as beton, kemi vetëm gjelbërim. Ndërsa këto që ka bërë Edi Rama, betonizimin e Shqipërisë nga Saranda deri në Velipojë, nuk mund të prishet më.

Është shkatërrim i pakthyeshëm. Ky shkatërrim i pakthyeshëm është bërë një shqetësim i tillë për shumicën e shqiptarëve, që sot nuk e pranojnë më favorin e betonit që do të zëvendësojë me më shumë dhe më bukur natyrën. Nuk mund ta pranojnë ata që atij do t'i bëjë një projekt ku do ruajë, nuk do e prekë natyrën atje, nuk do e prekë habitatin e mbrojtur atje, e të tjera e të tjera. Sepse ata e dinë se çfarë ka bërë Edi Rama. Edi Rama është ai i Butrintit, që në atë pikën e vogël në Butrint bëri një mal betoni të shëmtuar që e përdori vetëm një kastë e vogël njerëzish të lidhur me Edi Ramën. Edi Rama është ai i Palasës që e ka mbushur nga Palasa në Dhërmi me beton ku përfitojnë vetëm njerëz të afërt të Edi Ramës. Edi Rama është ai që ka bërë Golemin më parë, me ndërtuesit që spikatin vetë si industri.

Edi Rama me ndërtuesit e vet dhe me disa kryetarë bashkish që ishin në Durrës dhe në Golem, socialistë, të cilët ishin pjesë e industrisë së biznesit dhe pjesë e atij korrupsionit të betonit që u krijua. Dhe ne po shohim çdo ditë e më shumë se si SPAK-u, në punën e vet të përditshme kap, arreston dhe zbulon njerëz të cilët kanë shndërruar paratë e pista në beton. Atë që kemi thënë prej 10 vjetësh. Dhe kjo, të gjitha veprat e Edi Ramës. Kështu që Edi Rama e ka përjashtuar, është bërë autor i betonizimit të pistë të Shqipërisë.

Pranon me krenari këtë dhe thotë që të tjerët që nuk e kuptojnë këtë, që ky është zhvillim, janë injorantë. Po unë jam injorant në këtë rast! Dhe e them me shumë krenari që jam injorant që nuk e kuptoj që paratë e pista të shndërruara në beton i bëjnë mirë Shqipërisë. Kështu që mendoj që ai që i mbledh më shumë njerëzit aty është pikërisht ky me këtë arrogancën e tij, me vizionin e tij të pakthyeshëm në shërbim të kësaj axhende të yndyrë që është kundër vendit dhe që nuk i sjell vendit asgjë të mirë. Nga ana tjetër pastaj, sigurisht që ka njerëz që pikërisht duke u nisur nga kjo gjë, kanë dalë aty për të hequr Edi Ramën si e keqja më e madhe, sepse kanë menduar prej kohësh që ai ishte e keqja më e madhe e vendit.

Dhe aty janë bashkuar jo vetëm njerëz të cilët nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin, por dhe axhenda që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Të gjitha të imponuara nga një njeri i cili ka shtypur çdo të drejtë. Ka shkatërruar çdo grup interesi që nuk lidhet me të dhe sot gjenden të vetmuar nëpër pallate të ndërtuara për të, nga oligarkët e vet, aty ku bën mbledhjet dhe ku do tronditet. Kështu që mendoj që është krejt e natyrshme kjo që po ndodh.

Protesta që mbledh më shumë njerëz të përjashtuar, më shumë njerëz që duan që vendi të mos vazhdojë më kështu se nuk ka më asnjë logjikë që të vazhdojë kështu, as në ruajtjen e mjedisit që ai mundohet ta ndajë si axhendë, por as në qeverisje, asnjë mënyrë të qeverisjes. Sepse ai shkatërrimi i mjedisit nëpërmjet betonit ka sjellë dhe emigracionin njëkohësisht. Ato paratë e pista që futen në biznes shkatërrojnë bizneset e ndershme dhe punën e njerëzve të ndershëm që largohen të detyruar duke ikur nga Shqipëria. Dhe i gjithë ky refuzim është pikërisht për këtë qeverisje të lidhur me krimin, me paratë e pista dhe sigurisht pastaj që ndikon në mungesën e demokracisë në vend.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco