Një tjetër skandal ka ndodhur këtë radhë me drejtuesin e Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, i cili me urdhër të Taulant Ballës, kreut të grupit parlamentar socialist, ka përjashtuar nga delegacioni zyrtar për vizitën në Gjermani, përfaqësuesit e Partisë Demokratike, Tomorr Alizoti - Nënkryetar i grupit parlamentar dhe njëherazi Nënkryetar i Grupit të Miqësisë Shqipëri – Gjermani, si dhe z. Klevis Balliu - Nënkryetar i Komisionit të Sigurisë dhe njëherazi anëtar i Grupit të Miqësisë Shqipëri - Gjermani.
Në një reagim të detyrueshëm, PD sqaron se ‘Niko Peleshi, në një akt të paprecedentë për një Kryetar Kuvendi, por të përsëritur prej tij, ka vendosur më pas pa asnjë arsye të përjashtojë grupin më të madh të opozitës në Kuvend nga delegacioni zyrtar i Kuvendit të Shqipërisë në Bundestag. Emrat e përfaqësuesve të Partisë Demokratike u hoqën qëllimisht për ta përjashtuar PD nga përfaqësimi institucional’.
‘Trajtimi i opozitës si armik nuk e zhbën problemin kryesor të kësaj maxhorance: lidhjet me krimin e organizuar dhe mbrojtjen e korrupsionit përmes votës në Parlament. Dhe ndërkohë që flasin për anëtarësim në Europë, negociatat më të frytshme i bëjnë me skifterët e orëve të vjedhura nëpër Europë apo duke bashkëpunuar me organizatat më të rrezikshme kriminale në vend!’, sqaron PD në deklaratën e saj.
Një sqarim i detyruar i Grupit Parlamentar të PD
Në përgjigje të interesit të medias lidhur me mungesën e Grupit më të madh të opozitës në Kuvend, në delegacionin e Kryetarit të Kuvendit gjatë vizitës në Gjermani, Grupi Parlamentar i PD sqaron si më poshtë:
Në vijim të kërkesës së datës 4 Mars 2026 të vetë Kryetarit të Kuvendit për të caktuar dy deputetë të grupit tonë parlamentar në këtë Delegacion, nga ana e kryetarit të grupit parlamentar u caktuan z. Tomorr Alizoti - Nënkryetar i grupit parlamentar dhe njëherazi Nënkryetar i Grupit të Miqësisë Shqipëri - Gjermani; si dhe z. Klevis Balliu - Nënkryetar i Komisionit të Sigurisë dhe njëherazi anëtar i Grupit të Miqësisë Shqipëri - Gjermani.
Niko Peleshi, në një akt të paprecedentë për një Kryetar Kuvendi, por të përsëritur prej tij, ka vendosur më pas pa asnjë arsye të përjashtojë grupin më të madh të opozitës në Kuvend nga delegacioni zyrtar i Kuvendit të Shqipërisë në Bundestag. Emrat e përfaqësuesve të Partisë Demokratike u hoqën qëllimisht për ta përjashtuar PD nga përfaqësimi institucional.
Fatkeqësisht, ky vendim tregon sa vite dritë larg standardeve demokratike të Bundestagut gjerman është sot drejtimi i maxhorancës parlamentare.
Trajtimi i opozitës si armik nuk e zhbën problemin kryesor të kësaj maxhorance: lidhjet me krimin e organizuar dhe mbrojtjen e korrupsionit përmes votës në Parlament. Dhe ndërkohë që flasin për anëtarësim në Europë, negociatat më të frytshme i bëjnë me skifterët e orëve të vjedhura nëpër Europë apo duke bashkëpunuar me organizatat më të rrezikshme kriminale në vend!
Ne nuk presim standarde europiane nga një Kryetar Kuvendi që nuk vendos dot vetë, por urdhërohet nga ushtarët politikë të Suel Çelës.
Po të mos ishte në kërkim ky i fundit, sot mund ta shihnim si pjesë të delegacionit njëpartiak në Bundestag.
Mirëpo, kjo sjellje e Kryetarit të Kuvendit nuk e pengon opozitën që të përfaqësohet në marrëdhëniet me partnerët tanë ndërkombëtar. Opozita po zhvillon takimet e saj në Bundestag dhe në Qeverinë Federale Gjermane, në nivelet më të larta, të planifikuara më herët. Ne po përfaqësojmë PD dhe Shqipërinë me dinjitet dhe me qëndrime të qarta për shtetin ligjor dhe integrimin europian.
© SYRI.net