Vasili: Porti i ri i Durrësit, një ‘kotec’ korruptiv, provë e tradhtisë së rëndë kombëtare të Ramës

Vasili: Porti i ri i Durrësit, një ‘kotec’ korruptiv, provë e tradhtisë së rëndë kombëtare të Ramës

17:25, 07/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Petrit Vasili

Është e qartë për të gjithë, ashtu siç e kemi paralajmëruar prej kohësh, se porti i ri i Porto Romanos do të jetë një ‘kotec’ qesharak dhe jo porti kryesor i Shqipërisë dhe porta hyrëse e Korridorit të Tetë.

Dhoma Amerikane e Tregtisë ka argumentuar në mënyrë shkatërruese, me fakte absolutisht të pakundërshtueshme, se jemi përpara një dëmi me përmasa të frikshme ekonomike, si dhe humbjes reale të Portit të Durrësit, me pasoja që mund të zgjasin deri në 100 vite.

Interesat kombëtare të Shqipërisë janë shitur shumë keq nga Edi Rama, sepse ky port është kaq i vogël dhe kaq i pamjaftueshëm sa që nuk i hyn në punë askujt, përveç atyre tek të cilët Rama ka shitur interesat e vendit.

Portet e Selanikut dhe të Pireut do të jenë ata që do të përfitojnë natyrshëm nga kjo tradhti kombëtare e Ramës.

Fillimisht, Edi Rama deklaroi se porti do të ndërtohej vetëm me koncesion dhe se 46% do të jepeshin nga qeveria, ndërsa 54% nga kompania që do të fitonte garën ndërkombëtare. Por asgjë nuk ndodhi.

U tha madje nga qeveria se edhe 46% që ishte pjesa e shtetit do të paguhej nga Autoriteti Portual përmes një kredie, por as kjo nuk ndodhi.

Më pas, i gjithë ndërtimi i portit u vendos nga Rama që të bëhej plotësisht me buxhetin e shtetit, me një vlerë prej 415 milionë eurosh.

U deklarua gjithashtu se do të kontribuonte edhe NATO, por as kjo nuk ndodhi.

Të gjithë specialistët kanë deklaruar publikisht se porti i ri, për të pasur parametra të pranueshëm dhe konkurrues, kërkon të paktën 1 miliard euro investim.

Është e qartë se, pas aferës së ‘Alabarit’ për shkatërrimin e Portit të Durrësit me qëllim ndërtimin e apartamenteve, projekti i Portit të Ri të Porto Romanos përbën aferën më të rrezikshme korruptive në historinë e Shqipërisë.

Një aset madhor me rëndësi të jashtëzakonshme ekonomike dhe strategjike si Porti i Durrësit po shkatërrohet me vullnet të plotë nga Rama.

Nga të gjitha këndvështrimet, kjo është qartazi një tradhti e mirëfilltë kombëtare kundër interesit më të lartë publik dhe kombëtar.

Kjo aferë duhet të ndalet sot dhe tenderi për ndërtimin e Portit të Durrësit, si një projekt korruptiv që ‘qelbet erë’, duhet të anulohet urgjentisht, sepse rrezikon të sjellë një katastrofë të vërtetë ekonomike.

Opozita duhet ta ketë këtë si çështjen kryesore të betejës së saj politike, duke filluar nga bllokimi në terren, kallëzimi në SPAK dhe deri te ngritja urgjente e një Komisioni Hetimor Parlamentar për këtë aferë.

Të gjithë partnerët ndërkombëtarë, duke filluar nga BE, SHBA dhe NATO, duhet të informohen nga opozita për këtë aferë të rëndë.

Ndërsa SPAK duhet që me të gjithë fuqinë ligjore të hetojë në themel këtë veprimtari shumë të rëndë antishtetërore të Ramës dhe qeverisë, duke e shndërruar në procesin hetimor më emblematik ndaj korrupsionit dhe tradhtisë së vendit.

Të gjithë në këmbë për të mbrojtur interesat kombëtare të Shqipërisë, të tradhtuara nga Edi Rama.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco