Në një reagim të drejtpërdrejtë ndaj situatës në parlament, Sali Berisha theksoi se opozita nuk do ta braktisë këtë institucion, pavarësisht uzurpimit dhe manipulimeve të shumicës.
Ai e përshkroi parlamentin aktual si një organ të “aneksuar totalisht” dhe kritikoi ndryshimet njëanshme që kanë minuar funksionimin normal të tij.
Berisha nënvizoi se zgjidhja reale nuk qëndron vetëm në veprimet brenda sallës, por në protestat e qëndrueshme qytetare kundër këtij regjimi, duke bërë thirrje për angazhim të vazhdueshëm dhe të vendosur nga çdo qytetar për mbrojtjen e institucioneve dhe të ardhmes së vendit.
Fjala e tij:
Silvana Dangëllia: A mendoni se duhet të jenë më radikalë në parlament? A duhet të ndërmerrni hapa të tjerë se ata nuk po pyesin më? Vetë vulosin, vetë firmosin, ngrenë kartonët verbërisht.
Sali Berisha: Parlamenti nuk është më parlament. Parlamenti ditën e parë u hap për herë të parë në 33 vite si parlament i aneksuar totalisht nga shumica në kuptimin që për të akaparuar çdo funksion të rëndësishëm në parlament, për herë të parë si kurrë më parë u rikompozuan komisionet, u hoqën opozitës të gjitha komisionet e rëndësishme dhe një komision u nda në tre komisione.
U bënë ndërhyrje të tjera të njëanshme në kundërshtim flagrant me rregulloren, e cila thotë se rregullorja nuk lëviz pa miratim konsensual.
E përmbysën rregulloren dhe nga ai moment parlament Shqipëria nuk ka pasur.
Ne jemi para kësaj alternative, të shkojmë apo të mos shkojmë në parlament. Midis këtyre të dyjave, ne kemi vendosur të shkojmë në parlament.
Pse? Të garantoj se Edi Rama nuk do asgjë tjetër përveç braktisjes së parlamentit nga ana jonë. Dhe ne nuk mund t’ia bëjmë këtë dhuratë.
Unë u mirëkuptoj ju, por parlamenti nuk ekziston si parlament.
Ai e ka uzurpuar atë.
Dhe Gjykata Kushtetuese rrëzoi plotësisht aktin e aneksimit të parlamentit me ndryshimet. Por njëlloj, ata kanë përgatitur me urgjencë ndryshime të ngjashme në të cilat përgjysmojnë kohën e diskutimit për deputetin.
Pra, jemi në këto rrethana.
Ne do përpiqemi, por zgjidhjen ama duhet ta kërkojmë tek protesta e qëndrueshme kundër këtij regjimi.
© SYRI.net